Debati për Kodin Penal, Murrizi: Doni të ndaloni protestat e PD. Braho: Rama shqetësohet për parregullsitë në zgjedhje
Dritare.net
Ndryshimet në Kodin Penal, me rritjen e dënimit për bllokimin e rrugës dhe goditjen ndaj policëve dhe zyrtarëve shtetërorë, shkaktuan debate në Komisionin e Sigurisë. Drafti u miratua në parim me 8 vota pro dhe 2 kundër, ndërsa deputetët e rinj të opozitës akuzuan se ndryshimet kanë për synim të pengojnë protestat kundër qeverisë.
Myslim Murrizi kërkoi që ndryshimet të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve, ndërsa Ulsi Manja pohoi se votimet do të mbahen më 30 qershor.
Murrizi: Për nenin 7, thoni burg 2 deri në 7 vjet për faunën dhe florën. Megjithëse ju keni pesë vjet si maxhorancë, që sapo erdhët në pushtet për hatër të mbjelljes së pyjeve me kanabis, keni bllokuar edhe gjuetinë e rosave. Për çfarë faune dhe flore bëhet fjalë kur këta po vrasin në mes të bllokut, 100 metra nga ne dhe kanë dalë të gjithë ata që u akuzuan si vrasës. Ju thoni se po të vrasin një pelikan kaçurrel, që e kishte merak Donald Lu, do hysh në 7 vjet në burg. Ky neni 14 i ndryshimeve tuaja për zhurmën dhe muzikën deri në 2 vjet burg, duhet të fusim në burg të gjithë gërnetaxhinjtë që dalin rrugës që nga “Ver Llapa” dhe sazet që vijnë vërdallë.
Felaj: Mendoj se mund ta shohim me një sy tjetër. Murrizi: Unë besoj që ky vend, edhe kur e pashë nismën tuaj për ndryshime në Kodin Penal, prisja që të kishte ashpërsime realisht për ato akte, vepra kriminale dhe fenomene negative që cenojnë shoqërinë shqiptare në vitet e fundit, përfshirë trafikun, implikimin e zyrtarëve, funksionarëve të lartë të shtetit dhe të Policisë. Kemi katër komisarë policie, në kërkim sot, që bënin sekserin për të shitur drogë dhe për të pastruar administratën e lartë dhe politikën shqiptare nga njerëz që vazhdojnë linjën sa me gomone, sa me tragete, sa me avionë.
Manja: Në fakt, kolegu Murrizi bëri shumë pyetje dhe shpresoj që t’u japë përgjigjen e duhur pyetjeve, edhe pse një pjesë e pyetjeve kanë të bëjnë me debatin që do t’i nënshtrohet projektligjit kur të vijmë në shqyrtimin nen për nen.
Murrizi: Nga 22 nene, 17 i keni bërë për rosat, sazexhinjtë. Një nen shoh të fundit që është evaziv, që po keni kurajë thoni drejt se do të ndalojmë protestat në rrugë. Ai neni i bllokimit me blloqe betoni, me saurrelë e tanke. Ajo ka ndodhur në vitin 1997, kur bandat pushtuan Shqipërinë dhe tanket ngelën rrugëve. Nuk besoj se protestat mund t’i ndaloni 29 vjet pas rrëzimit të komunizmit.
Manja: Lidhur me një nen që ka të bëjë me pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit dhe, në mos gaboj, kjo ishte pyetja konkrete që kishte të bënte nëse ka ardhur ky ndryshim në Kodin Penal për shkak të protestave të opozitës. Unë personalisht kam propozimin tim konkret, madje këtë po e bëj edhe këtu përpara Komisionit të Sigurisë nëse merret në konsideratë nga ana juaj. Unë do të kërkoja që dispozita të kishte një riformulim tjetër për të bërë dallimin mes kategorive të rrugëve. Nuk është njëlloj dhe nuk ka pse të dënohet njëlloj bllokimi i një aksi nacional kombëtar rrugësh, që janë nyje shumë nevralgjike në jetën e përgjithshme të komunitetit, me bllokimin e një rruge që është klasifikuar sipas standardeve, që keni sot për rrugët si rrugë dytësore. Pra, do duhet bërë dallimi edhe për sa i përket kategorizimit të rrugëve dhe në varësi të kategorizimit të rrugëve jetë edhe përshkallëzimi i masës së dënimit. Duhet të jetë vetëm me burg kur bllokohen akse nevralgjike edhe për jetën shoqërore, edhe me akse që afektojnë sigurinë kombëtare. Nuk është normale sot që të bllokohet një aks nacional dhe të bllokohen qytetarët që kanë probleme me spitalet, kanë probleme me shkollat e fëmijëve, kanë probleme me bizneset e tyre dhe kanë probleme të jetës së përditshme.
Qefalija: A jeni konsultuar ju, pasi ky është një ligj që kërkon 84 vota.
Manja: Është ligj i cilësuar dhe kërkon 84 vota. Ne shpresojmë që edhe kolegët e opozitës të bëhen pjesë e kësaj pakete dhe të japim votën pro kësaj pakete.
Maliqi: Në parim, jam dakord, të ishin bërë me kohë se u shërbejnë vendit, u shërbejnë punonjësve të shtetit, por për momentin unë e quaj të nxituar.
Manja: Zgjedhje në 30 qershor, natyrisht që do të ketë, sepse zgjedhje në 30 qershor na i detyron Kushtetuta. Sa për atë nëse do të ketë përplasje apo do të ketë dhunë, ju garantoj se nuk do të ketë asnjë lloj konflikti.
Spartak Braho: Këto ndryshime duhet të hyjnë në fuqi përpara zgjedhjeve sepse problematika lidhet edhe me zgjedhjet. Në një kohë që Kryeministri thotë se do të dënohet ky kaq, ky kaq, ky kaq, domethënë se e ka problem. Nuk është vetëm Kryeministër, është edhe kryetar i maxhorancës.
Murrizi: Sa për ngutjen apo atë që kolegu Braho deklaroi se do ta bëjmë se Kryeministri ka disa ditë që thotë se këtë do ta fusim kaq vite në burg e atë aq vite, burgjet nuk i bën dot Kryeministri./ I.M-Panorama