Është Rudina Jasini. Do e njohësh në këtë shkrim dhe nuk do e harrosh më!

Nga Dritare.net

“Nuk mjafton të jesh vetëm një histori suksesi, mbi të gjitha duhet të jesh i vlefshëm për të sjellë impakt pozitiv në shoqëri”.

Teksa perifrazoja këtë shprehje, e kuptoja vërtet domethënien e saj, sidomos kur thuhet nga Rudina Jasini, një prej avokateve shqiptare më të njohura sot në botë. Ajo është avokate dhe studiuese e së Drejtës Ndërkombëtare Penale pranë Universitetit të Oksfordit.

Dina siç e quajnë familjarët, e nisi duke kërkuar shpjegimin e çdo gjëje. “Nuk e pranoja jo-në, pa më thënë arsyen pse”, thotë ajo. Një shpirt i destinuar për të qenë kërkues dhe fitues betejash.

Nuk ka qenë e lehtë për të, që sot të jetë një emër referent për shumë çështje penale të së drejtës ndërkombëtare. E sigurisht që nuk ka qenë e vetme. Pas saj kanë qenë prindërit, të cilëve iu njeh një meritë të jashtëzakonshme, për njeriun dhe profesionisten që është sot. Ata e rritën me etjen për dijen dhe e ndihmuan t’iu jepte krah ëndrrave të saj.

“Ata nuk më bënë asnjëherë të mendoja se dritarja nga e cila shihja botën përtej Shqipërisë ishte e ngushtë apo që bota ishte aq e madhe dhe e pakapshme. Përkundrazi, më ushqyen imagjinatën, kuriozitetin dhe kurajon për të arritur aty ku potenciali im mund të më çonte. Mendoj se prindërit shqiptarë në përgjithësi janë per t‘u admiruar për mbështetjen dhe sakrificat që bëjnë për edukimin e fëmijëve e tyre, dhe kjo është vërtet diçka e rrallë”, thotë ajo.

Rudina Jasini punon si studiuese pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Oksfordit dhe aktualisht drejton një projekt të këtij universiteti. Rrugëtimi i saj është i gjatë, plot emocion dhe të bukura, ashtu si shpirti që mbart.

Në këtë intervistë për Dritare.net, do të lexoni rrëfimin e vajzës që me pasion, dashuri dhe përpjekje preku një ëndërr të madhe. Një vajzë jo e zakonshme, që sot frymëzon shumë të rinj me historinë e saj. Një vajzë me botë të madhe, ku gërshetohen bukuria, arti, bamirësia, dëshira për të njohur më tej, një shpirt i lirë dhe ëndërrimtar.

Dritare.net: Nëse nuk do ta dija se jeni shqiptare, nisur nga tiparet tuaja, nuk do ju merrja për  të tillë.

E kam dëgjuar shpeshherë këtë koment të më bëhet. Por besoj se më shumë se tiparet kjo ka të bëjë me shprehitë e fituara në kulturat e vendeve të ndryshme ku kam jetuar. Unë kam lindur dhe jetuar në Shqipëri dhe mendoj se tek unë janë ende të ruajtura elemente të kulturës sonë, ose më mirë do të më pëlqente të ishte kështu.

Dritare.net: Si ia keni dalë që të jeni në mesin e shqiptarëve, që kanë arritur kaq shumë në fushën akademike dhe profesionale në botë?

Udhëtimi im akademik dhe profesional është rezultat i një gërshetimi faktorësh që përfshin dëshirën, ambicien, përkushtimin për të arritur atë që synoja, si dhe aftësisë apo ndonjëherë edhe thjesht kurajos për të kuptuar që kur një mundësi më ofrohej, ajo ishte thirrja ime. Por besoj se deri diku edhe rastësia, apo ndryshe të gjendurit në vendin e duhur në kohën e duhur mund të ketë luajtur një rol.

Unë jam larguar nga Shqipëria me bursën e Fulbright për të kryer studimet për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Georgetown në Washington DC. Fulbright padiskutim që më hapi dyert dhe më krijoi një platformë për mundësi të reja, për një mënyrë tjetër të menduarit dhe analizuarit, si dhe për ndërtimin e një rrjeti të pasur profesional dhe personal. Me përfundimin e studimeve në Georgetown, unë i jam bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë (Tribunali i Hagës), fillimisht si intern dhe më pas si juriste në grupin mbrojtës në çështjen Haradinaj.

Në përfundim të procesit të parë penal të kësaj çështjeje në Hagë,unë jam zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar ku kam vazhduar studimet fillimisht për një  master për Drejtësi Penale dhe Kriminologji, dhe më pas doktoraturën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale pranë Universitetit të Oksfordit. Gjatë doktoraturës, kam zhvilluar punë kërkimore mbi pjesëmarrjen e viktimave të luftës dhe genocidit si palë civile në proceset penale ndërkombëtare, kryesisht në Kamboxhia.  Gjatë studimeve të doktoraturës, më është ofruar mundësia të studioj në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Harvard, si dhe të prezantoj punën time kërkimore në shumë universitete, konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare. Doktoratura padiskutim ka qenë një nga rrugëtimet më të vështira por edhe më të bukura për mua pasi aty kam arritur të kuptoj vërtet kapacitetin dhe limitet e mia si studiuese.

Dritare.net: Të studioni drejtësi, ka qenë ëndrra juaj e fëmijërisë. Ka në familjen tuaj juristë dhe kush ka qenë burimi i frymëzimit?

Kam qenë një fëmijë shumë argumentativ, gjë që vazhdon të më shoqëroj edhe sot. Nuk e pranoja përgjigjen ‘jo’ pa më shpjeguar se përse ishte ‘jo’ deri sa ndonjëherë bëhesha edhe e lodhshme. Në familjen time unë jam juristja e parë. Nuk mund të them se ka pasur ndonjë individ apo eveniment që zgjoi tek unë dëshirën për t‘u bërë juriste. Mendoj se ka qenë një dëshirë e brendshme që ka ardhur natyrshëm.

Gjithsesi, dëshira ime për të kryer punë studimore mbi çështje që lidhen me viktimat e krimeve kundër njerëzimit dhe masakrave si ato të genocidit në Kamboxhia duhet ta ketë zanafillën te historitë e dhimbshme të familjes dhe të komunitet çam të cilit unë i përkas. Duke u rritur me historitë e gjyshërve dhe të afërmve të tjerë që kishin dëshmuar krime ndaj familjeve të tyre dhe kishin përjetuar një traumë kolektive gjatë dëbimit të tyre nga Çamëria, mendoj se te unë duhet të jetë zgjuar një dëshirë e madhe për drejtësi, empati për viktima të krimeve të ngjashme në botë, dhe një dëshirë për të bërë një ndryshim sado të vogël në aspektin ligjor të trajtimit të viktimave dhe të të drejtave të tyre.

Dritare.net: Ju keni qenë e vetmja shqiptare në grupin e avokatëve që mbrojtën çështjen e Haradinajt në Hagë, në vitin 2014. Ishte e veshtirë, apo fakti që flitej për një shqiptar shtonte dyfish përgjegjësinë tuaj?

Gjatë kohës kur punoja si intern për Gjykatën e Apelit në Hagë, një nga avokatët që punonte për prokurorinë me inkurajoi të aplikoja për këtë pozicion, dhe pas katër intervistave që mu bënë, jam përzgjedhur ndërmjet kandidatëve të tjerë, për t’iu bashkuar si avokate grupit mbrojtës në çështjen Haradinaj. Në fakt në Tribunalin e Hagës ka punuar edhe një kolegu im tjetër shqiptar, Gentian Zyberi, me grupin e mbrojtjes në çështjen Limaj, procesi i të cilit është zhvilluar përpara çështjes Haradinaj.

Eksperienca e punës në Tribunalin e Hagës ka qenë një shkollë më vete dhe një përvoje pune e jashtëzakonshme. Çdo proces penal në gjykatat ndërkombëtare kërkon një angazhim maksimal profesional dhe personal dhe një përkushtim pune me orë të zgjatura. Përgjegjësia është e madhe për çdo avokat, por mund të them se fakti që vija nga Shqipëria, më dha avantazhin e të njohurit të kontekstit historik, social dhe ligjor, e cila mendoj se ka qenë një plus.

Dritare.net: Jeni në dijeni të situatës politike në Shqipëri dhe Kosovë? Në Shqipëri jemi në përpjekje për të realizuar Reformën në Drejtësi. Besoni se do të ketë ndonjëherë drejtësi?

I kam ndjekur me interes zhvillimet lidhur me Reformën në Drejtësi në Shqipëri si dhe zhvillimet e fundit lidhur me gjykatën speciale për krimet në Kosovë, e cila është edhe më pranë ekspertizës sime. Edhe pse në parim mendoj se është e lehtë të shprehësh një mendim kritik nga një pozicion oportun si ky imi, mendoj se kritikat që kam për mënyrën se si aplikohet drejtësia në Shqipëri dhe Kosovë vërtet qëndrojnë. Mbi të gjitha, për sa kohë që korrupsioni do të jetë i pranishëm në sistemin e drejtësisë, duhet kuptuar që asnjë aspekt tjetër i shoqërisë nuk mund të përparojë, dhe nuk ka se si të përparojë. Sistemi i së drejtës (Rule of Law) është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike, ku kërkimi dhe mbrojtja e të drejtës është element bazë.

Statistikat ndërkombëtare lidhur me transparencën e gjyqësorit në Shqipëri flasin haptazi për një mungesë të konsiderueshme të këtij elementi. Kjo nga ana e saj krijon një efekt negativ tek mentaliteti dhe perceptimi i së drejtës pasi një i ri apo e re që aspiron të bëhet jurist(e) apo avokat(e) në Shqipëri nuk motivohet nga pasioni i të fituarit të çështjes me forcën e argumentit, kur shikon një model të shtrembët të të bërit drejtësi.

Dritare.net: Çfarë shihni si problematike në vendin tonë dhe çfarë do të donit që të ndryshonte?

Ajo që mund të përcaktoj si problematike nga pikëpamja juridike-ligjore është mungesa e të bërit konstitucionalizëm, të interpretimit të ligjeve nën dritën e kushtetutës, gjë që në Shqipëri sjell here pas here edhe një ngërç ligjor.

Dritare.net: Ju vini shpesh në Shqipëri. Do të donit të kontribuonit për këtë vend, pse jo të ktheheni e të merrni një përgjegjësi publike ?

Unë vij të paktën dy-tre herë në vit në Shqipëri, pasi prindërit e mi jetojnë aty. Mundohem të jap kontributin tim për Shqipërinë dhe Kosovën edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke qenë prezente aty. Gjithsesi, nuk e kam menduar veten ndonjëherë në ndonjë pozicion publik, edhe pse besoj se Shqipëria do të përfitonte nga ekspertiza dhe eksperienca ime ndërkombëtare në fushën e drejtësisë. Padiskutim nëse mundësia dhe hapësira e duhur do te krijoheshin për të sjellë një kontribut të drejtpërdrejte, me entuziazëm do ta konsideroja si një opsion.

Dritare.net: Çfarë mendojnë britanikët për shqiptarët? A keni qenë ju e paragjykuar për origjinën, apo kjo s’ka ndikuar aspak?

Personalisht nuk jam ndjerë asnjëherë e paragjykuar qoftë në Britani, SHBA, Holandë, Kamboxhia apo kudo tjetër ku kam jetuar. Besoj se kjo pak a shumë ka të bëjë me ambientet akademike dhe profesionale, pjesë e të cilave kam qenë, të cilat janë heterogjene dhe multikulturore në përbërjen e tyre. Pavarësisht një perceptimi që mund të jetë krijuar për shqiptarët, sidomos në kronikën e zezë, në eksperiencën time jo vetëm në Angli, por edhe në vende të tjera kam pasur kënaqësi të takoj dhe të mësoj për shumë shqiptarë që janë vërtet histori suksesi dhe modele për të admiruar në fushën e shkencës, artit, kulturës apo më gjerë.

Dritare.net: Çfarë do t’iu sugjeronit shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, çfarë duhet të bëjnë për të qenë të suksesshëm?

Mendoj se gjithsecili prej nesh e ka një thirrje të brendshme dhe mënyra më e mirë për të arritur sukses është të zbulosh atë për të cilën ti ke vërtet pasion, të punosh fort për të arritur potencialin tënd dhe më pas të kërkosh mënyrat për t’i ofruar të tjerëve atë që ti arrin si një kontribut në shoqëri. Është e rëndësishme të mos përpiqesh për të qenë vetëm një histori suksesi, por mbi të gjitha për të qenë i vlefshëm dhe për të sjellë një impakt pozitiv në shoqëri. Vërtet do të doja të shihja më të theksuar shpirtin e komunitetit në Shqipëri, i cili për fat të keq vjen duke u zbehur çdo ditë edhe më shumë.

Nëse do të mund të sugjeroja një gjë shqiptarëve, është që të ngrihen mbi materialen dhe individualen dhe të ushqejnë më shumë tek vetja vlerat sociale dhe vullnetit për të ecur përpara së bashku.

Dritare.net: Më pëlqyen shumë fotot tuaja. Një shkrirje mes artit, modës dhe bukurisë. Është një ndër pasionet tuaja fotografia?

Mua me pëlqen e bukura, dhe mendoj se cili prej nesh është multidimensional. Fotografia dhe udhëtimi janë pasionet e mia, dhe si i tillë, aparati fotografik është një nga shoqëruesit e mi më të mirë. Ajo që më pëlqen më shumë tek fotografia është fakti që aparati arrin të kapë një moment të caktuar në kohë që nuk është më aty dhe as që mund të riprodhohet. Në këtë kolazh fotografish, janë kapur dhe bërë të përjetshme për mua, disa momente të mrekullueshme të udhëtimeve të mia në vende të ndryshme të botës.

Dritare.net: Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë apo s’keni shumë kohë të tillë?

Adhuroj muzikën klasike dhe ata që më njohin, mund të më quajnë një ndjekëse “të sëmurë” të operës. Ndjej një kënaqësi të veçantë kur shoh në skenë mikeshën time shumë të mirë, Ermonela Jaho, jo vetëm një nga sopranot më të mira sot në botë, por edhe një njeri me shpirt shumë të bukur.

Më pëlqen tenisi dhe luaj sa herë të kem mundësi. Adhuroj të bërit zhytje për qetësinë mendore që më dhuron dhe bukurinë e pakrahasueshme nënujore, dhe të bërit ski për adrenalinën dhe sensin e lirisë që më ofron.

Dritare.net: Ju keni udhëtuar në disa vende të botës, të tilla si Tajlanda, Siri, Kamboxhia, Itali, Indi, Australi, Tibet. Udhëtoni për qejf apo edhe për punë? Çfarë gjeni në këto vende?

Mbase është ajo që unë e quaj “wanderlust”, dëshirës që nuk njeh kufi për të eksploruar, për të prekur dhe ndjerë nga afër vende, kultura dhe aroma të tjera. Të udhëtuarit për mua është poezi. Më bën të ndihem e lirë dhe më zgjon imagjinatën si asgjë tjetër. Gjithashtu, mendoj se të udhëtuarit e bën njeriun më të thjeshtë dhe sa më afër vetvetes, të zhveshur nga paragjykimet dhe më të ndjeshëm. Është një nga format më të mira të edukimit mbi botën ku jetojmë. Unë udhëtoj si për punë, por edhe për të çliruar veten nga rutina e jetës.

Dritare.net: Edhe sa vende keni piketuar për t’i vizituar?

Besoj se deri vitin që vjen do të kem udhëtuar në 100 vende, e cila ka qenë gjithashtu edhe një ëndërr e fëmijërisë sime.

Dritare.net: Ka një lloj qetësie, mirësie dhe dashurie në portretin tuaj. Gati- gati më dukeni si një princeshë, vajza me flokë të verdhë, me sy të mëdhenj, me fustane princeshe dhe që dashuron artin. Si është Jasini në jetën e përditshme?

Ju jam shumë mirënjohëse për përshkrimin përkëdhelës dhe fjalët e mira. Është e vërtetë që unë e adhuroj artin dhe tërhiqem nga e bukura. Nuk është se jam shumë ndryshe në jetën e përditshme, dhe ata që më njohin nga afër, kanë kuptuar se mënyra ime e të jetuarit i përshtatet shumë vizionit tim për jetën. Mendoj se jam në tërësinë time një shpirt i lirë dhe ëndërrimtar.

Dritare.net: Lexova letrën frymëzuese të një ish studentes suaj. Më frymëzoi edhe mua dhe m’u kujtua sesa të rrallë kanë qenë personat që kam dashur t’ju shkruaj një letër të tillë. Janë të shpeshta letra të tilla dhe si ndiheni kur i merrni? Si i frymëzoni studentët dhe njerëzit në jetën e përditshme?

Është mbase vlerësimi më i bukur i asaj që mund të kem arritur, të jem burim frymëzimi sado i vogël për dikë tjetër. Më ka ndodhur disa herë te kem marrë letra edhe emaile të tilla, jo vetëm nga studentë në Oksford, por edhe nga të rinj në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët mund të kenë mësuar mbi mua ose të kenë dëgjuar ndonjë nga intervistat e mia dhe janë motivuar për të më kontaktuar. Kjo gjë më ka sjellë vërtet kënaqësi. Mundohem sa herë që më jepet rasti, të ndaj mendimet dhe sugjerimet e mia, ashtu sikundër edhe të tjerë kanë qenë një burim frymëzimi për mua. Secili prej nesh ka nevojë për një “mentor”, një udhëheqës.

Mund të them se një nga eksperiencat më domethënëse dhe frymëzuese për mua ka qenë të ftohesha nga një shoqatë e huaj, “Dare to Dreams”, kryetarja e të cilës kishte vendosur të organizonte një takim midis tre vajzave shqiptare, të cilat përfaqësonin histori suksesi në mendimin e saj dhe mbi 100 vajzave të grupmoshës 14-18 vjec, nxënëse në një nga shkollat në periferi të Tiranës. Ka qenë një takim shumë mbresëlënës, pasi aty kam prekur nga afër kaq shumë ëndrra dhe dëshira të të rinjve në Shqipëri, të cilët kërkojnë vetëm t’u jepen hapësira dhe mundësitë e duhura për të arritur potencialin e tyre.

Dritare.net: Ju merreni me bamirësi. Gjeni kohë për të tilla aktivitete dhe pse e bëni diçka të tillë? Sot janë të paktë njerëzit që hedhin sytë për të parë se çfarë bëhet me vendet e varfra.

Unë mendoj se suksesi i vërtetë arrihet atëherë kur ajo që ti bën, jep një kontribut dhe impakt tek fusha apo disiplina ku punon, tek komuniteti që të rrethon dhe mbi të gjitha një impakt pozitiv në shoqëri. Kjo për mua është një busull e orientimit tim si individ, të mënyrës se si e drejtoj jetën dhe se çfarë kërkoj të arrij me të. Unë mbështes një numër iniciativash dhe organizatash të cilat në mendimin tim kryejnë veprimtari për të adresuar një çështje të caktuar. Në një botë kaq të pabalancuar si kjo e jona, mendoj se është detyra e gjithsecilit për të bërë diçka sado të vogël për ata që janë më pak të favorizuar nga fati.

Dritare.net: Cilat janë ambiciet tuaja për të ardhmen?

Për momentin unë po i përkushtohem përgatitjes dhe publikimit të një libri, i cili bazohet në punën time kërkimore për doktoraturën. Nuk mund të them me saktësi se çfarë do të sjellë e ardhmja në fushën profesionale, por mund të ndaj me ju, që e shoh veten në të ardhmen si një profesioniste që jep njëkontribut si në fushën akademike edhe në atë profesionale.

 Dritare.net: Po motoja juaj në jetë?

Janë fjalët e Neale Donald Walsch: “Life begins at the end of your comfort zone”, që në shqip do ta përktheja, “Jeta fillon aty ku përfundon zona juaj e rehatisë”.\Dritare.net

LEXO DHE :  Omer Kaleshi, historia e rrallë e piktorit shqiptaro-turko-francez!


PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.