E kemi ditur gabim/ Nuk quhet tradhti bashkëshortore, por poliamori!
Dritare.net
Qëkur isha e vogël, kur nuk e dija fare se ç’ishte martesa, mbaj mend që kam dëgjuar vazhdimisht histori çiftesh që bëheshin objekt thashethemesh të pafund. Shpeshherë, kishte raste kur edhe thashethemexhinjtë dorëzoheshin dhe e mbyllnin bisedën me fjalët “Eee, atë muhabet kanë ata. Ajo në njërën anë, ai në tjetrin dhe hë, bridh!”.
Pas 90-ës, kur edhe unë kuptoja më shumë e herë-herë edhe merrja pjesë në thashetheme të tilla, dëgjoja edhe argumente si “Epo ç’të bëjnë? Të dy e dinë që tjetri bredh, po nuk ndahen dot. Se s’është puna vetëm te kalamajtë, po ku do mbyten? Kredia këtej, biznesi andej....”. Ah, aty s’kishte asnjë mendjendritur t’i jepte dum hallit që kishte zënë jo vetëm të zotët e punës, po edhe gjithë ne të tjerët. Nuk e di a e dinin ata, burri dhe gruaja në fjalë, se sa shumë shqetësoheshim ne për ta. Nuk di madje as se çfarë e bënte secilin prej tyre “të bridhte” andej-këtej, siç i thoshim ne.
Këto kohë, kur kam arritur tashmë moshën kur mund të jap edhe mend, përpiqem të lexoj se çfarë bëhet edhe nëpër botë. Këto janë tema që hapen vazhdimisht nëpër tavolina kafenesh e s’dua të kapem e papërgatitur. “The Guardian”, një e përditshme britanike, kishte së fundmi një artikull të shkruar nga një grua me emrin Stefani. Nëse nuk do kishte ca vathë në hundë, Stefania dhe i shoqi, dalë të dy të lumtur në fotografi në krah të njëri-tjetrit, do më dukeshin sikur t’i kisha pasur komshinj nëpër lagjet ku kam jetuar, po të mos kishin ca vathë në buzë e ca në vesh. Një tjetër ndryshim është se këtu tek ne s’kam dëgjuar kurrë histori si kjo e tyre të rrëfehet në vetë të parë, kanë qenë gjithmonë versione që kushedi në sa gojë kishin kaluar derisa më kishin mbërritur edhe mua. Stefania tregon se sa për mirë i ka ndryshuar jeta që kur ajo dhe i shoqi lanë pas stilin e të jetuarit si monogamë. Tregon se kanë ndenjur me netë të tëra zgjuar deri vonë, derisa më në fund e kanë kuptuar. Ata janë shumë më të lumtur nëse, ashtu të martuar siç janë, secili “bredh” (në terminologjinë tonë) për hesap të vet. Sa shumë vend për dashuri dhe dhembshuri kam parë se ka në zemrën time prej atëherë,” - rrëfehet Stefania.
Por në fakt, këto historitë e treguara kështu, sikur e humbasin bukurinë. Këta njerëz t’i thonë të gjitha dhe ua thonë të gjithëve, në gazetë madje. Ç’u mbetet komshinjve për shembull të flasin kur të takohen? Prandaj ndoshta nuk ka edhe aq kafene andej... jashtë shtetit!/dritare.net
Një mënyrë të re për të dashuruar, rroftë poliamoria
Nga Stephanie Munro - The Guardian*
Jam martuar me partnerin tim, Andrenë, në vitin 2011. Ditën e dasmës iu betuam njëri-tjetrit në copëza letrash me shkrim dore se do ta dashuronim, do t’i përkushtoheshim e do t’i përkisnim përgjithmonë njëri-tjetrit. Edhe gjashtë vjet më vonë, asgjë nuk kishte ndryshuar; edhe sot e kësaj dite jemi po ashtu, shokët më të mirë të njëri-tjetrit dhe të dashuruar kokë e këmbë si në ditën e parë. Njihemi edhe me njerëz të tjerë.
Rreth dy vjet më parë, unë dhe Andrea kuptuam se poliamoria* po bëhej pjesë e vetëdijes sonë të përbashkët në një lloj mënyre që e kam të vështirë ta shpjegoj. Ne ngjajmë jashtëzakonisht shumë e shpesh arrijmë që të dy në të njëjtat përfundime pa folur fare me njëri-tjetrin. Një prej këtyre përfundimeve, për shembull, ishte që nuk donim të bëheshim me fëmijë, që nuk na pëlqente më tapeti i dhomës së ndenjjes e që donim ta hiqnim, kurse një tjetër ishte që donim të kishim një martesë të hapur. Nuk e di se si, por erdhi një moment kur të dy e dinim se na shkonte shumë për shtat të provonim diçka ndryshe.
Nga njëra anë, vetë koncepti i monogamisë më bënte me dhimbje koke që në fillim, por ajo që s’e duroja dot fare ishte kur e imagjinoja atë me dikë tjetër. Dhe këto janë gjëra që i shkojnë ndër mend kujtdo kur përgatitet për gjëra të mëdha, njësoj si kur vendos se çfarë i hahet për darkë, i shikon opsionet një nga një dhe mendon pak se si të duket secili.
Bleva ca libra për poliamorinë dhe bëra çmos që t’u shkoja deri në fund, ndonëse atë punën e moralizimit zor se e gëlltisja dot, kështu që u dorëzova që në kapitujt e parë. E megjithatë, më tërhoqi si magnet një pjesë që fliste për xhelozinë. Në fund të fundit, poliamorozët nuk është se lindin të gjithë me sjellje prej monogami – ka nga ata që u duhet të sforcohen ca për të mos u ndier të kërcënuar nga të tjerët, kështu që mundohen të mos ia vënë veshin instiktit, por të duan një dhe vetëm një person. Në fund mu desh ta pranoja se realiteti është ai që është dhe se duhet të mos merresha fare me këto modele të ngritura, por të besoja te dashuria.
Kur isha e vogël, besoja se do të njihesha me një njeri të veçantë e se do të binim në dashuri e se nuk do të na duhej asgjë nga askush tjetër. Ai, i veçanti, është zakonisht personi i vetëm që të ofron shoqëri, seks dhe siguri. Çdo dëshirë jashtë kësaj njësie konsiderohet dëshirë lakmitare dhe duhet përjashtuar.
Besimi në këtë ekskluzivitet gjithëpërfshirës po më rrënjosej kaq thellë, saqë xhelozia më bënte ndonjëherë të ndihesha vërtet keq. E kujtoj si tani ndjenjën e panikut që më mbërthente kur u zbuloja ndonjë mesazh apo email partnerëve të mi të dikurshëm dërguar femrave të tjera. Më dukej sikur më shkëputej një pjesë nga trupi, sikur nuk më kishte mbetur më asgjë e sikur më rrëshqiste toka nën këmbë. E gjitha vinte nga frika se në qoftë se dikush i tërhiqte vëmendjen personit që unë dashuroja, atëherë gjithçka kishte mbaruar.
E thënë thjesht, të mos jesh monogam do të thotë të ndryshosh mënyrën se si e percepton botën. Realiteti, sigurisht, nuk është kaq i thjeshtë: të ndryshosh mënyrën se si e ke parë diçka që për ty ka qenë kaq e rëndësishme dhe e vërtetë për një kohë të gjatë nuk është punë e lehtë. Mua vetë më ka ndihmuar për këtë të menduarit joegoist herë pas here, eksplorimi i fantazive dhe dëshirave të mia dhe të analizuarit nëse të gjitha këto më bënin të ndihesha ndryshe në lidhje me bashkëshortin tim. Në fakt jo, nuk më ndikuan aspak.
Kur më në fund i dhashë fund monogamisë, kuptova se sa shumë vend kisha brenda vetes për dashuri dhe dhembshuri.
As nuk ishte mision që i hyra e vetme. Ishte eksplorimi në partneritet i mënyrës sonë të re të të jetuarit, një jetë që do të mund të na lumturonte dhe plotësonte. Kemi ndenjur zgjuar deri vonë, kemi folur për orë të tëra për atë çka dëshironim saktësisht, për rregullat që do të vendosnim (më besoni, janë shumë rregulla), për vetot, për ndarjet, kufirin e moshës dhe për netët që do t’i kalonim duke fjetur me të tjerë larg shtëpisë sonë. E gjitha kjo buroi nga një dashuri dhe angazhim i madh. E di, mund të tingëllojë jo logjike, por për ta hapur martesën, është thelbësore.
Besnikëria ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhënien time. Do të gënjeja nëse do të thosha se nuk më kishte shkuar ndër mend se duke mos qenë më monogame, mund t’i kurseja vetes dhimbjen e ndonjë tradhtie. Hapja e një marrëdhënieje është një rimodelim i plotë i partneritetit dhe besnikërisë. Zhduk vetë konceptin e tradhtisë. Nocioni i ‘tradhtisë së sanksionuar’ është për mua tani po aq qesharak sa edhe ideja e shkeljes së ligjit duke ngrënë një copë kek. Nuk ka ligj që të ndalon kekun, madje unë ngul këmbë që njerëzit të hanë kek. Është kaq i shijshëm – kështu pra, e dua edhe unë një natë timen herë pas here.
Arratisja nga xhelozia dhe përqafimi i poliamorisë është një ndër gjërat që më ka dhënë më shumë në jetë. Kur vendosa të lë pas monogaminë, kuptova se sa shumë vend kisha brenda vetes për dashuri dhe dhembshuri, jo vetëm për të tjerët, por edhe për veten dhe bashkëshortin tim./dritare.net
*Stephanie Munro shkruan për stafin e komunitetit online të gazetës “The Guardian”.
*polyamory – të duash më shumë sesa një person