Fjorda di një vend, në Vjenë!

Nga Fjorda Llukmani

Një nga aktivitetet sportive më të pëlqyera për qytetarët vjenezë është vrapi. Çdo mëngjes kur shkoj për punë shoh pafund njerëz që vrapojnë. Madje dhe një nga kolegët e mi shkon për vrap në mëngjes, e pastaj vjen në punë. Mos të flas për pasditen që parqet e rrugët janë fuuuull. Kulturë që te ne është rritur vitet e fundit. Tani e kuptoj që Tirona larg e larg po ndjek shembullin dhe aktivitetet që organizohen në Vjenë.

Maratona e vitit mbahet si ndër eventet më gjithëpërfshirëse për qytetin. Të gjithë dalin në rrugë, bëjnë tifo për të njohur e të panjohur. Vrapuesi i parë që njoha është një nga shokët që ndajmë dhomën. Kur prezantoi veten më tha që do të marrë pjesë dhe në Maratonën e Vjenës e madje kam dalë në top 30 më të mirët për gjysmën e maratonës, përafërsisht 23 km.

Më vinte për të qeshur me vete sesi ai mburrej që kishte fituar vendin e 30. ‘Robi s’mund të mburret nëse nuk është në top 5.’,- thosha me vete. Ku ta dija unë që në maratonë vraponin rreth 40 mijë persona? Injorante komplet nga kjo fushë.

Dy ditë para maratonës në punë morëm një email që të dilnim e të mbështesnim kolegët tanë që do të marrin pjesë. Kështu kisha dy arsye për të bërë tifozllëk, një për shokun e dhomës e tjetrën për kolegët.

Ditën e diel zgjohem në mëngjes herët sepse në 9 bëhej nisja. Çdo vrapues që ishte i regjistruar mund të hapte lokacionin që të tjerët ta kërkonin nëpërmjet barkodit se ku ndodhej.

Më gënjente mendja se do të përshëndesja miqtë e mi. Kishte pafuuuunddd njerëëzz! U bllokuan të gjitha rrugët dhe trami nuk punonte atë ditë. Le që kush do të lëvizte me tram një herë.

Para Bashkisë së Vjenës kishin vënë disa stola me karrige që mund të uleshe për të pirë ndonjë birrë.

Pak më poshtë kalonin vrapuesit dhe dikush komentonte, shyqyr Zotit anglisht. Pjesëmarrësit janë nga e gjithë bota me pak fjalë. Bëra lidhjen e maratonës që u zhvillua në Tiranë para pak kohësh dhe kuptova idenë.

Siguria pastaj në maksimum. Hera e parë që shoh në Vjenë helikopterë duke ardhur vërdallë zonës ku vraponin.

LEXO DHE :  Basha: 30 qershori, tentativë për grusht shteti. Do të ndalet me çdo kusht

Çdo gjë ishte kaq mirë e organizuar. Vrapuesit kishin kode ku mund të merrnin çantën e gjërat personale. Në bazë të lokacionit që ke ndezur në telefon kuptonin se sa kilometra vrap ke bërë. Në fund merrje medaljen dhe një çantë dhuratë me ushqime të shëndetshme.

Pasi mbaron maratona takoj kolegen time moshatare me origjinë nga Bratislava. Ajo kishte vrapuar 6 km dhe merrte pjesë për herë të parë. Për kuriozitet e pyes: ‘E si ta dha mendja të futeshe në maratonë? Apo vrapon çdo ditë?’ ‘Nuk jam tip që vrapoj,’-ma kthen ajo-‘e bëra vetëm për maratonën sepse ia kisha vënë si kusht vetes’.

Fillova t’i tregoja dy histori të maratonës që u zhvillua në Tiranë. ‘Në qytetin tim kur u afrua muaji i eventit, kishte sportistë që vraponin me grupe fillestarësh nga liqeni. U mësonin frymëmarrjen e gjëra të tjera që duhet të kesh parasysh.’,- i them unë. Kuptova që u habit shumë. ‘Oh si ka mundësi, sa mirë ju ka shkuar mendja! Sa do të doja të kishin bërë diçka të tillë edhe këtu në Vjenë. Se ja për një moment m’u duk sikur më ra tensioni edhe doja ta lija vrapin përgjysmë.’,-më thotë ajo.

Ah interesante! D.m.th e paskemi bërë diçka të hairit më shumë se vjenezët. Në fund të maratonës u mblodhëm së bashku me kolegët e punës. Secili kishte marrë nga një shishe verë apo shampanjë për ta bërë gëzuar. Jetë vjenezësh mo me gjona të ronda.

Me pak fjalë aq shumë e vlerësonin njëri-tjetrin që morën pjesë në maratonë, sa u bëmë bashkë vetëm për t’i falënderuar. Sa lezet ka harmonia me njerëz tamam!

Dita ime u mbyll me një shëtitje buzë kanaleve të Danubit. Si përfundova nga Dhërmiu në këto soj kanalesh s’e di. Vetëm kur më thotë shoqja ime shqiptare: ‘Shiko se këtu do të bëjmë plazh në verë ëëëëë?” Ngela! ‘O zemra nuk lahem unë nëpër këto zhule!’-i them asaj.

Në atë moment po të kisha qenë vrapuese në maratonë, do të doja vetëm të kridhesha në det pas vrapit. Por ja prandaj s’vrapoj unë, se s’kam detin afër!/dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.