Duhet t’i kthehemi Kushtetutës së vitit 1998

Nga Ben Andoni

Pjekuria e vogël dhe predispozita akoma më e pakët e politikanëve shqiptarë për zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 të sjell ndërmend një fakt, që deridiku shkon me veprimin e sotëm të tyre. Është e vërtetë se ndryshimet e ligjit themeltar të shtetit nuk mund të bëhen me hovin e zakonshëm që marrin politikanët tanë, të cilat në fund kur shihen realisht nuk përmbajnë qëllimin e duhur. Një e tillë ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008: Ato u prezantuan si të nevojshme për të rregulluar stopimin e marrëdhënieve pozitë-opozitë, por në fakt i prishën krejt marrëdhëniet institucionale të cilat merrte përsipër t’i rregullonte Kushtetuta e vitit 1998. Qëllimi i ndryshimeve kushtetuese, si zakonisht, kur pajtohen palët politike në vend, kishte marrë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve dhe ndaj duheshin vlerësuar, porse ato realisht shumë shpejt do të shtonin kokë-dhimbjet. Nuk vonoi shumë dhe problematikat u përshfaqën ngado. Një grevë urie në parlament, anatema politikanësh, protesta të egra dhe kriza pas krizash në vitet në vazhdim.

Në realitet, pas ndryshimeve, PS dhe PD, dy partitë kryesore në vend, ishin bërë gati të paprekshme dhe duket se pakti që nënkuptonte se vetëm ato mund  të qeverisnin vendin njëherë në tetë vjet u shkonte përkundrejt interesave të partive të vogla që paçka kundërshtimeve të vogla rrënoheshin dhe serviloseshin para forcës së tyre. Qysh atëherë nis ngritjen Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike që e kundërshtoi me të drejtë. Paradoksalisht, ajo rezultoi se do përfitonte shumë më tepër në kurriz të dy partive kryesore që e anatemonin, por ndërkohë dhe do u pëlqente ta përdornin si patericën e nevojshme të ekzistencës.

LEXO DHE :  Zgjedhjet në Ukrainë, partia e Zelenskyt fiton bindshëm

Duke u  kthyer në thelbin e argumentit tonë: Kushtetuta është një ligj sublim, puna e të cilit interpretohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, subjekti, që tashmë prej reformës nuk ekziston tek ne. Kjo të bën të mendosh se ndryshimet janë të nevojshme, porse ato duhet të bëhen jo me ngutin kinse të detyrueshëm të politikanëve dhe përmes procedurave sa për sy e faqe e të shpejta, pa realizuar pjesëmarrjen e specialistëve, ekspertizat e nevojshme dhe mbi të gjitha ndryshimet nuk duhet të kenë inatin e atyre që u bënë në vitin 2008. Duket se Shqipëria ka nevojë për variantin origjinal dhe të pastër të Kushtetutës së vitit 1998, punë e bërë me kujdes e pa ngut, me përpjekjen që dokumenti themeltar i shtetit të ruajë përplasjet e zakonshme PS dhe PD, si edhe të jetë gati për integrimet e Shqipërisë në BE-, një aksion që ka shumë gjasa të ndodhi në Vjeshtën e këtij viti./javanews

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.