Çdo gjë ndodh për një arsye. Ta thotë Fjorda, ty!
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani Fundjavën që kaloi vendosa ta kaloja vetëm me shoqet buzë detit në Drimadhes, plazhin tonë të preferuar në jug. Mua s’para më shkojnë gjërat sic i parashikoj, por më dalin më mirë akoma megjithëse me pengesa rrugës. Parashikuesit e motit nëpër Instagram ndillnin negativitet se koha ishte me shi e gjoja nuk shkohej në plazh. Më iku mendja sepse ishim prehur të bënim dhe një shëtitje me varkë. Në momentin që po kancelonim të gjitha planet, nga Drimadhesi më japin lajmin e se doli dielli. Nisemi tre goca duke i rënë nga autostrada e Elbasanit, me preteksin se e Durrësit ishte e bllokuar. Çdo 1 orë telefonoja recepsionin e hotelit për t’i pyetur si dukej koha. Kur më thanë se ka filluar plazhi mu qetësua shpirti. Llogaraja mblodhi retë e gjithë jugut dhe kur po zbrisnim pamë detin që shkëlqente. Mbledhim kockat tek Drymades Resort ku vërdallë shikonim ullinj, lule rozë, jeshilllik e gjelbërim me pamje nga deti. Ndodheshim fiks si ‘Alice in Wonderland’ në një shtëpizë cute kukullash. Kur pashë kohën aq të mirë u pendova që vendosa ta ndaj fundjavën vetëm me shoqet, ndërkohë që abandonuam çunat komplet. I marr në telefon: “A do vini në Drimadhes ore se ka dal dielli?”dhe pas 100 lutjeve përgjigja ishte: “Na prit se erdhëm”, e prej vërteti erdhën me shpejtësinë e dritës. Nga një fundjavë me shoqet u bëmë një tufë e paparë.Cunat ishin fiksuar të shkonin tek Kala Festival meqë gjasme bëhej nami. Në pamundësi për të gjetur bileta, të shtunën mbrëma e kaluam në clubet tipike të Dhërmiut. Asnjë gjë e veçantë po hajt mo. Shkojmë për të fjetur herët që të zgjoheshim sa më të qetësuar të nesërmen. Në mëngjes zgjohemi nga gërrhitjet e çunave, që çdo vajzë ma kupton hallin e për çfarë flas. Shkojmë për kafe me gocat për të shijuar ato pak momente vetëm e të bënim lloqe rehat. Mbi tavolinën që u ulëm ishte krijuar një formë tende me gjethe. Fresku dhe hija që na duhej. Një kamarjer simpatik na afrohet sapo na sheh duke u ulur. I buzëqeshur pyet: “Mirmëngjes goca ca do pini?””Na kënaqe çuno! Më pëlqejnë njerëzit pozitiv në pikë të sabahut”-i them unë e lumtur që gjeta një si vetja. Ndër kamarjerët e vetëm në jug që më foli aq mirë për më tepër duke qeshur. Buzëqeshja është arma e parë që duhet të përdorin të gjithë ata që punojnë në turizëm e në cdo shërbim tjetër klienti.Pasi hëngra vezët e mia sy për mëngjes, bëhemi gati për nisje. Dielli po shkëlqente, deti i qetë, kjo është jeta pra. Kur hipëm në bord ngritëm flamurin e hotelit të gjithë bashkë e u nisëm për ekspeditë. Anija ndaloi në Gjipe pas 1 ore. Deti kishte një ngjyrë fantastike! Ama asnjëherë me nuancat e blusë që bashkohen në plazhin e Drimadhesit, sidomos pas shiut. Kridhemi disa herë, fillojnë lojrat e trampolinave, treni i shampanjës, e qejfe pas qejfi. Hëngrëm diçka sa për të thënë dhe pas shumë orësh argëtim mes detit nisemi për hotel.
Dallgët e larta në kthim na nxorrën trutë , ndaj më zuri gjumi. Mendja më rrinte vetëm tek ushqimi pasi dielli na kishte rënë në toç të kokës. Prej 2 ditësh hanim vetëm sanduice e budalliqe të tilla. “Unë nuk iki pa hongër diçka të mirë iher”-thotë një prej shoqeve të mia. “Epo unë nuk iki pa e pi dhe një gotë verë të bardhë pra”-ja kthej unë nepsqarja. Jona, shoqja ime eksperte e midhjes dhe peshkut tha: “Ikim tek Fish Shopi në Drimadhes se nga aty sipër kapim dhe perëndimin”. Kur tha sipër mu duk sikur do shkonim goxha larg. E trrashur nga dielli e pyes: “Jo sipër shumë o non se nuk pres dot gjatë”. Ajo filloi të më sqaronte se restoranti ndodhej në hotelin ku po flinim, tek Drymades Resort.
“Uuuu po”- i them unë- “është i njëjti me të Tiranës, tani i rashë në të.” Lidha emrin me historinë që më kishin folur shumë persona që zotëria në fjalë dikur shiste vetëm peshk, e pastaj e kishte kthyer në restorantme emër. Punonte pak e saktë.Vendosëm të shkonim kudo që të ishte, aman vetëm të mbushnim barkun.
Zbresim nga ekspedita në det që na turbulloi mendjen e stomakun, e futemi direkt në recepsion për të rezervuar një tavolinë që ta kishim gati shpejt. Me gjithë tangërllikun tonë që na karakterizon, pak se i bëmë late check out, kërkonim të bënim një dush e pastaj të na rezervonte për darkë. Kur kthen kokën njëri nga grupi: “Ej harrojeni darkën, këtu ka shuuumë njerëz. Hajde ikim hamë paçe në Llogara.” E zhgënjyer shikoj recepsionistin me mëshirë. “Më vjen keq por nuk ka tavolinë të lirë tani. Mbase pas një ore e gjysmë”. Direkte tavani në kokë! Filluam me aftësitë tona prej seksereje. Kërkuam të flisnim me menaxheren që ta kuptonte sa të uritura ishim. Duke e vënë në sedër që “ne jemi klienta të përhershëm tek ju” dhe me pretekstin se “me që jemi femra s’mund të refuzohemi”, ajo na dëgjonte ndërkohë shkruante në telefon. “Goca duhet të më prisni pak. Bëni dushin dhe hajdeni përsëri të shohim ç’mund të bëjmë.”
Mu duk sikur na bëri dalje e i humbëm shpresat, ama kur dolëm nga dhoma ajo po na priste duke qeshur. “Po ju sajojmë një tavolinë poshtë tek plazhi pas çadrave, se nuk mund t’ju lej në rrugë”-thotë menaxherja e hotelit gjithë lezet.
“Ju thash që buzëqeshja i zgjidh të gjitha”-i them gocave. Sa mu bë qejfi për një vajzë të aftë që punon në turizëm dhe i zgjidh situatat tak fap. Pse vetëm çunat eee?? Presim pak sa të organizoheshin gjërat,
kur shof një tavolinë super romantike, poshtë çadrës së masazhit. “Me që masazhin se kemi inaguruar akoma thamë po ju vendosim këtu se është vendi i vetëm që tavolina mund të rrijë drejt”- thotë ajo. Me thënë të drejtën jo vetëm që nuk ishte sajesë, po as me plan ta kishim bërë s’do dilte aq bukur. Mezi po prisja ta shikonin edhe të tjerët. Çadra që hoteli kishte krijuar për krevatet e masazhit dukej shumë artistike. Me perde të bardha në cep, dekorime pemësh rreth e përqark, mu duk vetja si në Greqi. “Ja pra të dashura gra mirëse erdhët në Mykonos”- i them shoqeve kaq të kënaqura për tavolinën. “Mu fiks këtu e kisha bo me qejf një dasëm”- ëndërroja pa gjetur burrin akoma. Kamarjerët na qëndruan pronto dhe shefja e punës herë pas herë më kontrollonte me sy se s’donim të kishim asnjë ankesë. Njerëzit që kalonin me siguri mendonin që kishim ndonjë festë beqarie. Pale ata në tavolinat e restorantit sa xhelozë janë bërë. Më dukej vetja si darka e fundit e Jezu Krishtit. Mos të flas për perëndimin që na shoqëronte në sfond. Pimë pak verë të ftohtë sic e do zakoni kur ha peshk, e porosinë ia lamë në dorë mandenxheres me që ajo bëri gjithçka gati. “Aman të keqen vetëm mos i bi në top me faturën”-i them asaj meqë krijuam kofidenca. Kërkesat tona nuk mbaronin në fakt dhe mazalla se na e bënë fjalën dysh. Vetëm në Bodrum na kanë bërë kaq shumë fresk dhe yzmet nëpër restorante. Kur erdhën ushqimet nuk ngrihej koka nga tavolina. Pa fol, pa qesh, pa lëviz kur thotë ajo shprehja. E preferuara ime ishte sallata me salmon, karkalecat krudo dhe gaforrja e mbushur. Ushqimi mbante era erëza të ndryshme që ndjeheshin që sa vinte pjata. Mos të harroj dekorin e tavolinës me qirinj. Shumë romantike pra na e bënë mendjen pordhë. Sa për çmimet di t’ju them qëështë më lirë se çdo restorant tjetër në zonë. E mos më thoni që e kam standartin e lartë se po të bëni një xhiro vërdallë e shikoni sa kushtojnë. Edhe student të jesh i kursen robi dy pare për t’i bërë qejfin vetes. Në shoqëri të mirë duke pirë verë harruam fare orën. Një tavolinë të tillë zor se e gjen për herë të dytë, prandaj do e shfrytëzonim deri në fund.E falenderuam shumë shefe npër të gjitha. “Herës tjetër e deshëm tavolinën poshtë pemës së ullirit tek hoteli”-i them me shaka. Gjoja që ne kur të vijmë këtu prapë, do duam përsëri dicka speciale si kjo se na e krrefën bishtin shumë. Duhet të kishim hipur në varkë që të na merrte uria, të na tekej për ushqime deti, restoranti të ishte plot, që ne të fitonim darkën në vend të pazakontë.Rrugës për Tiranë gjatë natës u përforcoj gocave moton time të jetës: “Çdo gjë ndodh për një arsye!” Dhe kjo fundjavë e vërtetoi më së miri./ Dritare.net