Ekskluzive /Videoja poshtëruese, flet sociologu Gëzim Tusha
Dritare.net
Çështja është denoncuar dhe agresorët tashmë janë identifikuar por kjo ngjarje nuk duhet anashkaluar pasi është sinjal i një dukurie që mbart rrezik dhe ka ndikim tek adoleshentët.
Në vendin tonë për shkak edhe të kulturës tradicionale ky fenomen nuk njihet për rrezikshmërinë që paraqet dhe shpesh ngatërrohet me konfliktet e zakonshme moshore që ndodhin në shoqëri. Tek të rinjtë shqiptarë është e vështirë që ta dallojmë kur janë pjesë e tij sepse kemi përballje me shumë dukuri njëheresh të cilat mentaliteti i shoqërisë tonë e ka të vështirë ti pranojë.
Një studim i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik dy vjet më parë në shkollat e Tiranës tregon se 25 % e nxënësve kanë qenë të nëpërkëmbur nga shokët e tyre. Megjithatë ky numër duket të jetë në rritje si pasojë edhe e përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale, që nxit parimin e imitimit tek fëmijët.
Sipas sociologut Gëzim Tushe, fenomeni i njohur gjerësisht në perëndim si bulizëm prek kryesisht të rinjtë adoleshentë të moshave 9-19 vjec dhe ka të bëjë me ngacmimin e manifestuar fizik ose psikologjik ndaj dikujt që konsiderohet si “i ndryshëm”. Në këtë rast ata mund të jenë shkaktarët ose viktimat e një diskriminimi, paragjykimi ose ngacmimi fizik.
Ai thotë se e vetmja mënyrë për të njohur dhe parandaluar sjellje të tilla është bashkëpunimi midis prindërve dhe mësuesve të cilët duhet të tregohen vigjilentë për të kuptuar nëse fëmija është viktimë e një rasti bulist.
Nuk duhen anashkaluar sinjale te tilla kur fëmija mund të humbasë papritur dëshirën për të mësuar; kur mund të kthehet në shtëpi me shenja fizike; i shqetësuar; kur ka probleme me gjumin; kur nuk ka dëshirë të shkojë në shkollë etj.
Mungesa e perceptimit nga ana e prindërve sipas sociologut sjell pasoja të rënda për fëmijët e prekur në formimin ose shformimin e personalitetit të tyre, ndikime këto të pariparueshme dhe të rrezikshme sociale. Agresorët e këtyre rasteve nëse nuk trajtohen kanë prirje të shndërrohen në persona të papërmbajtshëm,kriminelë e të rrezikshëm. Nga ana tjetër viktimat mund të humbasin vetëvlerësimin, bëhen asocialë, inaktivë etj, ndodh edhe që të kryejnë vetëvrasje. Në të dyja këto raste ata janë të padobishëm për shoqërinë.
Rrjetet sociale janë një faktor që ndikon tek ky fenomen, sepse adoleshentët janë përdoruesit kryesorë të tyre dhe një fenomen që shperndahet aty amplifikohet në mënyrë masive.
Vendet e zhvilluara janë njohur kohë më parë me bulizmin dhe normalisht kanë mësuar të përdorin teknika të reja për ta njohur dhe përballuar. Shoqata Kombëtare e Psikologëve Shkollorë në Colorado, SHBA, së fundmi ka hartuar disa mënyra se si duhet luftuar bulizmi. Sipas saj në vend që ta pranojë si pjesë të jetës dhe ta trajtojë, shoqëria duhet ta parandalojë këtë dukuri.
“Stop bullying before it starts!”- është përfundimi që ka nxjerrë edhe Universiteti i Washingtonit, sipas të cilit për të parandaluar zhvillimin e bulizmit duhet ndryshuar rrënjësisht edukata nëpër shkolla ku nxënësit duhen trajtuar njëlloj nga mësuesi dhe nuk duhen toleruar në mosrespektimin e shokëve./dritare.net