Deputetët e rinj dhe liderët e vjetëruar të opozitës
Dritare.net
Në dritën e zhvillimeve të ditëve të fundit, është lehtësisht e dallueshme që opozita joparlamentare ka kuptuar se vendimi ekstrem për djegien e mandateve ka qenë një vendim i nxituar dhe i marrë në kushte depresioni politik, nga politikanë që i frikësohen ecurisë pozitive të reformës në drejtësi ose minimalisht janë të paaftë për të konkurruar në merkatën politike. Një vendim destruktiv i shtyrë nga besimi patologjik se shqiptarët mund të hynin në një revolucion shoqëror për të përmbysur sistemin demokratik, meqënëse në parlament nuk do të ishte më Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe enturazhi i tyre “elitar”. Ndërkohë që kam perceptimin subjektiv se këtë ditë me siguri shumica e shqiptarëve mezi e ka pritur, të paktën me arsyen e fundit nga rëndësia, për të qetësuar sytë e veshët çdo të enjte.
Po edhe sikur shumica e shqiptarëve ta mbështesnin një deformim të tillë të sistemit, kjo nuk do të kishte qenë e mundur, sepse shteti është një organizëm që funksionon mbështetur në parime e korniza konstitucionale, e që nuk lejon shtigje për thyerje të rendit kushtetues, për të marrë pushtet në tavolinë. Aq më pak të lejojë rebelime të dëshpëruara apo imagjinare. Akoma më e pamundur do të kishte qënë kjo për t’u përkrahur nga vende me demokraci të konsoliduar, që si themel për funksionimin e sistemit shoqëror e politik kanë vetëm sundimin e ligjit dhe pavarësinë e pushteteve.
Kjo është shprehur në mënyrë të prerë nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian dhe sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këto të fundit nëpërmjet zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit, z. Palmer. Është pikërisht ky sinjal kaq i qartë që ka shqetësuar lidershipin e opozitës së rrugës, që sot gjendet në një udhëkryq moral, politik, madje edhe logjik, për vazhdimësinë e përpjekjeve joinstitucionale në dhunim të shtetit.
Nga ana tjetër, mendoj se edhe më skeptiku ndër ata që sot janë pjesë e njësisë guerrile të lidershipit opozitar të rrugës, nuk mendoj se e ka parashikuar dot që karriget e lëna bosh në parlament do të zëvendësoheshin nga kandidatët e listave të dyta, që në fakt janë propozuar nga vetë ata e që juridikisht kanë të drejtën të përfaqësojnë të njëjtën kategori elektorati që i ka votuar. Nuk dëshiroj të bëj avokatin e kandidatëve që kanë zgjedhur të pranojnë mandatin dhe arsyet që i kanë shtyrë të marrin këtë vendim, por absolutisht veprimin e tyre e konsideroj të ligjshëm. Gjithashtu, mendoj se nuk do të kishte qënë demokratike, që një pjesë e shoqërisë të ngelej pa u përfaqësuar, prej aktit të tradhtisë që forca e tyre politike bëri, pa i pyetur më parë nëpërmjet një referendumi partiak.
Shqipëria pret dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE-në ose të paktën rekomandimin pozitiv nga Komisioni Europian, që është deklaruar publikisht nga vetë komisionieri Hahn. Fakt i cili dëshmon edhe njëherë se protestat e organizuara nga disa forca politike, të cilat janë duke u tkurrur dita ditës, nuk janë arsye që të penalizohen proceset integruese të Shqipërisë.
Në këto kushte, është koha që vizioni dhe perspektiva për të bërë hapa përpara duhet të prevalojë, në mënyrë që modeli i politikës së kulisave dhe politikanëve delikuentë, që punojnë me energji të pashterueshme për të njollosur imazhin e dëmtuar aspiratat e vendit, të shembet njëherë e përgjithmonë, duke i nxjerrë përfundimisht nga skatiera politike.
Mbështetur në këtë arsyetim, ndaj mendimin që pavarësisht cilësisë së përfaqësimit të sotëm në parlament, opozita ka nëvojë për një reformim të thellë, që pikënisjen e ka fillimisht te ndryshimi i mendësisë së të bërit politikë, duke respektuar rregulla të barabarta, ligjore dhe demokratike. Ky është shansi historik që parlamentarët e rinj kanë për të treguar se mund të vendosin në piedestal interesat e Shqipërisë e të injorojnë synimet antishqiptare të opozitës së rrugës. Dhe për ta realizuar këtë mision, ata duhet të tregojnë qëndrimin që kanë për reformat jetike, duke filluar nga ajo e vijimit të zbatimit të reformës në drejtësi, përmirësimi i kodit elektoral si dhe shumë reforma të tjera të rëndësishme.
Në vlerësimin tim, është e pafalshme moralisht që lideri de juro i opozitës të përdhosë në mënyrë sistematike interesat e mbarë shqiptarëve, duke lobuar sistematikisht pranë zyrave të huaja apo partive të ekstremit të djathtë që kanë prirje raciste, në ambicien për të dëmtuar imazhin e qeverisë pa llogaritur atë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Madje, fodullëku i tij shkon deri aty sa me një naivitet të spikatur politik, beson se mund të fitojë kreditet e humbura politike, teksa trumbeton akuza bajate kundër qeverisë, thjesht e vetëm për të gjeneruar një debat shterpë për konsum të brendshëm politik e sidomos mediatik.
Do të mjaftonte vetëm kaq, që një lider i tillë të merrte damkën e misionarit të ethshëm antishqiptar, që për interesa vetjake politike është i gatshëm të luftojë deri sa të realizojë misionin e pamunudur që i mohon lëvizjen e lirë gjithë shqiptarëve, një të drejtë që në fakt e kanë fituar ata e jo politika, me pretekstin e ekzistencës së elementëve kriminalë në ndonjë vend europian ku jetojnë disa shqiptarë problematikë, të lindur e rritur në dhjetëvjeçarët e kaluar.
Ky lloj arsyetimi, të shtyn të mendosh se në vende të cilat Shqipëria ka regjim vize, si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kinë, Japoni, Rusi etj, nuk duhet të ketë asnjë shqiptar që mund të ushtrojë veprimtari kriminale ose të paligjshme. Ndërkohë që, fenomene të tilla shfaqen te të gjitha kombësitë, sepse krimi e veprimtaria ilegale nuk motivohet as nga flamuri dhe as nga mendime alushinante, se aty ku ekziston një kriminel, ai detyrimisht ka lidhje me qeverinë e vendin nga ku vjen.
Është e turpshme të manifestosh qëndrime politike kaq të ulëta, duke iu referuar një pakice që ka probleme individuale me ligjin në vendin ku jeton, me dëshirën e kamufluar për të kufizuar të drejtat e liritë e mbarë popullit, për të prodhuar disa teza qesharake por të dëmshme.
Natyrisht, në këtë rast nuk përfshihet familja e liderit të opozitës që mban nënshtetësinë holandeze, prandaj ka lehtësinë të luftojë paturpësisht për t’ua mohuar këtë liri gjithë shqiptarëve të tjerë. Kjo, vetëm për të banalizuar diskursin politik dhe dirigjuar sulme artificiale politike nga dëshpërimi. Këtë logjikë patetike, vetëm një politikan pa vertëbër atdhetarizmi mund ta përqafojë.
Ndaj, konteksti i situatës politike natyrisht që nuk është kaq i zi, sa përpiqen ta bëjnë ish politikanët e arratisur në drejtim të paditur. Ai padyshim ka problematikat e veta në kushtet e një vendi në zhvillim, me handikape të mbarsura ndër vite. Por pavarësisht këtij realiteti jo aq të favorshëm, detyrimi dhe domosdoshmëria për të qeverisur me urtësi e përgjegjësi politike, si dhe vullneti për të mos u lëkundur nga zotimet elektorale në funksion të reformimit të mëtejshëm të fushave e sektorëve që prekin jetën e qytetarëve, duhet të jetë fokusi primar i gjithë angazhimit politik e qeverisës së mazhorancës.
Çdo energji negative që synon të mbajë gjallë zjarrin e shuar të opozitës, është thjesht një arsye më shumë për të thelluar përkushtimin dhe rezultatet që qeverisja duhet të ketë kur i shërben qytetarëve dhe administron interesat e tyre, pavarësisht bindjeve politike që ata kanë. Ky është shembulli më i mirë, për të përmirësuar vazhdimisht veten dhe bërë dallimin e qartë me kundërshtarin që lufton me “mullinjtë e erës”./dritare.net