Foto/ Djalli në kuzhinë, mësimet e një shefi “të ndriçuar” për kuzhinën dhe gratë
Dritare.net
Ai ka qenë djalli i parë i vërtetë në kuzhinë. Në fund të viteve ’80, për të vazhduar në vitet ’90, Marco Pierre White, shefi pronar i restorantit në Tamigi të Londrës, kishte pamjen e ashpër e të bukur, gjithmonë me cigaren në buzë, dhe gati me kritikat për kuzhinën e keqe. Ai ka qenë i pari në gjithçka. “Mastershef” apo “Hell’s Kitchen” janë të gjitha kopje…
Sapo ka dalë autobiografia e shefit me 3 yje Michelin. Me një energji të jashtëzakonshme punonte 100 orë në javë dhe e bënte stafin e tij t’u nënshtrohej rregullave vërtet të ashpra. Libri tregon për ndryshimin mes parajsës në sallën e ngrënies së restorantit të tij dhe dramës që përjetonin punonjësit në kërkim të perfeksionit. Sigurisht që bëheshin edhe shaka aty, por pjata të tëra, pa kuptuar, përfundonin drejt e në mbeturina.
Shefi nuk ishte i suksesshëm vetëm në receta, dhjetëra gra i dërgonin të mbathura me postë. Restoranti i tij tërhiqte aktorë e njerëz të sërës së lartë. Për të ngrënë një vakt prej tij linin ndeshjet më të rëndësishme të futbollit. Jeta e tij private u bë publike. Të gjithë i njohën tri gratë e tij, kishte lindur shefi i parë që u bë një yll. “Isha i pasigurt, kisha frikë nga dështimi. Fëmijëria ime dhe mënyra se si isha ndier, ndikuan në mënyrën time të të jetuarit e punuarit. Kur isha i ri mendoja se ata që më mësonin po tregoheshin të padrejtë me mua, por pastaj kuptova që nuk ishte ashtu. Sot jetojmë në kohë të tjera. Dikur vëmendja ishte e gjitha për klientin, tani nuk është më ashtu. Unë vazhdoj të mendoj që thjeshtësia është gjëja kryesore, edhe në pjatë”.