Dyfishohet numri i patentave për shpikje. Ja cilët janë shpikësit shqiptarë!
Dritare.net
Çdo vit e më tepër shpikësit shqiptar rregjistrojnë shpikjet e tyre, me qëllim mbrojtjen e pronës së tyre industriale.
Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave, njofton se gjatë periudhës 1 Janar-15 Shtator 2016, janë dyfishuar aplikimet kombëtare për shpikje. Sipas të dhënave, markat kombëtare janë rritur në masën 24.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa, rritja e numrit të aplikimeve për marka dhe patenta në total është përkatësisht 18 % dhe 32,5 %.
Fushat e shpikjeve shqiptare janë mekanika, farmaceutika, ajo elektrike, teknologjia e naftës dhe elektroteknikë.
Ndërkohë që shpikësit shqiptarë mbajnë patentat përkatëse nga DPPM, njëri prej tyre është vlerësuar edhe me patentë europiane.
Shuaip Kraja, zbuluesi i vaksinës anti-kancer, ka marrë patentën nga Organizata Europiane e Patentave (EPO). Në kuadër të studimit pilot me pacientë vullnetarë, me Bi vaksinën anti-kancer janë trajtuar e shëruar për një kohë të gjatë disa dhjetëra raste ndër vite.
Bi vaksina mendohet të zëvendësojë kimioterapitë, duke qënë në gjendje ndërmjet triliona qelizash të organizmit (normale dhe malinje), të dallojë dhe të vrasë në mënyrë selektive qelizat malinje pa dëmtuar qelizat e shëndosha të organizmit.
Disa prej zbulimeve të tjera kanë të bëjnë me shpikjen e Motorit-MANI, gjithashtu krijimi i teknologjive për mbrojtjen e mjedisit.
Arben Mani është shpikësi i Motorit me djegie të brendshme me cilindra të kundërt dhe piston të përbashkët- Motori- MANI, i cili është një motor me djegie të brendshme me cilindra të kundërt të përbashkët. Ai prodhon fuqi me lëvizje rrotulluese në mënyrë të pandërprerë dhe në të dy kahet e lëvizjes së grupit të pistonit. Po ashtu, ai mban edhe patentën për “Sistemin e lëvizshëm të kurorës së pistonit”
Thanas Karajani, Ylli Pollo, Elmaz Xhediku kanë mundur të krijojnë një teknologji e re për absorbimin e pluhurave dhe gazrave industrial që shkarkohen në atmosferë. Përftimi i energjisë elektrike shtesë nga energjia që do të çlirohej në atmosferë. Eliminimi i tymrave dhe gazrave që çlirohet në atmosferë duke përdorur pajisjet e duhura për thithjen dhe eliminimin e pluhurave. Këto pluhura mund të trajtohen në mënyrë të mëtejshme dhe mund të përdoren në bujqësi ose ndërtim.
Maksim Shuli, ka mundësuar përdorimin e ezhektorve si teknologji në shfrytëzimin e vendburimeve të naftës, gazit dhe gazokondensatit në Shqipëri. Po ashtu, edhe përdorimin e lëndëve shkumë formuese, si metoda të reja me frytshmëri të lartë për rritjen e gaznxjerrjes në vendburimet e gazit në vendin tonë, si dhe përdorimin e termoizolimeve të pajisjeve sipërfaqësore dhe metodave të tjera, të sipërfaqes, në trungun e pusit dhe në shtresë, kundër hidratformimit të puseve të gazit dhe gazokondensatit në Shqipëri, si metoda bashkëkohore dhe mjaft efektive.
Vullnet Miraka është shpikës i pajisjes Gjenerator Graviteti Centripetrik për Fluidet. P. G. G. C. F./dritare.net