Foshnjëria e politikës sonë

Nga Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari

Në një ligjëratë të mbajtur para rreth një viti në Bibliotekën e Kryeqytetit e pata shpjeguar fenomenin e shprishjes së politikës. Brenda një viti gjendja ka shkuar duke u keqësuar edhe më shumë. Nga shprishja e politikës gjendja ka lëvizur në drejtim edhe më negativ: në gjendjen e foshnjërisë dhe iracionalizmit politik. Nuk mund të kualifikohet ndryshe gjendja, kur tre krerët më të lartë shtetëror për dialogun me Serbinë dhe taksën 100% kanë qëndrime të ndryshme. Këtij iracionaliteti i shtohet edhe fakti se edhe të tri partitë opozitare, për këto dy tema, kanë poashtu dallime të mëdha. Pra, rrjedhimisht kemi gjashtë qëndrime të ndryshme për dy tema të rëndësishme, që mund të kualifikohen si tema të interesit nacional.

Si mund të shpjegohet një iracionalitet i tillë?

Përgjigjja në lidhje me këtë është fare e thjeshtë. Liderët politikë i kanë vendosur interesat pushtetore e partiake para atyre nacionale e shtetërore. Kjo gjendje, nuk mund të kualifikohet ndryshe, pos si foshnjëri politike. Interesat e Republikës së Kosovës në raport me Serbinë nuk mund të jenë as gjashtë sosh, as tri dhe as dy interesa të ndryshme. Ka vetëm një interes: ruajtja e integritetit territorial dhe raporte korrekte fqinjësore, të bazuara në parimin e reciprocitetit. Mbi këtë parim, përfaqësuesit tonë politikë do të duhej urgjentisht të ndërtojnë unitetin nacional. Të krijosh unitet, do të thotë të respektosh edhe mendimin e tjetrit, të peshosh interesat nacionale bashkë me tjetrin, duke lënë interesin e ngushtë partiak dhe pushtetor.

Krerët institucional të Republikës së Kosovës kanë bërë një numër gabimesh vitin e fundit në lidhje me qëndrimin e Republikës së Kosovës ndaj Serbisë. Gabimi i parë është hapja e debatit në lidhje me kufirin dhe territorin. Në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare janë të njohura katër atribute të shtetësisë: popullsia, territori, qeveria dhe hyrja në marrëdhënie bilaterale me shtetet e tjera. Vënia në diskutim e secilit nga këto atribute është goditje e sovranitetit shtetëror.

Gabimi i dytë është propozimi për një Konferencë Ndërkombëtare. Kjo kërkesë i shndërron raportet në mes të Kosovës nga konteste teknike e politike në mes të dy vendeve fqinje, të cilat duhet zgjidhur, në një kontekst ndërkombëtar, të një çështjeje të pazgjidhur, që tashmë de facto është e zgjidhur. Edhe ky gabim ka ardhur si rezultat i mospeshimit me kujdes të taktikës dhe strategjisë së veprimit të krerëve institucional dhe udhëheqësve politikë.

Gabimi i tretë janë thirrjet e shpeshta “për rrumbullakimin e shtetësisë”. Me këtë thirrje, dëshmohet se disa përfaqësues të shtetit tonë e konceptojnë shtetësinë e Kosovës si në vitet 1990, kur Kosova de facto nuk ishte shtet, pra si një çështje të parrumbullaksuar, të papërmbyllur. Kjo flet për vetëdijen e tyre të paformësuar shtetërore. Duke u munduar ta argumentojnë këtë gjë sot me mospranimin e Kosovës në OKB, ata harrojnë se rasti i Kosovës është vetëm një, në mesin e shumë rasteve, kur, për arsye të ndryshme politike, një shtet nuk kandidon ose bllokohet të pranohet në OKB. Rasti i Zvicrës (deri në vitin 2002), i Republikës Popullore të Kinës (1971), Gjermanisë Federale (1973) janë vetëm disa nga rastet e shumta, kur shtetet kanë pritur me decenie të pranohen në OKB, por asnjëherë nuk e kanë konsideruar veten shtet me shtetësi të parrumbullakuar.

LEXO DHE :  Babai i sizmiologjisë/ Lëkundjet e tjera pas tërmetit të parë, janë më të dobëta. Nuk ka shanse për goditje të forta më pas

Rrjedhim i mosunitetit në qëndrime është edhe krijimi i dy grupeve negociuese me Serbinë. Edhe ekipi negociator me dy bashkëdrejtues, i krijuar nga Qeveria e Republikës dhe i pranuar nga më pak se gjysma e deputetëve, nuk e përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Deficiti më i madh në legjitimitetin e  delegacionit është fakti se në të nuk marrin pjesë dy partitë më të mëdha opozitare, që, në fakt, janë edhe dy nga tri partitë më të mëdha në vend. Fakti se ekipi udhëhiqet nga dy liderë partishë, me numër të vogël deputetësh, e vë në pozitë edhe më jolegjitime këtë ekip.

Edhe opozita nuk është në gjendje më të mirë. Përderisa njëra nga partitë politike ka vendosur të luaj rolin mbështetës për Qeverinë e pakicës, duke e kushtëzuar mbështetjen me kërkesa të caktuara politike, dy partitë e tjera opozitare ftojnë për zgjedhje të parakoshme. Përderisa  njëra nga partitë opozitare fton për tërheqje të taksës 100%, dy partitë e tjerat ftojnë për mbajtjen e saj.

Ku janë qytetarët në këtë mes?

Qytetarët e Kosovës i vëzhgojnë me dëshpërim të gjitha këto zhvillime. Dëshpërimi është i madh për shkak të mosliberalizimit të vizave, për shkak të tërheqjes së njohjeve, për shkak të foshnjërisë politike të aktorëve tanë politikë. Përfaqësuesit e Qeverisë janë ngutur në deklarimet e tyre, duke shtuar pritjet në lidhje me liberalizimin e vizave. Shihet se ata nuk e patën studiuar me kujdes procesin e vendimmarrjes brenda BE. Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE paraqesin dorën e ashpër vendimmarrëse në lidhje me liberalizimin. Është dashur të parashihet me kohë, se një vendim i tillë nuk varet vetëm nga Komisioni dhe vetëm nga Parlamenti Evropian. Nuk është dashur të yshten pritjet e tilla!

Cila është dalja nga kjo situatë absurde?

Dalja nga situatat e tilla kanë vetëm një derë: zgjedhjet e parakohshme. Duke pasë parasysh se mosbesimi brenda koalicionit qeverisës është enorm, se nuk ka fare mbështetje për idenë e presidentit të Republikës për korrigjim të kufirit, se ka një zhgënjim të madh të qytetarëve me këtë lloj mungese racionaliteti dhe foshnjërie politike, duke e pasur parasysh ineficiencën e plotë në politikën e jashtme,  zgjidhja e vetme racionale janë zgjedhjet e reja të parakohshme. Një ristrukturim institucional, me legjitimitet të ri demokratik, do të ishte një antibiotik i fortë për këtë atmosferë të zymtë politike dhe një rikthim drejt racionalitetit të politikës sonë. Pas zgjedhjeve të parakohshme do të mund të krijohej një ekip negociuese me mbështetje edhe të opozitës, i cili do të mund të balanconte me kujdes interesat dhe të ndërtonte taktikën dhe strategjinë e qëndrimit shtetëror në raport me Serbinë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.