Nëse ka diçka për të cilën është penduar Edi Rama, janë fjalët që ka thënë kundër kandidatit Donald Trump, humbja e të cilit ngjante bast i sigurtë. E megjithatë, fitoi. Në gjithë këtë histori, Rama është vetëm ilustrim për gabimin që bëri bota në vlerësim. Cezari i ri do të sundojë për 4 vjet në Uashington. Pyetja është: Si?
Nëse shqetësimi i elektoratit amerikan janë qasja që do të ketë presidenti i ri ndaj shëndetsisë, tregëtsë së lirë, dhe emigracionit ilegal, ajo që turbullon perëndimin dhe Shqipërinë lidhet me politikën e jashtme. Ai nuk është pjesë e asnjë establishmenti tradicional ndaj është e vështirë të bësh një profil politik. Ajo që mund të thuhet deri tani është koncepti i tij për shtetin si korporatë biznesi. Praktikë e pa rekomandueshme. Silvio Berluskoni ishte dështimi më i fundit i këtij eksperimenti.
Por Tramp ka shkuar më tej, duke e bërë qeverinë të ngjajë me bord korporate.
Reks Tillerson, shefi i ri i diplomacisë amerikane, ish CEO i gjigandit të naftës Ekson Mobil është rasti më llamburitës, dhe jo i vetmi. Mik i Putinit, negociator i marrëveshjes me kompaninë shtetërore ruse Rosneft, mbajtës i medaljes së miqësisë, më e larta që i jepet nga Rusia një qytetari të huaj, nuk ishte personi që shumë amerikanë mendonin në krye të diplomacisë amerikane. Senatori Xhon Mekein, shprehet se: “Nuk kuptoj si mund të jesh sekretar shteti dhe mik me një ish agjent të KGB”. Por Tramp siguron se Tillerson është njeriu i duhur që ashtu siç shprehet vetë Tillerson, po-në e ka po.
Por ajo që ngjall shqetësim për Evropën përveç afrimitetit që shfaq ndaj Putin, është qasja që presidenti i ri amerikan ka ndaj NATO-s. “E vjetëruar”-ishte shprehja e tij. Dhe ajo që trazoi më shumë partnerët është vënia në diskutim i aplikimit të artikullit 5. Eshtë neni i ndihmës reciproke nëse një anëtar i organizatës sulmohet. Ata që tremben më shumë janë vendet Balltike. Letonia, Lituania, Estonia, deri vonë pjesë e perandorisë sovjetike, dhe Polonia, viktima e preferuar e Rusisë, janë më të shqetësuar nga kjo tërheqje e Tramp nga teatri evropian. Afria e shfaqur e tij për Rusinë i shqetëson akoma më tepër. Dhe këtu bën pjesë edhe Gjermania. Konkurentja e përjetëshme e Rusisë për sundim në Evropë ngjante sikur i hyri me çizme plumbi rrugës së sanksioneve që vendosi Obama.
Pas Brexit, ngjan se ëndra e saj shekullore u plotësua, Merkel ka në dorë komanden e Evropës. Por ajo e di që është shumë vulnerabël ndaj Putinit i cili nuk lodhet së sabotuari prapavijat e saj. Dhe Merkelit i duhet fuqia amerikane që të ruajë kohezionin e Bashkimit Evropian dhe përballojë diversionet ruse. Mbështetje që mësa duket nuk do ta ketë më. Të paktën jo si deri sot.
Ballkani ngjan tërësisht periferik për vështrimin e Tramp. Shqiptarëve, nuk ju mbetet veçse të shpresojnë se politikat afatgjata të Shteteve të Bashkuara janë më të qëndrueshme se premtimet elektorale të presidentit të ri. Ndërsa Kosova, shteti i cili lindi me bekimin amerikan është në pritje. Vetë Tramp nuk duket i vetëdijshëm se miqësia me Rusinë nuk është çështje vullnetesh të mira dhe dëshirë për biznes. Nëse Tramp e shikon miqësinë me trashëgimtaren e sovjetëve dhe mbartësen e imperializmit sllav thjesht si marrëdhënie biznesi të mbështetur në fitimin reciprok, atëhere ky është nëna e gabimeve që ai po bën.
Nuk mund të aplikosh ligjet e tregut në dy kontinente si Azia dhe Evropa me 4 mijë vjet histori armiqësish, luftërash për supremaci, përpjekje për kontroll territoresh dhe aleanca historike. Kjo qasje, përveç shkatërrimit të një rrjeti interesash që Shtetet e Bashkuara kanë punuar prej gati një shekulli ta thurin, do të sillte edhe humbje të pozicionit politik dhe ekonomik.
Në kohët e sotme, media, interneti, stili i komunkimit mund të bëjnë të fitosh votat popullore. Por kjo nuk i ndërron rregullat e politikës dhe rrjetin e interesave që kanë mijëra vjet të sanksionuara. Sa më shpejt që ta kuptojë Donald Tramp, aq më mirë do jetë./dritare.net