Është mbajtur ditën e sotme një takim në Akademinë e Shkencave me rastin e 90-vjetorit të ‘gruas që luftoi diktaturën’, znj, Liri Belishova.
Në nder të gruas nga Mallakastra, e cila humbi syrin në luftë që adoleshente, qe deputete e Kuvendit të Shqipërisë për disa vite, dhe përjetoi dhimbjen e madhe të persekutimit në kampet e internimit u organizua sot ky takim ku morën pjesë figura të njohura për publikun shqiptar.
Për ta uruar dhe përgëzuar figurën e saj ishin të pranishëm në sallë ish-presidenti Alfred Moisiu, deputetet Raimonda Bulku dhe Grida Duma, deputetja kosovare Flora Brovina, historiani dhe politikani Paskal Milo si dhe artistë të tjerë të njohur, si Tinka Kurti e Margarita Xhepa.
E pyetur nga dritare.net se si ndihet në këtë 90 vjetor znj. Liri Belishova e emocionuar u përgjigj:
Kam kaluar një jetë me dhimbje por jam e lumtur që e shikoj Shqipërinë kështu sot, drejt Evropës, dhe gëzohem që femrat shqiptare po tregohen kaq të afta për të ngritur zërin e tyre.
Mosha e thyer dhe jeta e vështirë ja kanë rënduar gjendjen shëndetësore. E shoqëruar nga djali Astriti dhe nga mbesa e saj Liri Belishova priti në këtë akademi jubilare urime të përzemërta, por jo vetëm: Me rastin e ditëlindjes të saj u promovua edhe monografia e shkruar nga Halil Rama me titull “Liri Belishova, gruaja që sfidoi diktaturën.”
Gjenerali i shquar Rrahman Parllaku e konsideron znj Belishova si gruan emblematike që përballoi gjithçka dhe erdhi në demokraci me energji të reja.
“Gjithçka që mendoj për Liri Belishovën e kam thënë dhe e them përsëri. Unë pata fatin jo të mirë të jem në një burg 10 vitet e fundit me bashkëshortin e saj dhe vëllain e saj, njerëz të nderuar që i përballuan me nder burgun dhe dhimbjen e fëmijës. Diktatura u tregua kaq barbare dhe e egër me të sa nuk e la ti ndodhej pranë vajzës që ndërroi jetë, dhe ajo ia doli me të gjitha. Liria është përballur si jo kush me intervistat e saj, rrëfimet e saj, fjalimet e saj me tmerret që ka përjetuar, dhe kjo mbetet në historinë e vendit tonë” -u shpreh ai për dritare.net.
Personalitetet e njohura thanë fjalën e tyre në nder të 90-vjeçares që e deshi Shqipërinë thellësisht demokratike. Ata vlerësuan figurën e gruas të mençur, të edukuar edhe të shkolluar që i kushtoi jetën lirisë së vendit dhe theksuan se ajo ka meritën për të marrë titullin “Nder i kombit”. /Dritare.net