Dhe i thonë vetes “të majtë”!

Nga Dritan Hila

Që turmat kanë memorje të cekët dhe ndizen kollaj, është një aksiomë e provuar që nga kohët që s’mbahen mend, dhe këtë e shfrytëzon çdo lloj pushteti. Nuk bëjnë përjashtim edhe ne. U pa më shumë se kudo në ngjarjet e fundit tek parku i liqenit. Një njeri me dy pare mend në kokë, do ta kuptonte se në një Tiranë të betonizuar, atrofizuar, sklerotizuar, të pajetueshme për shkak të smogut, betonizimi i të fundmes sipërfaqe të gjelbët në Tiranë, ku këmba të shkel në bar, është një atentat ndaj mjedisit dhe jetëve njerëzore. Kjo nuk ndodhi në Tiranë. Shumë nuk e lodhën mendjen për të ngritur edhe dyshimin më të vogël se përse duhen 4.000 m2 të tjera beton në një qytet të betonizuar? Përse kjo para që do të hidhet për të betonizuar parkun, nuk shpërndahet në dhjetë kënde lojrash për fëmijë nëpër lagje? Ishte tallëse arroganca e Ramës dhe seancat dëgjimore të Veliaj, por që tingëllonin muzikë për veshët e militantëve, megjithëse pocaqinë që do bëhet nuk do ta vuajë as Rama dhe as Veliaj që jetojnë jashtë Tiranës.
Në ekstremin tjetër të bulevardit, një dramë njerëzore më e prekshme këtë rradhë, po zhvillohet tek zona pas Stacionit të Vjetër. Njerëz me shtëpi të rregullta, të ndërtuara dekada përpara, po nxirren jashtë, se duhet të bëhet zgjatimi i bulevardit kryesor. Çmimi që po dëmshpërblehen është qesharak. Nuk mund të blejnë shtëpi as në periferinë e Tiranës. Ndërkohë komshinjtë e tyre që nuk i zë plani, do të përfitojnë nga ndërtuesit deri 50% të vlerës së ndërtimit që do bëhet mbi truallin e tyre. Lind pyetja pse duhet bërë ky bulevard, kur Tirana egzistuese është e parregulluar? Pse këta njerëz trajtohen si qytetarë të dorës së dytë? Me ç’të drejtë Bashkia e Tiranës, kualifikon një zonë në kurriz të këtyre njerëzve, nga e cila do të përfitojnë ndërtuesit? Çdo mëndje e lirë nga politizimi do të përgjigjej se është një sipërmarrje e lobeve të ndërtimit kundër njerëzve të thjeshtë. Por askush nuk solidarizohet me njerëz që banojnë pothuajse në qendër të Tiranës. A është Rama një Hausmman i ri që po përpiqet të bëjë kryeqytetin e së ardhmes? Vetëm një dritëshkurtër mund të besojë se njeriu që e djallosi këtë qytet që nga 2000-ja, dhe deri dje, dashka ta ribëjë diku tjetër! Thjesht do ta djallosë të renë ashtu si shkatëroi të vjetrën.
Trendi i ri i të majtës sot në botë është kujdesi ndaj ambientit, ndërsa në Shqipëri e majta e Ramës dhe Veliaj ka kauzë ndërtimet. Në botë e majta po lufton të përmirësojë jetën e shtresave në nevojë, e majta shqiptare nxjerr njerëz nga shtëpitë. Ndërsa kudo të majtët po qasin demokracinë tek njerëzit, në Shqipëri po shkatërrojnë zgjedhjet edhe në partinë e tyre. Dhe këta i thonë vetes të majtë! Dhe ç’është më e bukura, ka njerëz që i besojnë!/dritare.net

1 Koment

  1. Z.Hila , me pelqejne shkrimet dhe komentet tuaja! Ne fakt jane shume pak media apo gazetare qe thone te verteten ,,,ashtu si eshte.Vazhdoni te shkruani per te miren e ketij vendi!Respekt per qendrimet qe ju mbani per cdo ngajrje apo situate ne Shqiperi!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.