"Doing Business" rendit Shqipërinë në vendin e 58, Ekonomi: Kemi thjeshtëzuar procedurat
Dritare.net
Sipas këtij raporti Shqipëria është ngjitur me 32 vende.
Raporti vlerëson mënyrën e të bërit biznes në vendin tonë, duke theksuar thjeshtëzimin e procedurave, përmirësimin në marrjen e lejeve të ndërtimit, sigurimin i energjisë, pagimin e taksave.
Në një deklaratë për median Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi komentoi raportin duke u shprehur se kjo është “renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë, që nga viti 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore”.
“Raporti konfirmon rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga Qeveria për lehtësitë e të bërit biznes, duke nënvizuar se distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira, në të bërit biznes ka patur një përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 61.3 pikë në raportin e vitit të kaluar në 68.9 pikë në raportin e sivjetshëm. Nga të gjithë indikatorët përmes të cilëve Banka Botërore vlerëson ekonomitë, i vetmi vendim i qeverisë Shqiptare që ka patur ndikim negativ në renditjen e Shqipërisë ka qenë ai për të skanuar në mënyrë të detyrueshme në dogana çdo mall që importohet ose eksportohet. Vendim ky që ndonëse mund të ngadalësojë procedurat e eksport/importit është tejet i rëndësishëm në kushtet e debatit të sotëm për sigurinë e mallrave që importohen në vend, apo të debatit për importin e mbetjeve të riciklueshme”, tha Ekonomi.