Historia e Xhemalit në Florida: Sonte presim Uraganin
Dritare.net
Deri tani, me mijëra vetë janë zhvendosur nga zonat më të rrezikuara, aeroportet në disa ishuj janë mbyllur e po kështu edhe një sërë destinacionesh popullore turistike. Me qindra njerëz janë evakuar, ndërkohë ende vazhdohet të hapen qendra të reja strehimi.
Xhemal Uruçi, shqiptari i cili banon në Tampa, Florida, rreth 60 milje larg nga bregu, thotë për dritare.net se shqiptarët që jetojnë në Majami kryesisht janë zhvendosur në veri. Uruçi tregon për dritare.net edhe detaje rreth uraganit, duke parashikuar që reshjet të arrijnë deri në 50 cm.
“Ky uragan është i forcës 5, por kur arrijnë në tokë forca e tyre zbret në 3. Qyteti që rrezikohet është Majami ku dallga mendohet të arrijë lartesinë 4 metra. Me këtë lartësi uji futet në qytet dhe pritet të sjellë dëme të mëdha.
Gjithashtu mendohet që reshjet të arrijnë 50 cm, një sasi e cila do të shkaktojë probleme të shumta. Era do të ketë forcën 30 km në orë, por problemi qëndron më shumë tek forma ciklonike e saj. Parashikohet që 9 milion nga 23 milion banorë që ka shteti i Floridës të mbesin pa ujë dhe energji.”
Xhemali tregon për dritare.net, se autoritetet vendase lajmërojnë vazhdimisht njerëzit për masat që duhet të marrin, si edhe kanë ndihmuar duke shpërndarë ujë të pijshëm.
Ne kemi shpresë dhe besim, pasi autoritetet kanë marrë masa të forta dhe prania e tyre na rrit besimin se do ta përballojnë këtë fatkeqësi natyrore.
Ato na lajmërojnë vazhdimisht për forcën e uraganit, si edhe kanë kontaktuar njerëzit për masat që duhet të marrin, ose si dhe ku të kërkojnë ndihmë.
Për sa i përket shqiptarëve që jetojnë në Majami, ata në përgjithësi janë zhvendosur në veri.
Prej disa ditësh tashmë, ne shqiptarët që jemi këtu mbajmë lidhje me njëri-tjetrin dhe kemi zbatuar masat e nevojshme për përforcimin e ndërtesave dhe sigurimin e automjeteve. Tashmë na mbetet të presim e të kemi besim", thotë për dritare.net Xhemali./ dritare.net