Foto/ Jonida Maliqi në një lidhje, zbulohet romanca e këngëtares me aktorin e humorit
Dritare.net
Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi. Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt, duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram”, si Jonida ashtu dhe Romeo.
Gjatë këtyre muajve, ata nuk e mohuan thashethemnajën, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke e lënë evazive, si misteri që do zbardhet me kohën. Ndërkohë që miq të tyre të afërt kanë thënë për “Panorama Plus” se ata kalojnë shumë kohë bashkë në jetën e përditshme, duke mos përjashtuar faktin që fotografët e kapën Romeon në Pallatin e Kongreseve, për të festuar fitoren e Jonidës në Festivalin e RTSH-së me këngën “Ktheju tokës”.
Ishte pikërisht kjo fitore që i dha mundësinë Jonidës të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian, kur ajo të enjten arriti të kualifikohet në finalen që pritet të mbahet sot në mbrëmje në Tel Aviv. Direkt pas kualifikimit, Romeo postoi një foto të Jonidës si finaliste, tashmë me diçiturën “Grushti i parë, shihemi të shtunën!”. Ky ishte postimi i dytë që dëshmon mbështetjen hapur të tij që i bën Jonidës, pas atij disa orë para konkurrimit në natën e dytë gjysmëfinale.
Romeo postoi një video të Jonida Maliqit në Eurovizion, të shoqëruar me statusin: “Data 16 maj erdhi! Për të gjithë ju që ndodheni jashtë trojeve tona, erdhi momenti të tregojmë sa shqiptarë jemi! Votoni tokën tuaj, votoni 14- tën, votoni Jonida Maliqi!”, shkruante ai, duke e shoqëruar me hashtag titullin e këngës “Ktheju tokës” dhe emrin Jonida Maliqi, përfaqësueses së Shqipërisë në Eurovizion.
Nuk vonuan komentet që nënkuptonin se tashmë Romeo ishte ai që sapo hodhi hapin e parë drejt konfirmimit të thashethemit që qarkullon në rrethin e artistëve, se mes tyre ekziston një marrëdhënie speciale përtej miqësisë. Nuk dihet se ku janë njohur, por ndoshta frekuentimi i të njëjtave ambiente si artistë i ka afruar me njëri-tjetrin. Romeo njihet si Montana i “Al Pazar” bashkë me vëllain Donald Veshaj në rolin e Montelës. Vitin e kaluar, mediat shkruanin se ai dhe vëllai, përveç punës në televizion, prej vitesh investonin paralelisht në një biznes, një bar në qendër të Tiranës./Panorama Plus