Çfarë ndodhi mbrëmë në Tiranë e Durrës dhe fuqia e “fake news”!
Dritare.net
Lajmi ishte komplet i paverifikuar si burim dhe supozohej ta kishte thënë sizmologu grek në Top Channel.
Por gazetari që intervistoi sizmologun, në Greqi, Aleksandër Marku u shpreh në komentet e tij në Facebook se: "Sizmologu grek më tha saktësisht dhe kjo dëgjohet edhe në intervistën që publikoi TCH se nuk do të ketë tërmete më të mëdha, ai që ra dje ishte kryesori. Ndërsa tashmë do të ketë lëkundje të lehta. Nuk e kuptoj sesi mund të shtrembërohet e zeza mbi të bardhë nga disa sharlatanë që duhet të dënohen penalisht me këtë që bënë pasi luajnë me jetët e njerëzve."
Shumë shpejt, pas shpërndarjes së lajmit, kryeministri Edi Rama në Facebook, shkroi se ishte i pavërtetë dhe kriminal.
Postimin e Ramës e publikuan edhe portalet që dhanë lajmin e tërmetit.
Por ishte vonë. Fake news i nxitur edhe nga tërmeti prej 4 ballësh që ra sërish mbrëmë, bëri të vetën. Tirana dhe Durrësi në panik, braktisën shtëpitë. Të gjithë ishin në rrugë, stadiume, makina.
Të gjithë prisnin tërmetin apokaliptik. Dhe kush e kuptonte se kjo qe e pamundur të qe e vërtetë, i nënshtrohej marrëzisë kolektive dhe bashkohej me turmën në panik, duke lënë shtëpitë.
Pasi kaloi ora 23.30 dhe nuk ndodhi gjë, pas daljeve të ministres së Mbrojtjes, e sidomos përgënjeshtrimit të Qendrës Ndërkombëtare të Sizmologjisë, situata nisi të qetësohej dhe njerëzit që po rrinin jashtë në pritje të tërmetit, kuptuan se ishin pre e mashtrimit.
Rreth orës 24.00, Policia e Shtetit shkoi në zyrat e 'Syri.Net' dhe 'Shekulli' dhe shoqëroi në komisariat gazetarët e turnit të dy portaleve ku u publikua lajmi.
Ky qe lajmi i fundit i një ditë të pazakontë në Tiranë e Durrës, që na solli ndërmend kohët e piramidave dhe psikozën kolektive që krijon një fake news.
Sot është një ditë pushimi për fëmijët që kanë kaluar dy ditë në panik. Duke uruar të ketë mbaruar dhe të kemi kuptuar diçka nga kjo situatë, ju urojmë ditë e fillim jave të mbarë!/dritare.net