Nëse diçka do të mbahet mend nga ky Kongres i socialistëve, do të jenë rezultatet e votimeve 3:1497 dhe 6:1494. Kush ka qeshur me rezultatet e kongreseve të Sali Berishës, është koha të qeshë prapë. Po i afrohen rezultateve të Komandantit.
Deri në asamblenë e fundit, Edi Rama për shkak të qënies në opozitë, ishte i detyruar të afronte në parti dhe forumet drejtuese të saj edhe njerëz me personalitet dhe të njohur në publik, të nevojshëm në kohën e opozitës, për të krijuar një velo intelektualizmi dhe gjithëpërfshirje. Asambleja e re, pasqyron vizionin e Ramës për partinë. Në rradhët e saj, emëruesi i përbashkët është besnikëria. Shumë prej tyre janë emra të panjohur, jo vetëm për publikun por edhe për partinë. Gramoz Ruçi dhe Pandeli Majko, e ndihmuan t’i japë dorën e fundit. Janë nga garda e vjetër. Tani janë krejtësisht në darën e Ramës i cili mund t’i ekzekutojë në çdo moment, me dorën e buratinit të tij Taulan Balla. Por nuk do të jetë e nevojshme.
Do të jetë kuriozitet qëndrimi që do të mbajë Blushi dhe ndjekësit e tij. Nëse mendojnë të vendosin shishen në rradhë, derisa Rama të humbasë dhe dorëzojë partinë, nuk funksionon. Rama është shumë i ri dhe shumë i korruptuar, për të dalë në pension pa mbrojtje politike. Ndoshta mendojnë se mund t’ia marrin me puç brenda partisë. Pak e vështirë duke parë se deri më sot, Rama është i pa konkurueshëm në intrigë.
Por ajo që intereson është e ardhmja e vendit. Në këtë kuadër politik, ata që bëjnë diferencën janë Berisha, Meta dhe Rama. I pari, nuk është më aktiv. Meta, është më racional, dhe i vetëdijshëm për forcën që ka, e di se nuk mundet të bëjë diferencën, por vetëm të mbijetojë. Ramës i vetmi rrezik që i kanoset, është një shizmë nga rradhët e tij. Ajo mund t’i rrudhte numrin e deputetëve. Dhe normalisht kundërshtarët e tij, tashmë nëse duan ta thyejnë, duhet të bazohen tek vota e sovranit. Ramës nuk i imponohen dot me debat brenda partisë. Ai e kontrollon atë. Mund t’i imponohen duke krijuar një parti të re e cila me numrin e deputetëve që do të marrë në parlament, do ta detyrojë të negociojë. Dhe dihet që nuk ka burrë më të egër me të dobëtit (siç e tregoi kongresi, apo sjellja me partitë aleate); dhe burrë më të epshëm me të fortit (siç është me Metën dhe dikur me Berishën). Tashmë Edi Ramën, ashtu si Berishën dikur, mund ta ndalë vetëm sovrani në revanin e tij. Këtë duhet ta kuptojnë kundërshtarët e tij. Përndryshe vitrina e muzeut të politikanëve në pension, ka plot vende bosh.