E vetmja zgjidhje afatgjatë

Nga Dritan Hila

Edi Rama u tërhoq nga zgjedhjet në Kavajë dhe kjo është në karakterin e tij politik: kur vjen fjala tek përplasja reale, tërhiqet.
Gjithësa u tha për djegie të Bashkisë apo specialistë ukrainas, të thirrur nga opozita janë justifikime. Në realitet, ai ka arkëtuar një humbje politike, pasi një udhëheqës normal nëse do të kishte gjësend të vërtetë në ato që thotë, çonte Bashën në prokurori (e ka pa imunitet) dhe nxirrte specialistët ukrainas para kamerave.
Por asgjë nuk ishte e vërtetë, sepse meqë vjen fjala, specialistët që bënë ngjarjet e sheshit Meidan në Kiev, janë akuzuar se ishin të shërbimeve sekrete perëndimore (balltikas).
Tërheqja i interesonte edhe Bashës. Një humbje e tij dhe shkarje e situatës nga duart, do ta damkoste në sytë e perëndimorëve të cilët nuk duan një Shkup të dytë dhe mund të nxirrte Ramën fitimtar edhe nëse nuk mbaheshin zgjedhjet.
Ndërkohë 18 qershori po afron dhe flamurët e kampeve janë të reckosur dhe argumentet fusin ujë gjithandej. Kampi i Lulzim Bashës ka kohë që pretendon “Republikën e re” , por kjo mbetet në kuadër të fjalimeve të çadrës dhe nuk është një program apo platformë e shtypur. Ka pasur gjithë kohën e nevojshme ta bëjë, por nuk e ka bërë dhe ky fakt i shoqëruar nga personazhe anakronikë, nuk e bën të besueshme kauzën e tij.
Në krahun tjetër është kryeministri që përmend legjitimitetin e tij si i votuar, dhe ka të drejtë. Por është njëkohësisht edhe i deligjitimuar moralisht. Pasi votat që mori ishin për një program të cilin nuk e zbatoi në asnjë pikë; se votat e partisë së tij nuk kanë rritje por të kundërtën; se atë shifër e arriti me ndihmën e një aleati i cili nuk ngjan se është ende në unison me të; se problematika që ngre opozita si hashashizimi apo elementët kriminalë janë realë dhe të vërteta. Vetë mëkëmbësi i Rroshit që kandidonte është fakti më i fundit.
Në kushtet kur një shkuarje në 18 qershor pa opozitën do të ketë një kosto të lartë për të dy liderët por edhe për vendin, është e mira të nisin një dialog i cili duhet të shkojë përtej zgjedhjeve.
Duhet të fillojë me një qeveri teknike minimalisht me afat një vjeçar, e cila duhet të pregatisë statusin e nëpunësit civil shoqëruar me marrëveshjen për mosprekjen e tij.
Këta do të ishin numëruesit e ardhshëm të votës. Pastaj me një pakt për policinë dhe diplomacinë.
Një marrëveshje për ndryshimin e sistemit dhe kodit elektoral drejt proporcionalit në rang kombëtar.
Dhe reforma për ekonominë, taksimin dhe projeksionet e saj për 10 vjetët që vijnë. Të gjitha këto, pasi të jenë votuar ligjet e vetingut.
Njerëzit janë të vetëdijshëm që ata që janë në çadër dhe ndjekësit e qeverisë, pak ju bëjnë përshtypje këto. Shumica e kanë hallin tek vendet e punës ndërsa udhëheqësit e tyre me problemet që mund të kenë me drejtësinë. Por nëse duhet një zgjidhje afatgjatë, duhet pakti politik dhe një Mario Monti shqiptar. Në të kundërt, me prerje si Bashkim Fino, ka mundësi që parashikimi i cili projektonte në vitin 2100 një Shqipëri me vetëm 1.7 milionë banorë, të realizohet brenda vitit 2025./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.