Faji i vetëm i vajzës, që mori 60 milionë, nga një foto në FB
Dritare.net
Enertila është vajza e famshme e FB, që mashtroi drejtorin e Postës.
Ai i dha 60 milionë lekë, për të rregulluar shtëpinë e saj të varfër, që të sillte prindërit dhe t'i kërkonte dorën.
Enertila është një vajzë me imagjinatë të zhvilluar. Ajo jeton në FB, si shumë shoqe të saj, të pamartuara, të martuara, pa punë, me punë, pa halle, me halle. Ajo jeton në FB, si shumica e shqiptarëve, përfshi edhe politikanët shqiptarë, që na mbushin me histori suksesi nga FB dhe askush nuk i akuzon për mashtrim. Përkundrazi, ne i besojmë dhe votojmë.
Edhe drejtori i Postës, besoi se Enertila ishte vajza e telenovelave, që pret princin ta shpëtojë. Princi dërgoi më parë 60 milionë lekë, që i shpenzuan prindërit e Enertilës me shtëpinë e tyre të varfër.
Mesa duket, ky qe i vetmi person real, që solli të ardhura reale nga FB, ku vajza rrinte gjithë ditën. Të tjerat qenë shpikje e imagjinatës së vetë asaj.
Unë, për aq sa kuptoj nga historia e kësaj vajze të re, të varfër, me imagjinatë të shfrenuar, jam me të. Jam me Enertilën. Ajo nuk donte të gënjente njeri. Donte vetëm shoqëri në FB.
Faji i vetëm i saj është se nuk i ngjan vajzës së telenovelave. Po të qe aq e bukur dhe gjoksjashtë, nuk do ishte në burg tani, por drejtori i Postës do e kishte marrë në shtëpi.
Ndaj unë jam me Enertilën. Lirojeni se nuk ka bërë asnjë faj. Ajo veçse i tregoi përralla dikujt, që donte të dëgjonte./R.Xh-dritare.net