Foto/ Ministri Klosi, ju fton të gjithë të ngjisni malin e Tomorrit
Dritare.net
Gjatë vizitës së fshatrave Qafë- Dardhë, Tomor dhe Lybeshë, Ministri në takim me banorët e zonës foli për programin e rijetësimit të 100 fshatrave në destinacione të turizmit rural. Në fshatrat autoktonë me tradita të ruajtura ndër breza, Ministri bisedoi me të rinjtë për të nxitur zhvillimin e turizmit të aventurës në malin e Tomorit.
Me guidat më të reja të ngjitjes në mal, Ministri bëri hiking dhe shoqëroi turistët me karvan me mushka në shtegun e zhvilluar që lidh fshatin e Dardhës me fshatin e Tomorit me një ndalesë për piknik në pikën magjepse të Kalasë së Tomorit, ku thuhet se pushojnë perënditë.
Ministri i ftoi të gjithë dashamirësit e natyrës që të vizitojnë një nga malet më madhështore të Shqipërisë dhe të përjetojnë bekimin dhe harmoninë nga faltorja e perëndive duke zotëruar një pamje të gjithë horizontit.
“Jo vetëm që do jenë ditë të paharrueshme për cilindo që ndjen nga afër energjinë e malit të Tomorit dhe shijon produktet bio të fshatrave, por çdo vizitorë do kontribuojë në përmirësimin e ekonomisë lokale. Nëpërmjet zhvillimit të turizmit nxitet punësimi i të rinjve, mbajtja e tyre pranë vendlindjes duke investuar në ruajtjen e trashëgimisë dhe mbrojtjen e natyrës” tha Ministri Klosi.
Për të gjitha këto arsye Mali i Tomorit duhet dashur e shijuar e jo shkatërruar dhe dëmtuar.
Kjo bukuri është krijuar në miliona vjet, nëse dëmtohet do jetë shumë e vështirë të rikuperohet dëmi dhe kjo do ishte humbja jonë e madhe./d.m-dita/