Ekskluzive/ Na ishte një herë Shkumbini, lumi që u bë përrua
Dritare.net
Lumi Shkumbin është një ndër lumenjtë që sot vuajnë pasojat e ndotjes apo gërryerjes.
Ai ka një gjatësi prej 181 km dhe shtrihet në disa qytete të Shqipërisë siç janë Librazhdi apo Peqini me burim në disa fshatra të Pogradecit.
Dikur lumi Shkumbin shfrytëzohej për peshkim apo edhe vaditje, për tokat e fshatrave përgjatë tij, ndërsa tani njihet si një vend grumbullimi plehrash apo shfrytëzohet nga kantierë ndërtimi për nxjerrje zhavorri.
Vetëm në qytetin e Peqinit në një largësi jo shumë të madhe prej njëri - tjetrit punojnë 3 kantiere ndërtimi të cilët nxjerrin vazhdimisht zhavorr nga shtrati i lumit duke e kthyer lumin tashmë, siç thonë edhe banorët në "një përrua" .
Kjo gërryerje e lumit bën shpesh që gjatë periudhë së vjeshtës apo dimrit, kur reshjet janë më të dendura, të dalë nga shtrati duke përmbytur familjet që jetojnë buzë lumit.
Kryetari i Bashkisë së Peqinit z. Sajmir Hasalla, i pyetur nga dritare.net, nëse kishte ndonjë plan konkret për rregullimin e çështjes së gërryerjes së shtratit të lumit nga këta kantierë, tha:
“Lejet e shfrytëzimit të lumenjve nuk janë kompetencë e Bashkisë, ndaj ne nuk mund te ndërhyjmë dot. Aktualisht lejet e shfrytëzimit në lumenj janë të pezulluara dhe jepen vetëm në rastet kur do të bëhet ndonjë investim nga ana e qeverisë.”- tha z. Hasalla.
Por pavarësisht kësaj deklarate, puna e kantirëve të ndërtimit vazhdon dhe situata e lumit vazhdon të mbetet e njëjtë.
Kantierët sërish vazhdojnë punën e tyre duke nxjerrë zhavorr nga shtrati i lumit.
Nëse dikur shtrati i këtij lumi ka qenë i gjerë dhe i denjë për një lumë, tanimë lumi duket sikur është zvogëluar dhe ka shteruar, duke lënë thjesht gjurmë të asaj që ai ka qenë dikur.
Gërryerja e vazhdueshme e këtij lumi jo vetëm në zonën e Peqinit, por edhe në zona të tjera si Elbasan apo Librazhd ka bërë që lumi i ndihmuar edhe nga reshjet e shumta në sezonin e dimrit apo vjeshtës të dalë nga shtrati e të shkaktojë përmbytje.
Jo më larg se disa muaj më parë, në Janar të këtij viti lumi ka dalë sërish nga shtrati dhe ka përmbytur disa zona në qytetin e Elbasanit, Peqinit disa fshatra te Lushnjës dhe Rrogozhinës.
Këto përmbytje janë bërë si të modës për çdo sezon dimri për disa banorë që për fatin e tyre të keq kanë zgjedhur te jetojnë pranë tij.
Disa nga banorët e qytetit të Peqinit që jetojnë në disa shtëpi të vjetra buzë lumit na tregojnë se kjo situatë ju përsëritet pothuaj çdo dimër.
“Sa herë që vjen dimri dhe fillojnë shirat, fillon ene frika jonë se mos na mushet prap shpija me ujë”- tregon zonja Melka, një banore që ka shtëpinë pranë lumit.
“Këtë vit, maj men që na u mush shpia me ujë sa që ene ajo që kishim bo në banjo na doli sipër.
Na u qelbën shpitë, mirë që na u shkatrru çdo gjo” - tha një tjetër nga banorët që jetojnë pranë Shkumbinit.
Të gjithë ata që takojmë, të tregojnë në dialekt dhe dëshpërim, se Shkumbini mori fund dhe po i merr me vete dhe ata. Ndërsa unë e bëra këtë shkrim, sepse besoj që ka ende mundësi ta shpëtojmë lumin që ishte një herë./dritare.net/
[cycloneslider id="shkumbini"]