Edi Rama nuk është më i keqi

Nga Dritan Hila

Pas kongresit të socialistëve, nuk kanë munguar edhe reagimet  krahut të opozitës, Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Secila prej kritikave të tyre, në thelb kishte mungesën e votimit për kryetar, dhe e paraqistë këtë si mungesën e demokracisë në PS, dhe një hata që i ka ndodhur vendit.
Realisht, krahasuar me standartet evropiane, ishte një skandal. Të qëmtosh një nen statuti nga Gjermania, një nga Franca dhe dy nga Anglia, për të bërë një rregullore partie, është si të bësh një kostum me copa të ndryshme: del një kostum kllouni. Të ishte kaq e thjeshtë puna e ligjeve, çdo shtet, merrte dhe implementonte ato të një tjetri, dhe nuk kishte nevojë për parlament. Po kështu është edhe puna e statutit. Ai ngrihet në bazë të kushteve dhe objektivave që i ka vënë vetes partia. Dhe në një vend obskurantist dhe të prapambetur si yni, një forcë politike dominuese si PS, duhet të ishte lokomotivë në rregulla loje dhe demokraci të brendshme, që të bënte të mundur demokratizimin e gjithë jetës shqiptare. Nuk ndodhi. Edi Rama zgjodhi rrugën e sundimit personal, ndaj institucionalizimit të demokracisë; zgjodhi autokracinë në vend të demokracisë, dhe kjo nuk është gjë e mirë. Do t’i humbasë vite jetë shtetasve të tij, për të arritur të rikthehen aty ku ishin. Pasi duam apo jo, kongresi i PS ishte një regres.
Por kjo nuk e bën Edi Ramën të keqen e këtij vendi. Edhe kritikët e tij të lartpërmendur, nuk shquhen për standarte. Sali Berisha e ka zbartuar statutin kur ka qenë i fortë në PD, dhe e ka bërë llastik, kur i duhej një interpretim tjetër. Ishte ai që në 8 vjetët e fundit gjatë pushtetit të tij, as bëri zgjedhje në parti. Dhe jo se i rrezikohej posti, por thjesht se nuk donte të prishte balancat e klaneve brenda partisë. E njëjta gjë vlen edhe për pasardhësin e tij Lulzim Basha. Vetë Basha e di shumë mirë se pa mbështetjen e Berishës, pa një proces zgjedhor të kontrolluar, do ta kishte vështirë të thyente Sokol Olldashin. Dhe meqënese për këto shkelje, as kanë kërkuar falje por përkundrazi i mburrin, atëhere nuk mund të bëjnë as përcaktuesin e standarteve. Sepse për të qenë korrekt me rregullat, të dy palët janë njëlloj: i përdorin rregullat sipas dëshirës së tyre.
Ndaj gjithë ky proces politik që shkoi, siç qe kongresi i PS, as na zbuloi një demon dhe as një ëngjëll. Thjesht na tregoi se Edi Rama, nuk ishte më i miri, ashtu siç shumë veta prisnin nga ai. Nuk ishte iluministi që për hir të shtetit sakrifikon pushtetin; që për hir të demokracisë, dorëzon pushtetin. Nuk eshte as me i keqi. Është shqiptari i zakonshëm, që kur i bie shteti në dorë, do t’i nxjerrë ujin e zi, si Zogu, Hoxha, dhe Berisha. Është një nga ne./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.