Sjellja e pasreformës e Berishës, më kujton një hall të vjetër të Azemit, sa herë takoheshim. Azemi ishte në luftë të egër me Berishën prej vitit 1991 derisa vdiq. Përveçse nuk e honepsnin dot njëri -tjetrin, halli i tij ishte, që unë të mos u tregoja të tjerëve, që Azemi me Berishën shkonin keq, nëse më pyesnin. Bënte çtë ishte e mundur, që nëse ishte dikush tjetër në bisedë, të më pyeste duke shkelur syrin për “marshallin” dhe të tregonte se dje, kur doli nga Presidenca, takoi tek oborri “filan fistekun”.
Në fakt shkonte rregullisht në godinën e Presidencës, në oborrin e pasëm të së cilës, ishte një bar-bufe ku mund të pije kafe dhe të haje panine me sallam. Dhe sa herë ishte në krizë, Azemi i linte takimet me njerëzit, para derës Presidencës nga ana e ish-bllokut, që kur dilte nga bar-bufeja, për t’u dukur që po vinte nga takimi me Doktorin. Ky ishte halli i tij derisa vdiq.
Berisha më duket se tani ka të njëjtin hall. U bënë pesë ditë që reforma në drejtësi u miratua dhe duket se Berishës akoma nuk i ka dalë e keqja, e betejës me perëndimorët, sidomos me SHBA. Qysh në fillim të këtij procesi, ai ishte i qartë që Edi Rama nuk do kishte shans të kapte sistemin pasi nuk e linin perëndimorët, por kjo nuk e frikësonte . Frika e tij më e madhe ishte se sistemi do të kontrollohej nga Perëndimorët. I bindur se me Edi Ramën ose dikur do bënte pazar, ose do të ndryshonte vendet, ai ishte i qetë. Frika ishte nëse sistemi kontrollohej nga të perëndimorët. Ndaj dhe ai nuk bërtiti fitore pas propozimit të zonjës Nuland që balanconte politikisht Komisionin. Ai pa tek ai propozim, pikërisht atë që kishte pasur frikë prej kohësh, kontrollin ndërkombëtar të seleksionimit të kandidatëve. Dhe e hodhi PD në sulm kundër reformës pikërisht për këtë gjë.
Që mos ta bëjmë të lodhshme historinë, pasi tani është histori suksesi, ai nuk ia doli dot. Kontrolli ndërkombëtar mbi procesin mbeti dhe është po aq i fortë sa u parashikua qysh në fillim. E vetmja gjë që i ka mbetur Berishës, është se si të mbyllë të çarën që hapi me SHBA dhe Brukselin, me veton e tij kundër tyre dhe si të mos e kuptojnë këtë të tjerët. Fiks si halli i Azemit me të dikur. Dhe tani duket se po gjen një zgjidhje për këtë çështje. I ka ndarë perëndimorët në dy pjesë, në pro shqiptarë dhe antishqiptarë (albanofobë). Në pro shqiptarë janë shefat e mëdhenj të shteteve, Merkel, Obama, Kerry, Hahn etj.
Antishqiptarë janë Donald Lu, Romana Vlahutin dhe gjithë zyrtarët perëndimorë që u morën me negociatat. Në fjalimin e tij në Kuvend, sot e qartësoi këtë tezë, duke konsideruar humbës pikërisht të huajt që u morën me negociatat për reformën në drejtësi.: “Humben ata pak …te huaj albanofobë, qe donin qe ne Shqiperi te huajt të benin ligjin e drejtësisë,” , tha ai në fjalën e tij. Nuk ka asgjë të keqe që sillet si njeri në hall se në fakt nuk është hall i vogël. Problemi i tij është si të na mbushë mendjen të gjithëve se nuk i ka punët keq me të mëdhenjtë, as ai, as Basha.
Ja për shembull: Basha ka siguruar një ftesë për tek Konventa e Demokratëve të Klintonit të majtë, ndërkohë që Partia e tij është aleate e Republikanëve të djathtë të Trumpit, dhe ata as i ka përshëndetur fare për konventën. Puna është të shkoj të pijë një kafe aty e të bëjë një selfie që të duket që ka qenë në Amerikë (Si Azemi në Presidencë). I ka dërguar dhe një letër atij të Venecias, të duket që gjithçka e bëri për atë. Shpresoj të ketë dhe ndonjë seminar të EPP në Bruksel javën që vjen ose ndonjë shkollë vere, të dalë dhe një herë andej, të duket se dhe me ata nuk i ka keq punët. Kështu mund t’i gënjejë delet e veta në vathë e t’u thotë që kjo betejë kundër Perëndimit ia vlejti, pavarësisht disa perëndimorëve antishqiptarë. Tani për tani është i interesuar mos të kuptohet që është mërzitur me ta. Nuk e kuptoj pse e ka gjithë këtë siklet, se njeriu që thotë “fitova”, i lexohet në fytyrë lumturia, nuk ka nevojë ta përsërisë çdo ditë, për t’i nxjerrë frikën vetes nga lumturia. Ky më shumë ngjan me atë maratonomakun që përshkruan Noli: E fituam, borohorite dhe për tokë u përpëlite…”