Dritare.net në fushatën e OKB, për LGBTI, "Të lirë dhe të barabartë"
Dritare.net
Keni dëgjuar të flitet për LGBT, kur dikush prej tyre sulmohet, vritet, fyhet nga personazhe publikë, apo kur zhvillohen paradat në maj. Nuk ka histori dhe shkrime për të njohur realisht se kush janë ata. Kush janë këta njerëz, që shumë shqiptarë i bëjnë të shpërthejnë në ofendime, pa pritur të mbarojë fjala, apo pa njohur personin konkret?
Zyra e Komisionerit të Lartë për të drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me PNUD kanë ndërmarrë një fushatë “Të lirë dhe të Barabartë”, me qëllim ndërgjegjësimin e shqiptarëve, për t’i dhënë fund diskriminimit të gejve, lesbikeve, transeksualëve apo biseksualëve.
Si pjesë e këtij projekti, Dritare.net ka realizuar një cikël shkrimesh, me historitë njerëzore të pjesëtarëve të këtij komuniteti. Pavarësisht perceptimeve tona, ata e dinë realisht se çfarë ndodh në jetën e tyre, sa pranohen, sa diskriminohen, sa dhunohen dhe si e bëjnë jetën e tyre.
Janë përmendur më shumë, sidomos pas 2009, kur filluan të dalin grupimet e para LGBT, por ende mbetet një temë tabu. Shoqëria nuk është gati t’i pranojë dhe këtë e tregon frika e personave të intervistuar, për t’u identifikuar. Ata e kanë të vështirë të japin emrin e tyre të vërtetë dhe të publikojnë fotot. Duke iu ruajtur paragjykimeve, dhunës dhe të treguarit me gisht, ata zgjedhin të ruajnë privatësinë e tyre.
Disa prej tyre thonë se e nuk iu intereson se çfarë mendon shoqëria, por nuk duan që të bëhen publikë. Duan të mbeten të njohur apo të identifikuar nga rrethi i ngushtë, por jo të flasin të gjithë për ta. Nuk e kanë problem ta jetojnë jetën e tyre seksuale si e duan, por në shoqëri sillen si të tjerët, duke u përpjekur të fshehin shenjat identifikuese.
Më të vështirë e kanë transeksualët, të cilët përgjithësisht janë edhe më të diskriminuarit, pasi ata janë më të identifikueshëm, duke u shfaqur si të tillë. Edhe historia e parë që do të lexoni, është e tillë. Tregon jetën e vështirë të një transeksuali që u përfshi në drogë dhe prostitucion.
Ndërsa historitë e tjera të gejve dhe lesbikes që janë sjellë në intervista, tregojnë një realitet më ndryshe.
Nuk kanë provuar dhunën, por nuk i kanë shpëtuar diskriminimit. Aq sa kanë zgjedhur të jetojnë një jetë të dyfishtë. Këtë e shohin si rrugën e vetme për të qenë të qetë, ose rruga tjetër është të largohen nga Shqipëria, për të jetuar të lirë dhe me personin që duan.
E të tjerë përpiqen të mos identifikohen, të duken normalë, e ta jetojnë jetën siç e duan. Pavarësisht se me kë e ndajnë jetën seksuale, ata thonë se janë normalë. Janë njerëz si gjithë të tjerët, me logjikë, me ndjenja, plane, angazhime. Dhe të drejtën për të jetuar të lirë dhe të barabartë, nuk ua heq dot askush. Në fund të fundit, kush jemi ne t’i gjykojmë?!/Dritare.net