Europa e lënë mënjanë

Nga Ana Palacio*

Rendi liberal ndërkombëtar, që ka ndihmuar në stabilizimin e botës, që prej fundit të Luftës së Ftohtë, është sot i tendosur. Një Rusi revanshiste, kaosi në Lindjen e Mesme dhe tensionet që ziejnë në Detin e Kinës së Jugut, janë të gjitha simptoma të një sistemi që po fillon të tensionohet. Nxitësit e destabilitetit janë të shumtë. Ata përfshijnë një zhvendosja të fuqisë ekonomike, nga Perëndimi në Lindje, dobësimin e institucioneve zyrtare, dhe pakënaqësinë e përhapur gjerësisht në demokracitë perëndimore. Por, mbi të gjitha, janë dy elementet kryesore që kanë shkaktuar gërryerjen e rendit ndërkombëtar: Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga udhëheqja globale dhe kriza e tejzgjatur e Europës. Kohët e fundit, ka patur shenja se SHBA po fillon “të rishfaqet”. Pas gjashtë vitesh “udhëheqje nga mbrapa” dhe heqje vijash të kuqe të pakuptimta, Presidenti Obama ka filluar të kërkojë marrëveshje të reja, fleksibël – diplomatike dhe ushtarake – për t’iu përgjigjur rreziqeve globale. Në vitin 2015, administrata Obama ishte elementi jetik në arritjen e Marrëveshjes së klimës të Parisit, si dhe një marrëveshje për të frenuar programin bërthamor të Iranit. Dhe javën që kaloi, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Ashton Carter, zbuloi një buxhet ushtarak për vitin 2017, që sinjalizon plane për një pozicion global të fuqishëm. Kërkesa përfshinte financime për operacione detare në Azi, një rishtim të arsenalit ushtarak që është shpenzuar në luftën kundër Shtetit Islamik, si dhe një angazhim për inovacionin teknologjik. Megjithatë, pika më e rëndësishme e propozimit buxhetor, ishte katërfishimi i shpenzimeve të SHBA në Europë, “për të mbështetur aleatët tanë të NATO-s përballë agresionit rus”. Shumëkush në Europë mund ta shohë propozimin e Carterit, si shkak për t’u lehtësuar. Pas shumë vitesh, ankesa për zhvendosjen e famshme të politikave të Obamës drejt Azisë, edhe pse Rusia po shkaktonte telashe në Ukrainë, Europa është kthyer të jetë në fokusin strategjik të SHBA. Por mesazhi më i thellë është shumë më pak inkurajues. SHBA po vepron, sepse aleatët e vetë europianë nuk kanë vepruar. Kjo divergjencë është shqetësuese. Angazhimi amerikan është i domosdoshëm për të siguruar shpejtësinë, por është pesha e Europës që ka shërbyer si masë kritike e nevojshme për të vënë në lëvizje drejt një drejtimi pozitiv, rendin liberal të botës. Nga pikëvështrimi i Bashkimit Europian, propozimi më i fundit financiar i SHBA sa i përket sigurisë, ngre mundësinë që, pas më shumë se dy dekadash rëndësie në rritje, Europa do ta humbasë superfuqinë e përcaktimit të agjendës botërore. Në vitin 2011, pas operacionit të NATO-s në Libi, i cili zbuloi plotësisht limitet e kapacitetit ushtarak të Europës, sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Robert Gates, vizitoi Brukselin. Mesazhi i tij ishte i qartë: “Nëse tendencat aktuale të rënies së aftësive mbrojtëse të Europës nuk ndalen, udhëheqësit e ardhshëm politikë të SHBA – ata për të cilët Lufta e Ftohtë nuk ishte përvojë formuese, ashtu si ka qenë për mua – mund të mos mendojnë që do t’ia vlejë shpenzimin, rikthimi i investimeve të Amerikës në NATO”. Që atëherë, Rusia ka aneksuar Krimenë dhe ka destabilizuar Ukrainën Lindore. Mungesa e stabilitetit në Lindjen e Mesme, ka shkaktuar një krizë migracioni në shkallë të gjerë. Terrorizmi është rishfaqur si një rrezik serioz. E megjithatë, pavarësisht gjithë fjalëve për bashkërendim dhe forcim të aftësive ushtarake të Europës, shumë pak gjëra domethënëse janë arritur. Ndryshimi i llogarive të Amerikës, nuk është rezultat i faktit që Europa ka mbledhur veten; ai reflekton pranimin se rreziku që paraqet Rusia, nuk mund të lihet i pakontrolluar. Kjo gjë u vu në dukje në një raport të fundit të Rand Corporation, i cili tregonte se sa të prekshëm janë aleatët e NATO-s në Baltik – Estonia, Letonia dhe Lituania – në rast të një sulmi prej Rusisë. Teksa rënia e çmimeve të naftës, e vendos Kremlinin nën një presion gjithnjë e më të madh, rritet risku që presidenti rus, Vladimir Putin, të mund të ndezë flakët e nacionalizmit duke u turrur edhe një herë. Në sipërfaqe, vendimi i Amerikës për t’iu vënë përballë Rusisë, të kujton disa raste të mëparshme, kur Europa ishte jo në gjendje që t’u përgjigjej sfidave të fqinjësisë së saj – si për shembull në Bosnjë, në vitin 1990. Por situata aktuale është edhe më e rrezikshme; ajo të kujton Luftën e Ftohtë, kur Europa ishte një temë, dhe jo një faktor në gjeopolitikë. Kontinenti rrezikon edhe një herë që të shndërrohet në lojën e shahut, mbi të cilën SHBA dhe Kremlini luajnë për të fituar avantazh. Në vitin 2001, SHBA zinte një të pestën e prodhimit ekonomik botëror. Sot zë më pak se një të gjashtën e totalit global. Sado i përkushtuar të jetë lidershipi amerikan, e vetme SHBA nuk mund të garantojë më rendin ndërkombëtar liberal. Ajo ka nevojë për aleatë në këtë përpjekje, dhe BE, që është ende ekonomia më e madhe e botës, pavarësisht disa viteve stanjacion, do të ishte një kandidat i përsosur – nëse e mbledh veten. Gjatë shekullit të njëzetë, Europa ishte partneri i parë i Amerikës. Tani, kur nevojitet sërish, BE po rrëshqet në skaje. Nëse udhëheqësit e saj nuk ndryshojnë kursin, zhbërja e dhimbshme e rendit liberal do të vazhdojë./The Time

LEXO DHE :  Shpresa vjen nga ata që mallkojnë Reformën

*ish-ministre e Jashtme e Spanjës

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.