Doktori që donte të bënte Shqipërinë

Nga Prof. Dr. Hulusi Hako

Në muajin e jubileut tonë të madh, hedhim shikimin përgjatë një shekulli dhe kujtojmë me mirënjohje të pamasë të  parët tanë, atë brez titanësh të mendjes dhe veprës, që me kaq përkushtim luftuan e punuan “për të bërë Shqipërinë”. Historiografia me të drejtë fokuson dhe ngre figura të shquara e personalite që dalin në krye të lëvizjeve dhe kthesave të mëdha  shoqërore. Po ç`mund të bënin e ç`do të ishin ata pa patur në krah dhe disa qindra dishepuj e mbështetjen masive të një populli të tërë të etur për liri, dije e një jetë më të mire?  Kur u gëzohemi fryteve të një bime apo luleve shumëngjyrëshe e aromatike, mendja na shkon tek rrënjët e tyre të padukshme nën dhe, tek burimi jetëdhënës. Edhe urtësia popullore na e jep mesazhin konstruktiv. “Trimi i mire me shokë shumë”.

Po veçojmë njerin prej këtyre dishepujve dhe mbështetësve pa rezerva; fjalën e kemi për doktor Hajdar Sulon (1866 -1936), njeriun që bëri histori, i cili, në vitet më të vështira, kur Shqipëria përpiqej të ngrihej në këmbë, ai ngriti në Berat një spital, një kështjellë të shëndetit dhe jetës së njerëzve. Berati i lashtë, gjithnjë i ndjeshëm ndaj historisë së vet, kujton vepra e vlera të vyera të rritjes e zhvllimit, nderon dhe atë bir që i dha përmbajtje e kuptim historisë së tij. Doktori atdhetar, i ngarkuar nga Bashkia, para 90 vjetëve, duke vënë në jetë vendimet e qeverisë së dale nga Kongresi i Lushnjës (1920). Nisi të hedhë shtat një kështjellë e shëndetit me rreze veprimi edhe Fierin, Lushnjën, Mallakastrën e Skraparin, ku deri atëhere “kishte vetëm nga një ambulance, që nuk drejtoheshin të githa nga mjekë, ndonjëhrë nga infermierë”

Nuk është fjala thjesht se u shtua edhe një insitucion. Shekulli i 20-të në jetën e shqiptarëve po shënjonte edhe një kthesë epokale e mirfilltë. Bazuar edhe në “Njoftime historike mbi zhvillimin e mjekësisë në Shqipëri” (vepër unikale e Profesor Fejzi Hoxhës), ky institucion (bashkë me 10 spitalet e para të krejt vendit), shënon një pikë kthese cilësore nga primitiviteti i lashtësisë drejt jetës moderne; nga endja e njerëzve për shumë halle nëpër klerikë, tyrbe e manastire, bazuar në supersticione, në shërbimin mjekësor shkencor; nga mjekësia empirike (popullore), edhe me xherahë kirurgë, jo pak sharlatanë, pa vaksina e legjislacion sanitar, në kujdes të organizuar e të ligjshëm; nga epidemitë, sëmundjet ngjitëse, malarja e turbekolozi , jetë-kositës, në shpëtimin dhe shëndoshjen e jetës; nga disa shërbime private, të ufizuara, sporadike dhe elitare, në kujdesin shëndetësor të organizuar. Në listen e rreth 180 mjekëve të pare të shkolluar e kanë shërbyer në  trojet shqiptare për gjatë shekullit 19-të e deri në fillimet e shekulit 20-të, protagonisti ynë është i 74-ti.

Kush donte jetën e shëndetin, detyrimisht do t`i bindej mjekësisë dhe këshillave të mjekut. Jeta kërkonte ushqim të bollshëm, higjenë publike, kanalizime e ujësjellës, gjëra që kërkonin medoemos dorën e shtetit. Shumë bijtë tjerë shqiptarë, që studionin për mjekësi, vendoseshin në Turqi, Greqi e gjetkë, se vendi i tyre nuk u siguronte punë, jetesë e qetësi. Mandej, të pranishmit e paktë, që ushronin profesionin privatisht, është një gjë, kurse organizimi shtetëror i mjekësisë, me edukim shëndetësor masiv, me masa mbrojtëse higjeno-profilaktike të vendosura me ligj ej, është gjë tjetër.

Janë 10 spitalet e para, të ngritura në qytetet kryesore të vendit, të cilat dëshmojnë se edhe vet shteti shqiptar, më në fund, pas shumë Odiseve, po merrte jetë, po vihej në binarët e organizimit e të funksionimit normal. Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, atëherë në rang dikasteri ministror, me rreth 90 mjekë gjithsej në mbarë vendin, niste themelet e një bërthame organizimi të shëndetësisë publike, me një mjek në çdo qark. Sot mund të thuhet me lehtësi “është mirë të jesh i pari”, sidomos nëpër garat sportive, por i pari në vepra të tjera, ku puna nis nga “themelet”, është ca më me vështirësi, gati ashtu siç janë dhe njësitet në vijën e pare të frontit. Siç ngrihet kalaja gurë-gurë, ashtu po formohej dhe shteti ynë, hap pas hapi e vepër pas vepre, ku gjithnjë e kudo spikasin dhe individë me qytetari e shpirt praktik, me përkushtim atdhetar, altruizëm dhe vokacion njerëzor. Prandaj dhe mund të pohojmë se nuk është fjala thjesht që u çel edhe një spital i radhës, as fakti se nisi jetën një institucion shëndetësor në Berat, por themelimi i tij nga e para, merr kuptimin e vlerën e një guri në themelet e vetë shtetit modern shqiptar që po ngrihej. Ishte koha kur ngritja e një spitali, konsiderohej si ngritje të një kështjelle të jetës e shëndetit”.

Vështërësitë e hapave të para të shtetit tonë, ishin më të rënda se çdo dhimbje lindjeje! Libri historik i cituar më lart, tregon se Hajdar Sulo, “i lindur në Libohovë, mbaroi fakultetin e mjekësisë në Stamboll (1892), ushtroi për një kohë të gjatë profesionin si internist, … iu dogj shtëpia e u burgos më 1914, kur rebelët pushtuan Beratin; ka qenë për shumë vjet rrjesht mjek i Bashkisë dhe i pari drejtor i Spitalit të Beratit” (“Njoftime historike…”, bot. i v. 2006, f.175)

“Hajdar efendi, -i ishte drejtuar Kryetari i Bashkisë, – do të ngrini spitalin e qytetit, jeni mjeku dhe drejtori i parë i tij. Zoti ta bëftë mbarë!”. “Ja ëndrra ime shumëvjeçare” – mendoi ai me vete; – një sihariq, por dhe një obligim madhor ky?” As godinë, as ekip mjekësor, buxheti me pikatore. Mjeku pasionant nuk priste gjë me “frymë të shenjtë”, as “me urdhër të peshkut”, i vuri gjoksin punës, u udhëhoq nga urtësia popullore “Thërriti nevojës së të ndihmon”. Se ndodhi krejt si në Bibël, ku thuhet: “Në fillim ishte fjala”, ashtu edhe ish mjekut të vet prej shumë vjetësh, Bashkia nuk i dha çelësa, por mbi bazën e reputacionit dhe besimit që ai kishte investuar, e uroi për “punë të mbarë”, i dha fare pak para (ka mbetur fjala: “5 lekë nga Bashkia, 95 nga populli dhe xhepi i tij) dhe e porositi t`i përvishej punës për gjithçka.

Doktori, kish bredhur “oxhak më oxhak e portë më portë me rixhanë të ndihmonin për ngritjen e spitalit”, caktoi ekonomist burrin e mençur nga Magdalena Vasil Pambukun (ku ish strehuar familjarisht në verën e vitit 1914) dhe e porositi: “Në këtë kanë ke paret e mbledhura, bashkë me ca kursimet e mia, ruaji mire dhe shpenzoi me dorën tënde të bardhë, as të shtrenguar grusht, as të hapur si pëllëmbë, shënoi mire harxhet që po nxjerrim nga qesja se janë të popullit”. Me një karvan kafshësh shkoi në Shkodër për sigurimin e batanieve, në Vlorë për krevata të hekurta. Mori dhe nga shtëpia e vet, bashkë me veglat e punës, edhe disa orendi, duke u përball me lotët e të shoqes në sy. “Mbahu, moj hanëm Nafise, mos e turpëro fisin e madh të Mahmut Bej Myftarajt (Shënapremte) se do t`i blejmë të reja”.

Kryefamiljarja nga lagjja Goricë Urani Filipi, me shumë bujari vuri në dispozicion shtëpinë e vet,pa bërë pazar, duke mbyllur sytë kur ra fjala për qiranë, mëgjithë barren e madhe që kishte për rritjen e fëmijve. “O Mete plagëlidhësi, – iu drejtua vetë doktori Muhamet Kucos, – më kanë thënë se mire e ke mësuar zanatin e infemierit në spitalin ushtarak austriak të Fierit, a nuk vjen të punosh me mua në spital për qytetin e njerëzit tanë?” “Me zotrote dhe në fund të botës!” ish përgjigjur ai. Rrobalarëse ishte Shaqja nga Mëhalla e Re bashkë me gjellëbërësin e dy roje, u krijua, kështu, personeli i parë prej 6-7 vetash.

Në librin e vet gjithëpërfshirës,Profesor Fejzi Hoxha thekson se: “me ndihmën e Bashkisë dhe të vetë popullsisë së qytetit, u ngrit një spital i vogël me 15 shtretër, me drejtor doktor Hajdar Sulon, i cili ndihmoi edhe vetë për pajisjen me materiale” (“Njotime historike…”, f. 93, ribotim, v. 2006)

Drejtuesi dhe administratori, mjeku i vetëm që shpëtoi shumë e shumë jetë njerëzish, ndjeu dhe vështirësitë e “këputjes së marrëdhënieve me qytetin prej prishjes së urës”, punoi në një krahinë me vetëm 4 mjekë, 1 dentist, 1 mami e 3 farmacistë privatë, bëri që ky spital, gjatë viteve, të njohë vetëm rritje, deri në 180 shtretër e mjete të tjera, përmërësim të vazhdueshëm të shërbimit, por brezat e banorëve të qarkut kanë skalitur në kujtesë e u kanë trasmetuar brezave respekt të veçantë për atë vatër të pare të kujdesit shëndetësor, ku, infemieri, drejtori, njëherazi dhe mjeku i vetëm, punuan me pëkushtim. Kjo është dokumentuar edhe me një akt-kontrolli të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë, ku thuhet tekstualisht se: “Spitali ndodhet në gjendje shumë të mire. Do të jetë fatbardhësi sikur të jenë edhe spitalet e tjerë të Shtetit në këtë gjendje” (1923).

LEXO DHE :  Shqipëria shpëton 36 afganë në Egje

Drejtori i parë, administratori i mirë i kaloi me vullnet e përkushtim dhimbjet e lindjes së veprës që iu besua për të shpëtuar jetë njerëzish. Kujdesi për listen e barnave, aktivizimi për konsulta edhe në ambulancën e Bashkisë, rendja pas pacientëve ditë e natë, i jepnin sadisfaksion dhe forca.

Mbas tij e drejtuan këtë spital mjekët Leon Gjini, Xhafer Kongoli, Jani Kona, Lluka Muço deri në vitin 1940 etj. Por drejtori i parë i dha jetë atij spitali, i cili shërbeu dhe si një tullë në ngritjen e shtetit të ri shqiptar

  1. “Mendo ç`bën ti për kombin dhe jo ç`bën kombi për ty” – me këtë parim fisnik jetoi e punoi ky mjek,i cili këtë vit ka dhe 146 vjetorin e lindjes e 76 vjetorin e vdekjes. Ja pse në kuadrin e 91 vjetorit të Spitalit, për ngritjen e të cilit ai e bëri natën ditë, është momenti më fatlum të vlerësojmë e të përshëndesim edhe këtë jubile të tij, njëherazi t`i bëjmë homazh njeriut që ka hyrë denjësisht në historinë e mjekësisë shqiptare, emrit dhe veprës, që jo vetëm lidhet organikisht me ngritjen e një kështjelle shëdetësore, por që u shqua edhe si qytetar fisnik e patriot demokrat me veprimtari të pasur shoqërore.

“Ali Hajdari”, i njohur e dokumentuar edhe me këtë titull honotifik, është bir i një familjeje atdhetare e intelektuale arsimdashëse, i arsimuar në “Zosimea” të Janinës, i diplumuar në Stamboll me fjalën “Aligjullala” (i shkëlqyer) në dokument, u specializua edhe në Francë për ndërhyrje kirurgjikale në lindjet e vështira.

Fakulteti e lakmonte, i bënë dhe ofertën për të qëndruar në Stamboll. “Jo, jo, atje në Arnautllëk” – i tha ai ofertës joshëse. Tek studenti i sapodiplomuar, shpërtheu qartë vokacioni atdhetar, veproi fuqia e lidhjeve të gjakut, u vu në lëvizje sipas forces së gravitetit të vendlindjes. Ai e ndau mendjen në formë të prerë të mos endej në dhe të huaj se “si gri që rëndon në vendin e vet, ashtu dhe vendlindja të jep vlerën e nderin!”. Dhe u kthye në vendin e varfër e të robëruar nga osmanllinjtë, zgjodhi bash Beratin, vendlindjen e nënës së vet, nga ku i kishin mbetur të skalitura dhe kujtimet e bukura fëmijërore të gjyshes e gjyshit të vet; atje, në Ambulancën e Bashkisë e Spital, ku shërbeu me devotshmëri për rreth gjysëm shekulli dhe u bë shpresa e shpëtimi i qindra të sëmurëve e fatkeqëve për krejt krahinën nga Shkumbini në Vjosë, nga Sulova në Adriatik, ai la gjurmë të pashlyeshme.

I takoi të jetonte e punonte në kapërxellin e shekujve 19-20, shpalljes së Pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar, përcolli Luftën e Parë Botërore (1914-1918) dhe kthimin e vendit në arenë luftimesh e pushtimesh të huaja dhe rezistencën për mbrojtjen e trojeve amtare të coptuara e gjithënjë të lakmuara

Në këtë vorbull të jetës e fateve kombëtare, ai deputoi me përkushtim edhe si veprimtar patriot, mbështeti e ndihmoi gjirokastritin Baki Gjebrea për ngritjen e çetës së armatosur (1906-1908), aderoi në “Shoqërinë për shpëtim” (1910), që kishte në program mëvetësinë e Shqipërisë nga Turqia; shkoi në malin e Sinjës për të mjekuar plagët e kryengritësve (25 korik 1912), ku nënëshkroi edhe Memorandumin me krerët e tyre; u gjend në ballkonin e Bashkisë së qytetit më 27 nëntor 1912 për ngritjen e Flamurit, duke dhënë porosi që ai të ngrihej edhe në çdo shtëpi, ndërsa në hapësirat e fushave për rreth gjendeshin 14 mijë ushtarë turqë; bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit për strukturimin dhe përbërjen e shëndoshë të administratës bashkiake; gëzoi edhe mandatin e nënkryetarit të Këshillit të pare bashkiak etj. Në fund të qershorit 1914 elementët turkomanë e burgosën dhe e dënuan me vdekje, ndërsa i vunë zjarrin shtëpisë së tij; pas mrekullisë rastësore të arratisjes nga burgu, ai u përball me mercenarë të lëvizjes së inskenuar “Vorio-epiriote”, që hynë në Berat me 7 gusht 1914. I bashkuar në “Grupin Demokrat Lokal”, ai u përfshi edhe në zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese (1923).

Themelorja, me 44 vjet në shërbim të vuajtjeve e plagëve njerëzore dhe sa lindjeve të vështira, la emër duke ngritur dhe një vepër përball atyre vështirësive që ia rrisin asaj më shumë vlerën; mbeti në kujtesë si një intelektual i kompletuar, poliglot, me bibliotekë të pasur e libra në disa gjuhë; qytetari i zgjuar e trim, që përcolli me guxim dhe në mënyrë tepër aktive dekadat me kritike e vendimtare të historis së kombit dhe shtetformimit. I vendosur “për të bërë Shqipëri” ai bëri maksimumin për popullin dhe vendin e vet.

Ftesës për të mare pjesë në tubimin homazh të 60 vjetorit të vdekjes (v. 1996), Dr. Ymer Dishnica iu përgjigj me gadishmëri entuzisaste: “Do të vi në Berat dhe do të flas për Hajdar Sulon, se ai bëri shumë për njerëzit. Kur isha në Paris, posa vuri këmbë aty, ai kërkoi të njihet me studentët patriotë shqiptarë”.

Doktor Hajdar Sulo e jetoi jetën denjësisht, e bëri të vetë si njeri model dhe atdhetar i palëkundur.  Për një figure të tillë është pak të thuash se “nuk vdesin ata që kujtohen”. Ajo ishte një jetë me vlera e mesazhe të mëdha!

Po edhe ndërgjegjja popullore e institucionet zyrtare, nga ana e tyre, e respektojnë historinë, dine të çmojnë e të nderojnë edhe personalitetet e veprat e tyre. Koha, në rolin e gjykatësit më të drejtë ka përcjell të gjallë atë emër e vepër me mirënjohje e repsekt.

Flasin për njeriun e mire mjaft dokumemnte autentike në Arkivin Qëndror të Shtetit dhe në Muzeun Historik të qytetit; është përmendur ai si themelues spitali në librin e Profesor Fejzi Hoxhës “Njoftime historike…” (1962), në “Njohuri historike” të dr. Namik N. Shehu; përkujtohet në sesion të posaçëm më 14 qershor 1996, në Sallën e Bibliotekës “Vexhi Buharaja”, organizuar nga Bashkia dhe Muzeu Historik; përjetësohet në Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 7, dt. 2 gusht 1996, me përmbajtjen: “Spitali zonal i Beratit emërtohet Spitali zonal “Hajdar Sulo”. 2. Ngarkohet për zbatimin e këtij Vendimi struktura përkatëse”. (një Vendim që mund të vihet në jetë, të shpresojmë, në këtë përvjetor jubilar të Spitalit). Për këtë personalitet është shkruar e folur gjerësisht në organet lokale e qendrore të shtypit (“Kushrimi”, “Rilindja”, “Lajmëtari”, “Republika”, “Shqip” dhe me emisione të posaçme stacionesh televizive “Berati” e “Onufri”. Jetës dhe veprës së tij, pasardhësit i kanë kushtuar edhe një monografi të plotë me titullin “Doktor Hajdar Sulo 1866 – 1936” (Tiranë, 2008, EUGEN, 240 faqe) e promovuar me aq vlerësim e ngrohtësi në tubimin e organizuar nga Bashkia dhe Biblioteka “Vexhi Buharaj në vjeshtën e vitit 2008.

Të gjitha këto përbëjnë një dosier të pasur, janë dëshmi më se të mjaftueshme se jeta dhe vepra e Doktor Hajdar Sulos ka zënë vendin e merituar në historinë e mjekësisë shqiptare dhe të jetës politike-shoqërore të kohës.

Në korrik të vitit 1936 Berati i jepte lamtumirën e fundit mjekut të vet të pakursyer. Ishte e pamatshme dhimbja e popullit të një prefekture për humbjen e një njeriu, sa njerëzor aq edhe të përkushtuar.76 vjetët që kaluan nuk e venitën emrin dhe veprën e tij. Perkundrazi, koha, në rolin e gjykatësit më të drejtë ,ka përcjellë të gjallë atë emër dhe veprën e tij historike.

Nuk jetonte më Hajdar Efendiu, i cili, me kohë, u bë sinonim  i shpirtit thellësisht human, i vizionit erudit dhe sensit krijues e organizues./ Dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.