Derisa burrat e bracat të emancipohen

Nga Dritan Hila

Ngjarja e fundit në Maqedoni ka ngjallur edhe njëherë diskutime mbi pozicionin e femrës në hapësirën shqiptare. Rasti i Ermira Mehmetit, ishte mishelë politike, shtypjeje nacionale, korruptimin e elitave nacionale shqiptare, dhe natyrisht atë të emancipimit të femrës.
Pavarësisht nëse biseda ishte e vërtetë apo e regjistruar, ajo shërbeu si provokim për të parë reagimin e shoqërisë ndaj një subjekti politik shqiptar femër. Problematika niste së pari me faktin se opinioni filloi të merrej vetëm me femrën duke harruar mashkullin. Do të duhej një studim i tërë ku të sqarohej orientalizmi, maçizmi, dhe shumë izma të tjerë socialo-psikologjikë, pse ishte kjo anësi. Në një shoqëri normale, një përgjim i tillë do të ishte material për gazetat e thashethemeve të bulevardit. Tek ne, nga ana shqiptare e kufirit, për shkak të shumicës rurale,u perjetua si një parje nga vrima e çelësit të komshies së bukur. Në anën tjetër, për arsye të frustrimit të popullsisë nga maqedonasit dhe elitat shqiptare të korruptuara, u shfrytëzua si objekt për të nxjerrë dufin. Ermira Mehmeti ishte ajo, mbi të cilën njerëzit, nxirrnin inatin për korrupsionin, flirtimin, bashkëpunimin në kurriz të njerëzve të zakonshëm që politikanët shqiptarë kishin bërë me maqedonasit. Dhe për këtë ju mjaftoi një shkëndijë, pa u menduar gjatë nëse ishte e vërtetë apo e rreme. Ju sulën asaj se ishte femër, megjithëse përgjimet kanë nxjerrë afera ku e ku më të mëdhaja për Ahmetin e Thaçin.
Rasti i Ermirës, ishte edhe ai ku shumë parlamentare shqiptare të dy anëve të kufirit, që nuk ngurojnë të dalin para kamerave për të shpalosur pjesëmarjen në kauza që nuk i mbajnë mend pas një ore, këtë rradhë ranë squkë, megjithëse po sulmohej një kolege e tyre. Le të shpresohet se herën tjetër të vetëdijësohen se nuk janë aty vetëm për koketa.
Ndryshe nga sa na pëlqen të mendojmë, ne jemi ende larg mesit të rrugës në emancipimin e femrave. Emancipimi, nuk është vetëm femra e qendrës së Tiranës. Emancipimi është mentaliteti i ndryshuar i burrave në rradhë të parë. As liria e skllevërve, as e punëtorëve, as e të kolonizuarve, dhe as e femrës, nuk ka ardhur vetëm nga revolta e tyre e brendshme, por edhe nga ata që kanë pasur në dorë t’iu japin lirinë. Ndaj sado paradoksale të duket, liria e femrës do të vijë atëhere kur edhe burrat, të bëjnë po aq për ato, sa bëjnë për lirinë e tyre. Emancipimi i femrave, është para së gjithash emancipim i burrave. Dhe kjo do shumë guxim./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.