Dashuria nuk është për të gjithë

Nga Arta Marku

Eshersti, i shtrirë gjerë e gjatë në një divan të shkurtër sa i dilnin këmbët jashtë, hiqte duhan me një llullë të zezë… përpiqej të përfytyronte fytyrën e vajzës, e cila sapo kishte sjellë një pjatë me biskota të freskëta. Të shikoje atë ishte njëlloj si të sodisje një lule a një bukuri tjetër të natyrës dhe ai s’ia hoqi sytë derisa asaj iu drodhën qepallat, uli kokën dhe doli nga dhoma lehtas, si një miush.

-Vemi në kuzhinë, – propozoi Gartoni – ta shihim dhe një herë atë vajzën…

***

Ishte një paradite e shtune, dita e zakonshme e vizitës sime në librarinë Adrion, në qendër të Tiranës. Herë shkoj me ide të qarta për librin që do të zgjedh e të tjera herë shkoj e endem rafteve, duke ndalur sa para një titulli e sa para një tjetri. Kësaj here më tërhoqi vëmendjen një libërth. Mbi kopertinë portreti i një vajze të drojtur me shikimin poshtë e një lule në flokë. Titulli “Lulet e mollës”. Vendosa ta marr dhe në vend të propozimit për një lexim, zgjodha të propozoj një rilexim…

***

Një histori e djeshme apo një histori e sotme? Apo një histori e çdokohëshme?

Mjafton të themi se është një histori dashurie për të kuptuar se kemi të bëjmë me një histori të çdokohëshme, e përjetshme, sa vetë njerëzimi. Sot në shekullin XXI mund të ndodhë e njëjta histori sikurse ajo që ka shkruar John Galsworthy në fund të shekullit XIX. Kjo, në kuptimin që dashuria por edhe drama që mund ta shoqërojë është e kudo dhe kurdondodhshme. Por, cila është historia e librit?

***

Frenk Eshersti dhe Robert Gartoni sapo kanë mbaruar studimet dhe kanë dalë të bëjnë një udhëtim të gjatë. Eshersti vret gjurin, nuk mundet më të ecë më tej. Shokëve u duhet të ndalin diku. Në një udhëkryq, ndanë një fshati, takojnë Migenin dhe i kërkojnë t’u tregojë një shtëpi ku mund të bujtin. Siç duket, nuk kanë nevojë të ecin gjatë. Mund të ndalin në fermën e tetos së Migenit. Me të kaluar një korije të vogël, djemve u shfaqet ferma: “një ndërtesë e gjatë dhe e ulët prej guri, ca shtëpi të vogla dhe në mes një oborr i madh ku kullosin pula, derra dhe një pelë plakë. Përpara shtëpisë ngrihet një kodër e gjelbëruar ku më të rrallë rritej pisha, ndërsa kopshti i vjetër i pemëve ku mollët sapo kishin filluar të lulëzonin, shtrihej gjer matanë lumit të vogël…”

Kjo është skena e ngjarjes që do të ndodhë. Merret me mend se një histori dashurie pritet të ndodhë. Në qendër janë tre të rinj. Dhe ja tek zbulohet menjëherë: të dy djemtë magjepsen prej Migenit të bukur e të brishtë, vetëm 17 – vjeçare. Ajo vetë, joshet nga Eshersti. Djemtë kishin menduar të qëndronin shkarazi në fermë. Porse gjuri i Esherstit nuk e lejon atë të ikë të nesërmen. I duhet të rrijë më gjatë. Është pikërisht koha e mjaftueshme që të lulëzojë një histori dashurie njëkohshëm me lulet e mollës që priten të lidhin kokrra shumë shpejt.  Eshersti nuk i reziston dot joshjes së Migenit. E joshur edhe ajo, është e gatshme t’i përgjigjet dashurisë së djalit.

***

A do të vijë ajo vallë? Thua të vijë?

Mes  pemëve që lëkundeshin  si fantazma nën dritën e magjishme të hënës e pushtoi një dyshim shqetësues. Gjithçka këtu i duket jo tokësore, e krijuar jo për dashnorët e tokës por për faunat dhe nimfat… Për qeniet hyjnore, jo për atë dhe vajzën e re fshatare. A do të ishte më mirë që ajo të mos vinte? […] Befas dëgjoi që kërciti deriçka e kopshtit, pastaj, një fëshfërimë e lehtë. I mbështetur me shpinë pas trungut të pemës i shtrëngoi duart pas myshkut të kores dhe mbajti frymën. Pa zhurmë, tamam si një hije, ajo rrëshqiti mes pemëve. Ai e pa kur i erdhi fare pranë – trupi i saj i errët u ngjit e u bë njësh me trupin e mollës … Ajo u hodh drejt e në gjoksin e tij. Eshersti dëgjonte të rrahurat e zemrës së saj”.

***

LEXO DHE :  Posti për Prokuror të Përgjithshëm/ KLP shtyu mbledhjen, reagon Komisioneri Publik

Migeni i është përgjigjur dashurisë. Beson se dashuria është e të gjithëve. Ai, një zotëri i shkolluar, ajo një fshatare e bukur. Është lëkundur por më në fund ka besuar te dashuria e tij. Edhe ai është lëkundur mes pasionit dhe logjikës se ata nuk mund t’i përkasin njëri-tjetrit. Aty për aty ka dashur të besojë se NDJENJA ËSHTË MBI TË GJITHA. Pse të mos jetë kështu? Por ja që nuk është…

“Këputi një degë… tri lule… ç’krim të këpusësh një lule nga një pemë që do të japë fruta … lule e freskët e bukur, delikate dhe pastaj ta hedhësh përtokë…”

Galsworthy na ka paralajmëruar me mendimin që vetë Esherstit i ka vetëtirë në çastin që ka qenë duke pritur Migenin, nën degët e mollës.

Por pastaj, ç’ndodh?

Të rinjtë i përkasin kategorive të ndryshme shoqërore, mbi të gjitha niveleve të ndryshme intelektuale… Dyshja nuk mund të funksionojë. Ti mund ta këpusësh një degë molle, i magjepsur nga bukuria, për shkak të nevojës për ta adhuruar atë degë, por shpejt do ta kuptosh se ajo është e destinuar të thahet. Edhe Eshersti e kupton. Jo në çastin kur degën e ka në dorë, pavarësisht dyshimit, por gjithsesi bindet kur i shfaqet përpara një bimë me rrënjët në tokë e që do të rritet e lulëzojë edhe në vazhdim. Ndryshe e thënë e kupton sapo i shfaqet gruaja e tij e ardhshme. Stela është një vajzë e bukur, mbi të gjitha e sërës së tij. Është e shkolluar dhe ka pasion pikturën. Temat e bisedës rrjedhin natyrshëm.

Për Esherstin nuk është e lehtë shkelja e premtimit që i ka bërë Migenit. Sepse, dega e sapokëputur e mollës e ka magjepsur me freskinë dhe aromën dhe i ka shkëputur një premtim. Pas kësaj, ai ngurron, hahet me veten, por e shkel premtimin. Tek e fundit, beson se një pasion rinor, ashtu sikurse për të, do të jetë  kjo historizë e shkurtër dashurie edhe për Migenin… Por nuk ka nga ta dijë se nuk ka qenë ashtu…

Një pasion dashurie prodhon një dramë në librin LULET E MOLLËS, një tragjedi madje. Rrëfimi i Galsworthit nuk do ta kishte peshën që ka nëse nuk do ta kishte tragjedinë brenda. Migeni, e munduar nga pritja e kotë ndërmerr një hap ekstrem. Teksa Eshersti ka ikur me premtimin për t’u kthyer, dhe në rrugë e sipër ka takuar Stelën, me të cilën më pas martohet, Migeni, nën peshën e premtimit të pambajtur, vret veten…

***

LULET E MOLLËS është një histori që i takon një kohe të largët. Një tragjedi e tillë – pikë për pikë si në librin e Galsworthit – vështirë të ndodhë në kohën tonë. E megjithatë, sikurse dje edhe sot e madje nesër, nëse këput një degë me lule molle të sapoçelura, lule të freskëta, të bukura dhe delikate, e ta hedhësh përtokë… e sigurt është se ajo, nuk do të japë fruta…/dritare.net

TITULLI – Lulet e mollës

AUTORI – John Galsworthy

PËRKTHEU – Nasho Jorgaqi

BOTOI – Neraida

FAQE – 166

ÇMIMI – 400 lekë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.