Ç’do bëjmë këtë verë? Djalë, vajzë apo pushime?

Nga Edlira Ruzi

Ngjisim shkallëzat e drunjta nëpër ullishte, e dëgjojmë zukatjen e bulkthave, ndërsa kraharori mbushet me aromë erëzash e çaji. Zhegu ka mbërritur me shpejt se mesdita, por askush nuk bezdiset. Pak më tutje mund të gjesh freskinë e detit ose hijen e ullinjve. Jemi kthyer në Livadh. Përsëri te Tefta e Vironi, me shtëpizat e tyre të drunjta që mbajnë emra lulesh e frutash.

Bashkëshorti im përshëndet greqisht. Më shumë se përshëndetje më duket si thirrje. Nga minikuzhina e sajuar në natyrë, i vjen përgjigjja. Nuk e kuptoj se ç’thonë, por ndihet ngrohtësia e mikpritjes. Janë të gëzuar që na shohin të tre.

Një vit më parë ishim këtu, por vetëm si çift. Kur Tefta mësoi verën e kaluar se prisnim të bëheshim prindër, me sytë gjithë shkëlqim pyeti: E dini gjininë?

Pa na dhënë kohë të përgjigjeshim vazhdoi: Jo, mos ma thoni! Shkoni te Vironi se jua gjen ai se çfarë është.

E lamë Teftën të hekuroste çarçafët e bardhë borë që prisnin miq, kryesisht të huaj, e u ngjitëm pak më tutje te Vironi. Ai nxori rakinë e bëri kafetë. Na serviri edhe çaj bimor e glikotë e përgatitura nga Tefta dhe na shpjegoi se tërë ato tufëzat e bimëve e erëzave nga më të padëgjuarat, i mblidhte zonja e tij, e cila ua dinte emrat dhe dobinë. -“Janë në dorë të sigurt turistët.”,- tha Vironi. “Çfarëdo t’u dhembë, ua bën dermanin Tefta.”

Mihali, djali i tyre, qeshi e tha se s’ia mbante t’i provonte gjithë ato çaje që sajonte e ëma, megjithëse askush nuk ishte ankuar deri me sot. “Kush e di se ç’dreqin fut aty”, – tha Mihali, “Ju qofshi…!”

Ne qeshëm, me shpirt, ndërkohë që unë e kisha pirë tashmë gjysmën e gotës.

“Viron, duam të dimë se ç’do të bëjmë andej nga dhjetori,”- i thamë. Djalë apo vajzë? Vironi mori laps e letër. Filloi të pyeste për data, muaj e vite dhe me një vetëbesim të palëkundur dha verdiktin: Në dhjetor do të bëni djalë. Kam bërë 200 parashikime dhe të tëra të sakta- tha Vironi dhe u ngrit t’i hidhte një sy lavatriçes, e cila punonte pak më tutje. Kuptohej veç nga ndonjë ndërresë e varur apo ndonjë kamerdare a lodër fëmijësh që ato shtëpiza përpjetë ullishtes, ishin edhe të banuara. Qetësia të bënte të mendoje se ishim vetëm ne aty pari. “Na jep edhe formulën për të bërë një vajzë.”, i them Vironit, ndërsa provoj reçelrat dhe shuaj etjen me çajet çudibërëse të Teftës.

LEXO DHE :  Nëse e dashura ju kontrollon telefonin, ka këto probleme psikologjike!

Ndërkohë dielli është ngjitur aq lart sa e bën të domosdoshme një kredhje në det.

-“Ia vlen këtu”, thotë si me vete Mandi, bashkëshorti im, duke me shkëputur nga kënga e vazhdueshme e gjinkallave. “Po vërtet ia vlen ky vend”,- pohova unë.

-Por më shume e vlerësojnë të huajt, u hodh Tefta nga pas shpine. Kishte mbaruar se sistemuari dhomat e lira dhe mbante në duar një kanistër me çarçafë. –“Hë, ç’ju tha Viro?”, shkëputi Tefta fillin e mendimit. “Ua gjeti?”

-“Po”, i thamë. “Pikës i ra. Vërtet djalë presim. E gjeti me ato formulat e veta matematikore.”                                                                              -“5 vjetët që vijnë vetëm djem mund të bëni.”-thotë Vironi, në përgjigje të formulës që i kërkova për vajzën. Kështu e bëri dhe një tjetër parashikim për të cilin duhet të presim për ta vërtetuar. Një lloj basti. Por Vironi e Tefta i fitojnë bastet. A nuk ka qenë një lloj basti dhe ky biznes? I imagjinoj para shumë vitesh kur kanë vendosur të  ngrenë kampin e shkallëzave “Scala Bungaloës”, kur i thanë vetes “Ky vend ia vlen. Do të kemi  sukses.”

Dhe vërtet patën. U vijnë miq tërë vitin nga anë e anës. Ja pikërisht këtyre njerëzve të paqtë, që e kanë qejf greqishten, por që i ndrisin faqen Shqipërisë. Me një timbër zëri nga larg të ashpër, por nga afër të ngrohtë e miqësor. Ata që fillimisht i pyet për çmimin e dhomës, por që pas ca muajsh u telefonon për t’i pyetur si ia çojnë me shëndetin.

Eh, kush e di se ç’fut Tefta në ato çaje. Ju qofshi po s’i provuat! Ndërkohë unë do të pres të kalojnë 5 vjet duke i lënë fëmijët në dorë të Zotit, kurse turizmin në duart e Teftës e Vironit./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.