Çelet ekspozita “Flas shqip” e Roland Tashos
Dritare.net
Nga Dritare.net
Fotografi i njohur Roland Tasho, na sjell pranë jetën, përpjekjet dhe sukseset e shqiptarëve, nëpërmjet ekspozitave të tij. Tasho njihet për projekte të tilla, ku shpesh ka organizuar ekspozita me shqiptarë dhe për shqiptarë. Njëjtë është edhe “Flas shqip”, një ekspozitë e cila të fton të njihesh me bashkëkombësit e tu, që kanë prekur suksesin dhe janë integruar nëpër botë.
Ekspozita e hapur ditën e shtunë, në GKA, ishte zgjedhur për të çelur aktivitetet që do të mbahen në kryeqytetin shqiptar në kuadër të javës së diasporës dhe Samitit të Diasporës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 20 nëntor.
Janë rreth 300 fotografi, të cilat janë të vendosura në tre prej galerive kryesore në Tiranë, Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar dhe COD.
Tasho thotë për dritare.net se janë 20 vite që ka nisur projektin dhe arsyeja ka qenë e thjesht, të përmirësonte imazhin e shqiptarëve në botë.
“Projektin e kam nisur 20 vite më parë, kur unë nisa të merrem me dokumentimin e shqiptarëve në botë. Filloi në vitin 1999-2000, me shqiptarët e Italisë. Shkaku ishte që sa herë që shkoja atje, përballesha me shtypin e huaj, që flisnin për prostituta dhe kriminelë shqiptarë. Unë, duke qenë se shkoja shpesh, pasi kisha ekspozita, njihja shumë shqiptarë me profesione të nderuara, mjekë, sportistë, artistë, etj. Për këtë arsye i propozova Ambasadës Italiane projektin, me qëllim ndryshimin e imazhit dhe ata pranuan. Dhe financimi vjen nga ambasadat, ato nuk e bëjnë për mua, por sepse iu pëlqeu projekti.
Nuk ka pasur vështirësi, pasi për mua ka qenë e lehtë, se duke qenë vetë gazetar, kontaktet me ambasadat, njohjet, bënë që të fotografoja sa më shumë shqiptarë në botë, që kanë arritur të integrohen më së miri në vendet përkatëse.”
Rolandi tregon se të gjithë personazhet e fotografuar, e kanë mbështetur idenë e tij dhe se janë treguar të gatshëm për ta ndihmuar. Edhe pse për fotografin ato nuk janë foto, por përfaqësojnë 300 histori personale.
“Të gjithë kanë reaguar pozitivisht, pasi vet projekti është pozitiv. E bukura e projektit ka qenë, se të gjithë këta, nuk i kam vetëm personazhe të fotografuar, por ishin dhe pjesëmarrës, më ndihmonin me kontakte, apo edhe me gjetjen e titujve. Është një projekt gjithëpërfshirës dhe unë kam fituar shumë nga ky projekt, kryesisht kontaktet me njerëzit.
Nuk është vetëm një foto, unë në fillim jam takuar me të gjithë, i kam dëgjuar historitë, i njoh. Pra çdo foto është një histori personale.”
Për Tashon, shqiptarët në Shqipëri dhe emigrantët që jetojnë jashtë, i ndan një hendek i madh, edhe pse jemi një racë, nuk jemi njësoj.
“Shqiptarët jashtë Shqipërisë janë integruar tashmë, por asnjëri prej tyre kur ka shkuar në një shtet të caktuar, nuk e ka pasur të lehtë. Ndërkohë, shqiptarët këtu në Shqipëri, me shqiptarët në botë, janë shumë ndryshe. Janë e njëjta racë, por nuk janë njësoj. Shqiptarë jashtë kanë fituar kulturën e punës dhe është puna ajo që e ndryshon njeriun.”
Fotografi i njohur thotë për dritare.net, se do të vazhdojë të dokumentojë jetën e shqiptarëve dhe arritjet e tyre në botë, pasi të gjithë kemi nevojë për gjëra pozitive.
“Ashtu siç fotografon, ashtu të bëhet dhe jeta. Prandaj unë dua të fotografoj gjëra pozitive, optimiste, për të treguar shqiptarët e suksesshëm. Dhe nëpërmjet ekspozitave që paraqes, njerëzit të njihen me ta, të vijnë familjarë për të parë vajzën, djalin apo të afërmin e tyre.”- është shprehur Rolandi./ dritare.net