David Machado: Lumturia, nuk mund të jetë kurrë qëllim final
Dritare.net
Intervistë me specialistin e bibliotekës së UAMD, Arkid Avdullaj
Ditët e sotme hasemi me probleme të shumta si një punë e lodhshme, taksat, faturat për të paguar apo probleme të tjera familjare. Këto problematika kanë arritur të ndikojnë në të përditshmen tonë dhe vetvetiu duke na ndryshuar humorin.
Të gjithë kërkojnë të jenë të lumtur, por kur flasim me dikë, kërkojmë një konceptim relativ, atë të matjes së lumturisë, por a ka masë ajo? Çfarë është vetvetiu lumturia? Si mund ta masim atë? Dhe ç’është më e rëndësishmja nga pyetjet, a ekziston “ata jetuan të lumtur përgjithmonë”?
Arkid Avdullaj na sugjeron që ta shohim atë nga një këndvështrim ndryshe dhe tepër interesant, nëpërmjet “Indeksi mesatar i lumturisë” të shkrimtarit portugez David Machado.
-Një titull i goditur mund të themi, të kërkosh të matësh të pamatshmen, këtë na shërben Machado në këtë libër, pra a mund të matet lumturia?
- Pak kohë më parë u publikuan në media disa statistika që e vendosnin Shqipërinë në vendin e 109 nga 155 vende përsa i përket indeksit mesatar të lumturisë. Pak kohë para këtyre statistikave erdhi në treg ky libër, i cili jepte një shembull sesi mund të matej lumturia, pra, ndryshe nga sa priremi të mendojmë ne, lumturia është diçka që merret me pika dhe asnjëherë e plotë. Pse? Sepse në vetvete ajo nuk ka masë, nuk e ka një "Tavan" që përcakton le të themi gjatësinë lineare të saj. Por çfarë kërkojmë ne? Lumturi të përjetshme? Këtë utopi hedh poshtë romani dhe unë e mbështes si ide sepse "Çfarë do të bënte zoti, nëse djalli nuk do të ekzistonte?" Pra ajo ndihet vetëm kur ka oponencë.
-Çfarë na sugjeron Machado në lidhje me arritjen e lumturisë, është një histori, një përjetim apo një përfundim?
-Janë të gjitha. Është një histori po t’i referohemi subjektit të librit, sepse e zgjidh konfliktin kryesor, është një përjetim po t’i referohemi metamorfozës së personazhit, i cili ndikohet drejtpërsëdrejti nga pyetja: Sa i lumtur je? Dhe një përfundim, duke u nisur nga cikli që ndjek ngjarja për të përfunduar atje ku nisi. Pra, romani fillon me një kapitull të titulluar 8,0. Zvicër (indeksi mesatar i lumturisë së Zvicrës është 8.0 sipas personazhit) dhe përfundon në Zvicër. Por si arrin personazhi të kuptojë se sa i lumtur është? Çelësi ishte gruaja, të cilën ai niset ta ndihmojë për të takuar vëllanë, i cili kishte pësuar një aksident. Ajo thotë se një njeri i lumtur është një njeri që pranon të vërtetën dhe shpreson pak, sepse shpresa ndonjëherë sjell zhgënjime të mëdha.
-Romani hedh pikëpyetje të rëndësishme në lidhje me sukseset dhe arritjen e tyre apo ato çka mund t’i quajmë si të tilla? A janë në të vërtetë këto suksese të tilla dhe a na bëjnë realisht të ndihemi të lumtur, apo gjithçka është çështje e përkohshme?
-Duhet të përcaktojmë llojin e suksesit, sepse në roman paraqitet me dy linja: sukses në jetën personale dhe profesionale. Në linjën e dytë ekziston pasiguria dhe njëfarë demoralizimi, ama në të parën personazhi vendos dashurinë për familjen, përkujdesin për miqtë dhe dëshirën për të ndihmuar. Kjo është lumturia: të duash dhe të të duan!
- Aktualiteti dhe indeksi i lumturisë, sa vendosen këto të dyja në raport të ndërsjellë me njëra-tjetrën në këtë roman? A mund të themi se aktualiteti jonë përputhet me atë të romanit, apo është një roman, i cili i përputhet një vendi tjetër, ose një kulture më ndryshe se e jona?
-Patjetër që njëra ndikohet nga tjetra. Ne priremi ta shohim lumturinë si çështje individuale, por nuk duhet harruar se ne jetojmë në një vend, rrethohemi nga njerëz, përjetojmë ngjarje dhe emocione nga më të ndryshmet etj. Pra, do të thotë se nuk i kemi të gjitha ne në dorë, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla që na bëjnë të ndihemi mirë si për shembull të ndihmojmë, motivojmë, vlerësojmë, të mos paragjykojmë dhe të jemi objektivë. Është një ndihmë e dyanshme që japim, për shoqërinë e rrjedhimisht, për veten. Përsa i përket përputhjes, patjetër që është duke qenë se trajton një temë universale.
-Sa shpresëdhënës apo frymëzues është “Indeksi mesatar i lumturisë” dhe në cilat pika shfaqet?
-Nëse ka frymëzim nuk ka nevojë për shpresë, sepse frymëzim do të thotë punë, lëvizje dhe shëndet. Shpresa është pritje. Indeksi të mëson të vlerësosh atë që ke, të punosh për atë që do, të ndihmosh të tjerët të ecin (si ti japësh dikujt puzzle-n e fundit që të ndihet i plotësuar e rrjedhimisht të gëzosh edhe ti).
-Përse njerëzit duhet ta lexojnë këtë libër, çfarë duhet të marrin prej tij dhe në çfarë aspekti?
-Njerëzit duhet ta lexojnë këtë libër, sepse të ndihmon të shohësh më qartë. Të ndihmon të kuptosh se, kur ti ndihmon, merr si kompensim energji të mirë. Në aspektin primar do t’ju ndryshojë komponentët e indeksit tuaj të lumturisë. Kushedi, ndoshta ju ndryshon edhe shifra.
-Cila mendoni se është pika e fortë e këtij romani në atë që trajton?
-Romani ecën herë në vijë lineare, e herë me retrospektiva të vazhdueshme. Nuk duhet harruar diçka që ndoshta është veçanti e këtij romani: është shkruar në formën e një letre të gjatë, ka një dialog imagjinar me dikë, tepër të rëndësishëm për personazhin, por që mungon. Përçon një peshë që duket se ka rënë në shpatullat e një personi kur më parë e mbanin tre. E megjithatë nuk ka demoralizim, ka mbështetje dhe besim, dëshirë për progres.
-Duke marrë parasysh që romani ka një personazh qendror, nëpërmjet të cilit shtjellohet gjithçka, a mund të themi se personazhi e zbulon indeksin e lumturisë?
-Patjetër që po, por mëson edhe diçka më të rëndësishme: mëson të bëjë saktë llogaritë, të marrë parasysh çdo komponent të mundshëm të lumturisë dhe, siç citohet, ai mëson se: "…lumturia nuk mund të jetë kurrë përmbyllje. Po e mendove lumturinë si qëllimin final, mund edhe të marrosesh brenda pak kohësh./dritare.net