Ekskluzive/Ardiani, mes fotografisë dhe kriminalistikës
Dritare.net
Ardiani Fezollarit, fotografit nga Pogradeci, nuk i pëlqen studioja. Për të natyra dhe fotografia janë të pandashme. Si një fotograf i peizazhit nuk ka lënë cep të Shqipërisë pa shkelur. Duke qeshur më tregon se vetëm Gramshi i ka ngelur pa vizituar, por edhe atje ka në plan të shkojë së shpejti.
Ardiani i mëshon mendimit se një fotograf që nuk lëviz është i destinuar të vdesë. Për të, lëvizja është jeta vetë, pasi të krijon mundësinë të shohësh nga afër njerëz, vende, objekte duke i mishëruar më pas në fotografi, aty ku ngelen përgjithmonë.
Fotografon i vetëm, pa shoqërinë e njeriu tjetër. Natyra e vetmuar, sipas tij, është ideale për të shkrepur aparatin fotografik. Një qytet si Pogradeci, ku qetësia është me bollëk, sidomos gjatë dimrit, i vjen shumë përshtat fotografive të tij.
Fotografi i talentuar rrëfen se fotografitë më të mira i realizon gjatë dimrit, kur i ftohti ndërthur natyrën magjike dhe motin me ngricë. “Është e pakrahasueshme ajo lloj ndjesie që të jep dëbora kur ti e shkel i pari, ndjesi ku përzihet egoja e provincialit, se diçka të përket ty, ashtu siç është edhe dëbora e pashkelur,” tregon Ardiani për dritare.net.
Realizimi i portreteve nuk është pika e tij e fortë. “Kam realizuar disa portrete, por nuk mburrem dot me to. Nuk e gjej veten në atë zhanër”, thotë Ardiani.
Me syrin tij, në Pogradec gjithçka është e bukur. “Qyteti ka qenë dhe mbetet një motiv, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që merren me artet pamore, duke futur këtu edhe fotografinë. Unë që jetoj këtu e di ç’do thotë të ngrihesh dhe të shohësh një diell që lind mbi Malin e Thatë, një dëborë të pashkelur, një vjeshtë të florinjtë, apo një qiell gri…”
Edhe pse prej shumë vitesh i përkushtohet fotografisë, Ardiani ka mbaruar studimet në Akademinë e Policisë dhe aktualisht punon në Drejtorinë e Qarkut Korçë, në sektorin e Krimit të Organizuar. Me aparatin fotografik ka rënë në kontakt pas mbarimit të shkollës.
“Aparatin e parë e kam blerë me rrogën e parë si oficer policie dhe kushtonte 4200 lekë të vjetra. Rroga ime në atë kohë ka qenë 6200 lekë të vjetra. Fillimisht bëja fotografi të shokëve dhe miqve, deri në momentin kur fillova një specializim në kriminalistikë, që zgjati një vit dhe dihet që një nga objektet që përdor eksperti kriminalist është aparati fotografik. Fotot e para kanë qenë shumë të thjeshta dhe pa pretendime: Disa kallama në ujë, tre gurë në liqen, ndonjë refleks Voloreke (Driloni) dhe disa foto në dimër. Ndër të parët që kanë parë fotot e mia dhe më ka inkurajuar është piktori Gjergji Lako. Kështu filloi iniciativa për t’u bërë fotograf.”
Për Ardianin, të kesh një aparat fotografik me parametra shumë të mira, nuk do të thotë detyrimisht të shkrepësh foto të realizuara. Për një profesionist si ai, një fotografi e mirë qëllohet kur ndodhesh në vendin dhe momentin e duhur.
Sipas tij, janë sytë dhe shpirti që tregojnë atë që ti do të evidentosh nëpërmjet objektivit tënd. “Besoj tek një fjalë e vjetër popullore që, ‘Aleati i mirë të nderon’. Kështu dhe puna e aparatit, nëse nuk është në dorë të mirë, le të jetë i sofistikuar sa të dojë, përsëri nuk bën.”
Ardiani është shumë selektues ndaj asaj që fotografon. Tregon se një ditë u nis apostafat për në Vaun e Dejës, rreth 400 km larg Pogradecit, pasi kishte dëgjuar se aty ndodhej një kishë e vjetër, Kisha e Zojës.
“Dëshira me të cilën shkova, i la vendin zhgënjimit. Pasi fola me disa banorë atje, kuptova se ndërtesa ishte prishur prej kohësh. Nuk e kam shkrepur aparatin për asnjë çast. Një tjetër kishë e re ndodhej aty pranë, por nuk më krijoi ndjesinë se duhej ta fotografoja. Bëra 400 kilometra, por sado larg të shkoj, nëse diçka nuk ma mbush syrin, nuk e fotografoj.”
Edhe pse u bënë vite që nuk ka ekspozuar punimet e tija, Ardiani ka qenë pjesë e shumë aktiviteteve lidhur me fotografinë, duke u ekspozuar në grup, me fotografë të tjerë. Ekspozitën e parë e ka hapur në vitin 1996. Që prej vitit 2003 është pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet e organizuara në vend, lidhur me fotografinë artistike. Fotografitë e tij janë vendosur në kalendarë të ndryshëm që promovojnë trashëgiminë kulturore të Pogradecit, duke paraqitur kostume tradicionale të krahinës, apo kisha bizantine të zonës dhe më gjerë./ dritare.net