DASH, thirrje autoriteteve të Maqedonisë të formojnë qeverinë e re
Dritare.net
Që prej zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, në Maqedoni po vazhdon ngërçi politik me zvarritjen e transferimit të pushtetit tek shumica e re e deklaruar parlamentare. Procesi i zgjedhjes së kreut të parlamentit, me këtë edhe i formimit të qeverisë është bllokuar. Ndonëse, Lidhja Social Demokrate, e cila pretendon ta formojë qeverinë, thotë se së shpejti do të zgjedhet kryetari i parlamentit dhe më pas do të formohet qeveria reformatore. Por, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE kërcënon me trazira të mbështetësve të saj në rrugë, nëse pushteti kalon në duart e socialdemokratëve.
Edhe presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov ka përsëritur të mërkuren se nuk do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë zotit Zoran Zaev për shkak të mbështetjes që Zaev i jep “Platfomës së Tiranës”, sipas presidentit maqedonas, e që e rrezikon sovrantetin dhe pavarësinë e Maqedonisë, sipas vlerësimeve të Ivanovit.
Ndërkohë, një numër analistësh në Shkup vlerësojne se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk po përfshihen sa duhet në zgjidhjen e ngërçit më se dy vjeçar të Maqedonisë dhe se po presin që drejtuesit politikë ne Shkup të merren vetë me problemet e brendshme.
Kjo shikohet si kriza më e vështirë politike dhe institucionale në të cilën ka rënë vendi, ndonëse zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i jepnin fund asaj.