Debati/ Rama apel deputetëve: Mos ndërhyni për të punësuar drejtorë
Dritare.net
Mësohet se deputetët janë ankuar përsa i përket buxhetit të 2018, ku kanë deklaruar se nuk janë konsultuar me to për investimet në zonat e tyre.
Rama u ka bërë apel deputetëve që të mos ndërhyjnë pranë ministrave apo drejtorëve të mëdhenj që të punësojnë marangozë për t’u bërë drejtues apo shefa të mëdhenj.
DEBATI NË MBLEDHJEN E GRUPIT TË PS I ZBARDHUR NGA Panorama.
Bujar Çela: Zoti kryetar i grupit, meqenëse jemi në fazën e diskutimit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, gjykoj se do të ishte mirë që ministrat të konsultoheshin me deputetët për të parë më konkretisht nevojat, prioritetet dhe mundësitë për investime në zonat tona. Sepse projektbuxheti, tashmë është bërë fakt i kryer, ka ardhur në Parlament dhe ne na duhet vetëm ta miratojmë.
Problemi tjetër që kisha, është një kërkesë që kam për zonjën ministre të Arsimit, që të mos e keqinformojë Kryeministrin me Memo, se po e shqetësojnë deputetët me ndërhyrje për drejtorët e shkollave, duke i kërkuar që të mbajë këtë e atë drejtor në punë. Unë do t’ju kujtoja që para se të bëhej testimi, duheshin parë gjithë ato agjenci që kanë dhënë certifikata, si të ishin institucione publike, për kualifikime për mësuesit, duke u shtuar atyre me para në mënyrë fiktive kreditet. Kjo duhej rregulluar para se të bëhej vlerësimi i mësuesve dhe drejtorëve.
Pjerin Ndreu: Zoti kryetar, ju, në emër të deputetëve, keni nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me ministrat, ku vendosej një marrëdhënie dëgjimi, konsultimi, dhënie llogarie dhe vendimi në grup për çështjet që lidhen me qeverinë dhe grupin parlamentar. Deri tani, nuk po shohim konkretisht të zbatohet sa i takon marrëdhënies ministradeputetë. Kjo është një marrëveshje shumë e mirë, që nuk ka qenë e shkruar ndonjëherë, por nëse nuk zbatohet, s’ka sens që e kemi pranuar të gjithë bashkë.
Dua të di si do të zbatohet. Ne kërkojmë të komunikojmë me ministrat për investimet në zona dhe problematikat që lidhen me to dhe nuk na dëgjon njeri. Një tjetër problematikë që vërej, është ajo me testimin e mësuesve ku kanë marrë pjesë dhe drejtorët e shkollave. Rezulton se testimin e kanë fituar drejtorët e LSI-së dhe PD-së dhe shumë nga tanët janë skualifikuar. Kjo duhet parë, sepse s’ka pse penalizohen njerëzit tanë.
Edi Rama: Do jap një përgjigje para se të iki në lidhje me drejtorët. Nuk dua t’ia di nëse ka teserë PS apo LSI, kush e meriton, do të qëndrojë në punë, kush nuk e meriton, të gjejë punë tjetër. Nuk mund t’ia lemë në dorë të të paaftëve fëmijët tanë, se nuk na nderon as ne si parti dhe as shoqërinë. Duhet të marrë fund njëherë e mirë kjo historia e drejtorëve me teserë partie, reformat do të bëhen njëlloj në të gjithë sektorët. Po jua them si Kryeministër, nuk dua të dëgjoj të hyni mik te ministrat për të bërë drejtorë apo shefa në administratë, marangozë, njerëz që nuk kanë arsimin përkatës dhe as këngëtarë apo instrumentistë në vend të elektricistëve të OSHEE-së. (largohet nga mbledhja për shkak të axhendës)
Taulant Balla: Në lidhje me Marrëveshjen e Mirëkuptimit, ajo do të zbatohet, ashtu siç është miratuar. Mjafton të bëjmë kërkesë, dhe ministrin do ta kemi në dispozicion për çdo problematikë, madje edhe Kryeministrin. Ne kemi rënë dakord që ministrat do të dalin në çdo qark në takime me administratën, deputetët, por dhe zgjedhësit për problematikat. Kjo ka filluar të ndodhë, po ashtu dhe Kryeministri. Që nesër do të nisin takimet sektoriale për buxhetin, ku aty, sipas zonave, deputetët mund të ngrenë pretendimet e tyre në lidhje me buxhetin.
Në lidhje me çështjen e drejtorëve të shkollave, Kryeministri e tha në Vlorë që do të shkarkohen 300 drejtorë shkollash. Testimet janë bërë, dhe mbi bazën e rezultateve, do të vendosen edhe njerëzit aty ku e meritojnë. Por ne nuk mund të bëjmë diferencime për të mbajtur në punë drejtorë, që në testim kanë dalë me rezultate më të ulëta se mësuesit e shkollës ku ata drejtojnë. Këtu, besoj se biem të gjithë dakord, që cilësia e shkollës nuk duhet të jetë ajo që është aktualisht dhe qytetarët presin shumë nga ne.
Mimi Kodheli: Personalisht, mbështes me gjithë fuqinë këtë reformë në arsim, e cila do t’i japë secilit atë që meriton. Nuk mund të lemë të drejtojnë shkollat njerëz që nuk e meritojnë, kur mësuesit që ata drejtojnë, dalin me rezultate më të larta se ata, sepse pastaj dihet se si drejtohet një shkollë, në kushte kur drejtuesi i saj është më pak i kualifikuar se më- suesit e tij. Me këtë duhet të biem të gjithë dakord, pa pasur parasysh emrat e përveçëm dhe kontributet partiake të tyre./I.M-Dritare.net