Diplomacia perëndimore nuk është ajo e Ditmir Bushatit apo Aldo Bumçit

Nga Dritan Hila

Kur Sergio Romano, editorialist i “Corriere Della Sera”, diplomat i shquar karriere dhe historian i spikatur italian hynte në vitin 1954 si rishtar në karrierën diplomatike, shkruan se në bodrumet e Farnezinës (Ministria e Jashtme Italiane) gjeti disa diplomatë të vjetër shqiptarë me mbiemrat Vrioni dhe Libohova që punonin në arkivë, të cilët kishin mbetur që nga koha kur Italia dhe Shqipëria ishin nën një kurorë.

Sepse Italia republikane dhe antifashiste e pasluftës nuk hidhte poshtë trashëgiminë.

E sjell këtë shembull për të treguar se shtete serioze punojnë me  arkiva dhe kanë memorie institucionale të përfaqësuar nga dosje dhe njerëz.

Fatkeqësisht, kohët e fundit në Shqipëri, mendojnë se shërbimi diplomatik perëndimor është si ai shqiptar, ku sa herë ndërrohen pushtetet, ministri i rradhës i bën transfuzion aparatit; emëron kushërinjtë apo militantët dhe në fund të llogarive asnjeri prej tyre nuk duhet , pasi shefi i qeverisë gjithmonë flet sipas qejfit të vet.

Ka një tentativë për të banalizuar dhe relativizuar qëndrimet e perëndimorëve, dhe kjo vjen sidomos sa herë pozita ose opozita ndodhet nën kritikat e tyre.

Po shikohet edhe së fundmi kur politikanë të opozitës apo njerëz të saj përpiqen t’i nënvlerësojnë, ironizojnë, apo në rastin më të mirë t’i paraqesin sikur diplomatët perëndimorë të akredituar në Tiranë nuk kuptojnë dhe ministritë e jashtme të tyre janë si këto lëtyrat që kanë ngritur vetë.

Nuk mungojnë as thashethemnajat për afera ekonomike të tyre, ne Shqipëri.

Vlen kjo sjelljeje arnaute edhe për rastin e fundit kur dorëzimit të mandateve nga ana e opozitës shqiptare,  ku ambasadat e perëndimit dhe një ditë më vonë edhe ministritë e tyre e  dënuan ashpërsisht.

LEXO DHE :  Greva në Itali/ Anulohen dhjetëra fluturime nga Rinasi!

Ambasada e SHBA dhe Departamenti i Shtetit, Shefi i Misionit të BE dhe Mogherini; Ambasadorja gjermane dhe ministria e jashtme e RFGJ, sa për të përmendur disa emra, kanë reaguar pa ekuivoke, ndaj aktit të opozitës shqiptare.

Kanë përdorur një gjuhë që u përdor në ditët e fundit të çadrës së para dy viteve e cila nuk lë shumë nënkuptime, duke i thënë opozitës se akti i saj nuk ka fare mirëkuptimin e tyre dhe duke i venë në dukje se nuk kishin ndërmend të bënin arbitrin.

Këto qëndrime opozita përpiqet t’i relativizojë.

Le të shpresojmë për të mirën e vendit se kjo është një taktikë e saj për të karikuar militantët dhe nuk e mendon vërtetë të mos marrë parasysh këshillat e perëndimit.

Vështirë të thuhet se kush janë llogaritë e opozitës shqiptare dhe si e ka planifikuar ajo të dalë nga pozicioni mur kunder murit që ka marrë.

Rruga sesi do arrihet deri tek dialogu, është një shteg i errët.

Por kjo është puna e saj.

E rëndësishme është që opozita të ketë parasysh pak gjëra: se zëri i ambasadave është zëri zyrtar i shtetit që përfaqësojnë; se informacioni që kanë perëndimorët është gjithmonë i plotë dhe se në fund të një përplasje me perëndimin, do fitojnë gjithmonë të huajt.

Sepse ky vënd është formuar nga një konferencë ambasadorësh, është mbajtur në jetë nga ambasadorët dhe për shumë vite të tjera pas 2019-ës do të jetë nën sovranitetin e ambasadorëve./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.