Davimar Coffee

12 Tetor

Nga Rudina Xhunga

-Albanian stories

 

Ata kanë një bar të vogël, gjithë ngjyra dhe zogj, lepuj e lëngje të shtrydhura, lule dhe jastëkë, në lagjen time. Janë katër, Juli, Kujtimi dhe të vegjlit, David e Marko. Juli është ruse, nga Siberia, Kujtimi nga Mirdita, rritur në Laç. Djemtë flasin shqip me babain, rusisht me nënën dhe të gjithë bashkë, merren vesh në greqisht. Në Greqi u njohën. Juli me nënën stiliste, kërkonin lëkurë në Kastoria. Kujtimin e ngacmonte vajza bukuroshe që gjithë kohës lexonte libra. Mori edhe ai një libër dhe u ul pranë saj. Juli e mori për grek. Mirditori nuk i tregoi atëherë se kishte ardhur 16 vjeç në atë vend. Kishte lënë shkollën, pasi e lanë lekët.

 

Se vinte nga një familje, ku gjyshi kishte qenë oficer në gardën e zogut, babai i shkolluar në Normalen e Elbasanit.

 

Me ndryshimin e sistemit, nuk merrte dot bursë si djalë komunisti.

 

Babai shkoi të takonte Ylli Vejsiun, duke i kujtuar të kaluarën e djathtë të familjes. E ndihmuan. Por një 16-vjeçar në ’96 që mbetet vetëm në Tiranë, pa asnjë ndihmë ekonomike, mendon se Greqia është shpëtimi. Shko, i tha i ati, por mos ma ndot fytyrën, mos ma ndot mbiemrin, mos u merr me punë të pista!

 

Kujtimi i pedagogjikes, u bë bojaxhi, pastaj dizenjator, më pas sipërmarrës i një kompanie me 7 punëtorë. Kërkoi dorën e një vajze nga zona e tij, por një histori gjaku, 101 vjet më parë, nuk e lejoi kurorëzimin e dashurisë. Kurrë më shqiptare, i tha vetes. Derisa erdhi ajo, siberiania sybojëqielli, që solli diell në zemrën e ftohur, që e bëri për vete, që e bëri baba të dy djemve, të cilët nuk pranoi t’i pagëzonte ortodoksë, ne Greqi, sepse ata janë shqiptarë. Dy shqiptarë të vegjël që i dhanë emrin kafes në lagjen time gri.

 

Nuk e dija historinë e tyre, ndalova vetëm kur e pashe gruan flokëverdhë, të mblidhte bishtat e cigareve në trotuar. Se këta thonë, lërë se pastron roja dhe e bëjnë pis, – u ankua ajo.

 

Mua më pëlqen ky vend, unë e shtyja të ktheheshim, unë doja të jetoja këtu, por Kujtimi i merrte gjërat avash-avash. Kur erdha e kuptova pse. Ka pluhur, makina, plehra, është bukur, por kaq pis. Nuk ka asnjë kënd lojërash. Ne kishim 5 në lagje. Tani, kemi hapur një kënd në kafe, që të luajnë fëmijët tanë dhe të komshinjve.

 

Kanë krijuar të katërt një oaz të vogël, Davimar te “Komuna e Parisit”, që të përkëdhel sytë, kur del në mëngjes.

 

Juli çuditet vetëm pse njerëzit që i vijnë në kafe, më pas, kur kalojnë nuk thonë mirëmëngjes.

 

Kujtimi e ka marrë veten nga çudira të tilla. Mua më kishte mbetur ora në ’96, tregon. Por gjeta një Shqipëri tjetër. Te ftohtë, të largët, që të përplas derën në fytyrë, që të fut frikën me policin, me tatimorin, pa harruar dhe hajdutin e lokaleve, Shqipëri që të respekton nëse je i huaj, siç stepen para gruas sime, por të fut duart në xhepa, kur shkon në spital, shkollë, kopsht, po ishe shqiptar.

 

Gjeta një Shqipëri hiçfare solidare me fëmijët e kazanëve të plehrave, që nuk ka respekt se je njeri, por nëse ke lekë ose pushtet. Gjeta një Shqipëri tradhtarësh, se kështu i quaj unë këta politikanët që zihen kush e vodhi CEZ, një Shqipëri targash zyrtare, ne këtë lagje plot ministra e deputete, që nuk kanë respekt për veten e familjen e tyre, përsa kohë jetojnë në një geto pis, pa pranuar të kuptojnë, që nuk mjafton të rregullosh parketin e shtëpisë, se do të të hyjë balta brenda gjithsesi.

 

Në Greqi jetoja në një lagje, ku gjithë banorët shkonin në lulishten përballë të pinin kafe,  ja si këtu. Derisa bizneset i thirrën mendjes, vunë një tra në hyrje te bllokut ku banoja, e shtruan me trotuare, e mbollën me lule dhe e kthyen ne lulishte me parqe lodrash, atë pellg pa shpirt. Pastaj fëmijët dhe bizneset e mbushën lagjen. Kjo mungon këtu, bërja bashkë, për të jetuar tok e më mirë. Po njerëzit i harxhojnë energjitë në kore ndeshjesh futbolli dhe e lënë djerrë tokën që u jep buke.

 

Mbase nuk kanë shembuj. Por ne jemi shembuj,- nxehet Kujtimi, ne emigrantët që kthehemi. Ne e dimë çfarë duam, e dimë si shkohet atje ku duam të shkojmë, por këtu një emigrant është një më shumë për t’u rrjepur. Nuk mendohet si aset, që do të ndryshojë vendin. Na ftojnë të kthehemi dhe pastaj, asgjë. Dhe kujton se pas juntës në Greqi, u ftuan emigrantët të ndryshojnë vendin. Erdhën nga të gjitha anët e botës, grekët, duke ju premtuar dhe mbajtur premtimet. Kështu u bë Greqia, thotë Kujtimi. Tani një rom, po ta pyesësh të thotë, quhem Kosta dhe jam grek.

 

Ndërsa unë nuk ndihesha grek, ndaj u ktheva. Unë jam shqiptar, po ky atdhe nuk të mban. Kam hedhur dokumentet e lotarisë amerikanë.

 

Mos je më shumë se shqiptar, je udhëtar i them; katër gjuhë në një shtëpi, një grua ruse. Jo, jo, dua të ngulem, në Shqipëri, këmbëngul ai, por i huaj në vendin tënd, të del vetja qejfit. Dua që djemtë të mësojnë mirë gjuhën, që të mos e harrojnë kurrë dhe të mund t’ua them shqip, siç babai im, ma tha mua:  Mos ma ndotni fytyrën, mos ma ndotni mbiemrin, mos u merrni me punë të pista.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.