Ekskluzive/ Kim Mehmeti: Maqedonia, "Kazablanka" e Ballkanit
Dritare.net
Kim Mehmeti, i cili për dritare.net pohon se ky vend i ngjanë shtetit të përkohshëm, por me pasoja afatgjate për shqiptarinë.
Sa i përket organizmit politik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe veçanërisht të bashkëveprimit mes partive opozitare shqiptare, Kim Mehmeti pohon se Këshilli Opozitar, nuk është përjashtues ndaj asnjë individi apo subjekti politik, por nuk është as gjithëpërfshirës për karrieristët, injorantët dhe hajdutët partiak.
Kim Mehmeti rithekson edhe njëherë se vetveten nuk e sheh si politikan aktiv, por thjeshtë si njeri publik, i cili donë ta jep ndihmën e vet modeste në etablimin e një gjenerate të re të pakompromituar politike shqiptare, e cila nuk do ndjehet inferiore ndaj palës maqedonase dhe e cila nuk do ketë shenjë njohëse injorancën dhe krimi, siç ndodh sot me drejtuesit e BDI-së.
Zoti Mehmeti, si do e përshkruanit situatën e sotme politike në Maqedoni dhe atë që e karakterizon shoqërinë shqiptare në këtë vend?
Kim Mehmeti: Thënë shkurt dhe duke përdorur gjuhën time të natyrshme – atë të shkrimtarit –
Maqedonia ishte dhe mbeti barku i butë dhe “Kazablanka” e Ballkanit. Duke qenë ajo e tillë, askund si në këtë vend nuk pasqyrohet realiteti ballkanik, duke u nisur që nga përmbajta e tij etnike e religjioze,
e deri te përplasja e mosdurimeve grupore. Në Maqedoni s’ka si mos e ndjesh edhe shtrëngatën e shkaktuar nga përplasja e interesave të fuqive të mëdha,
ku dominojnë ato të shteteve perëndimore dhe të Rusisë. Në këtë “bixhoz” politik, që luhet në këto troje, shqiptarët e Maqedonisë nuk janë as lojtarë dhe madje as vëzhgues të lojës, por pastrues të sallës ku zhvillohet loja. Dhe janë në atë pozitë ngaqë përfaqësuesit politik të shqiptarëve të këtushëm, e pranuan rolin e vasalit ndaj sunduesit maqedonas, me çka u bënë mbulesa më e mirë për politikën proruse të VMRO-DPMNE-së. Me çka pra edhe e flijuan të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm dhe mundësuan që të përmbushet plani antishqiptarë për deshqiptarizimin e Shkupit dhe kriminalizimin e shoqërisë së këtushme shqiptare.
Si mund të dilet nga kjo situatë dhe cili do duhej të ishte roli i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare lidhur me faktorizimin e shqiptarëve të Maqedonisë?
Kim Mehmeti: Përderisa Tirana zyrtare është një teatër absurd, ku nuk kanë të ndalur ofendimet mes përfaqësuesve të pozitës dhe të opozitës, përderisa politika e qeveritarëve shqiptarë zhvillohet në rrafshin e spektaklit televiziv, ku nuk e ke të qartë vallë kabineti kryeministror ndodhet nëpër studiot televizive, apo në godinën e kryeministrisë, atëherë është e qartë se Shkupi zyrtarë, i papenguar mund t’i manipulojë injorantët e BDI-së dhe t’i realizojë projektet e veta, si për shembull, deshqiptarizimin e Shkupit. Dhe përderisa Kosova është shtet të cilin e drejtojnë ata që besojnë se populli e shteti janë në shërbim të tyre,
e jo ata shërbëtorë të popullit dhe shtetit,
është joreale të presësh se pala maqedonase nuk do manipulojë me kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe në gjithë këtë lojë absurde të quajtur “Shqiptarët grinden, e të tjerët ndërtojnë”, i vetmi fitues është regjimi VMRO-BDI, ku jo se pushtetarët e këtushëm shqiptarë nuk ndërtojnë përmendore,
por për dallim nga punëdhënësi i tyre, i cili ato i ndërton me paratë e shtetit dhe nëpër sheshet e qyteteve, vasalët shqiptarë të BDI-së, ngrenë përmendore me paratë e shqiptarëve dhe vetëm nëpër fshatra, me çka nuk ia dalin ta arrijnë qëllimin e dëshiruar – që duke u marr me të kaluarën tonë të lavdishme, të mbulojnë hajdutërinë e tyre të sotme.
Zoti Mehmeti, ju jeni një ndër fytyrat më emblematike të Këshillit Opozitar, që gjithnjë e më shumë faktorizohet dhe llogaritet si forcë reale që mund t’i prish ekuilibrat në zgjedhjet e ardhme parlamentare? Do të thotë kjo se përfundimisht do ju shohim në rolin e politikanit aktiv?
Kim Mehmeti: Anëtarësimi im në Këshillin Opozitar, ka të bëjë vetëm
me dëshirën time që të jap ndihmesën modeste në faktorizimin e forcave opozitare dhe në kultivimin e mendësisë se veprimtaria politike nuk fillon e nuk përfundon në selitë e partive politike, por shkon më tej – drejt faktorizimit të strukturave opozitare, që do jenë korrigjuese të politikës ditore. Andaj edhe këtë Këshill e përbëjnë individ, organizata joqeveritare dhe parti politike, pra gjithë ata që e përkrahin platformën tonë dhe që u nënshtrohen rregullave tona.
Mes shqiptarëve të Maqedonisë ka kohë që debatohet rreth mundësisë së bashkëveprimit mes partive të reja opozitare shqiptare! Emri juaj shpesh është përendur në këtë kontekst, ku nuk kanë munguar as pohimet se Ju e pengoni këtë bashkëpunimi! Cila është e vërteta!
Kim Mehmeti: Njeriu duhet të jetë shumë destruktivë që ta pengojë bashkëpunimin edhe mes dy vetave, e le më mes partive politike. E kam thënë publikisht se deri sa jam pjesë e këtij Këshilli, do bëjë çmos që ai të mos bëhet lavatriçe , ku partiakë e politikan të ndryshëm, do e shpërlajnë të kaluarën e tyre politike. Pastaj e kamë thënë publikisht, e jo nëpër kafene dhe “oda burrash”, se do bëjë atë që më lejohet,
që Këshilli Opozitar të mos jetë përjashtues për askënd, por jo edhe gjithëpërfshirës për kriminelë, injorantë dhe karrieristë politik. Shkurt, as e kam fshehur dhe as e kam ndërmend ta fsheh bindjen time se jo cilido bashkëveprim mes partive politike, është i dobishëm për popullin dhe se nuk duhet të na bashkojnë fatet dhe karrierat tona politike, por idealet kolektive. Andaj edhe nuk e kam pranuar logjikën se duhet të bashkohemi rreth listave të deputetëve dhe ministrave të ardhshëm, por rreth platformës së qartë politike. Ne e lodhëm këtë popull duke ia thënë atë që ai dëshiron ta dëgjojë, e pastaj duke bërë atë që neve na i mbush xhepat. Ka ardhur koha që ta bëjmë të kundërtën: të japim diçka tonën, që ta bëjmë më të begatë të përbashkëtën!
Si i komentoni përçarjet e fundit që ndodhën në Rilindje Demokratike Kombëtare ku, siç thuhet, u përballën krahu që dëshironte të bashkëpunojë me ju dhe ai që e kundërshtonte këtë bashkëpunim?
Kim Mehmeti: Lidhur me atë që ndodh në partitë tjera opozitare, di vetëm aq sa edhe gjithë të tjerët që informohen nëpërmjet mediave. Edhe lidhur me përçarjet brenda radhëve të RDK-së, di vetëm aq sa kam lexuar nëpër media. Po, i kam dëgjuar edhe deklaratat e përfaqësuesve të kësaj partie, ku nuk mungojnë as ato që thonë se janë në konflikt krahu që dëshiron zgjerimin e frontit opozitarë, me një grup të vogël të kësaj partie, që beson se e ashtuquajtura Aleanca për Shqiptarët , është e vetëmjaftueshme për t’i realizuar aspiratat e shqiptarëve të Maqedonisë. Por, sido që të jetë, as jam marr, as dua të merrem me grindjet që ndodhin në shtëpi të huaj, ngaqë e di se nuk mund të forcohesh, duke iu gëzuar dobësimit të më të dobëtëve. Kam mirëkuptim edhe ndaj atyre që nuk duan të bashkëpunojnë me ne, por edhe më tej do e them se nuk jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me “forcat progresive” të BDI-së e PDSH-së, të cilat nuk reaguan as kur na ndodhën “Brodeci”, “Sopoti”, “Monstra”, likuidimi i Harun Aliut, deshqiptarizimi i Shkupit, nata e Tradhtisë së madhe në Kumanovë..., pra edhe më tej do u qëndrojë larg atyre që janë aq “progresiv”, sa është i gjatë
litari i interesi të tyre personal. Nuk e them nëpër kafene, por e kam thënë publikisht, se nuk dua të bashkëveproj me ata që i ka kapur BDI-ja dhe të cilëve tani ua ka përcaktuar rolin e partisë opozitare, e që pastaj, disa javë para zgjedhjeve, të na braktisin, duke u arsyetuar se përnjëherë e kanë zbuluar "rolin destruktiv
të Këshillit Opozitar".
Kurrë nuk e kam ndërtuar të mirën time duke i manipuluar të tjerët, por përkundrazi, duke rrezikuar vetveten. Andaj nuk u besoj përrallave për bashkëpunim me gjithë “forcat progresive” shqiptare, përfshi edhe ato nga radhët e BDI-së dhe PDSH-së, ngaqë ato i përralla i kam dëgjuar vite me radhë dhe madje, realizimin e tyre e kam parë në “filmin” me titull “Shqiptarët më së miri i hanë kokën shqiptarit”, në regji të VRMO-së dhe producent i të cilit “film” është BDI-ja.
Do të thotë kjo se nuk është i mundur bashkëveprimi mes partive të reja opozitare?
Kim Mehmeti: Kjo do të thotë forcim i shëndetshëm i boshtit opozitar politik shqiptarë në Maqedoni, bosht opozitarë që nuk do të identifikohet nëpërmjet emrave personal, por nëpërmjet një platforme të qartë, të cilën e ka publikuar Këshilli Opozitar.
Më në fund,
ne të Këshillit Opozitar as që mendojmë se jemi e vetmja “kështjellë” opozitare. E kam thënë dhe do e përsëris: sa për vete jam i gatshëm të bëhem pastrues i zyrës ku opozitarët e këtushëm shqiptarë, do hartojnë plane si ta mposhtin të keqen politike që ka fytyrën e BDI-së dhe PDSH-së.
Dhe në fund një pyetje që ka të bëjë me pohimet se jeni të afërt me Lëvizjen Besa dhe se Këshilli Opozitar ka për qellim forcimin e kësaj partie, të cilën shumëkush e konsideron si tuajën?
Kim Mehmeti: Jo vetëm që e përkrahë , por ngaqë Lëvizja Besa është pjesë e Këshillit Opozitarë, unë e kamë për obligim t’i mbështes të gjithë ata që janë anëtarë të këtij Këshilli. Andaj jo që nuk më komplekësojn thëniet se jam mbështetës i Lëvizjes Besa, por përkundrazi, më japin vullnet të vazhdoj tutje me angazhimin tim në Këshillin Opozitar. Dhe kuptohet, kjo vlen vetëm për a aq sa do jem i bindur se pjesëtarët e Këshillit Opozitar e meritojnë përkrahjen time dhe përderisa ata e vlerësojnë se kanë nevojë për mua./ Dritare.net