Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çapajt dhe Berisha kthejnë përgjigje tek OFL brenda 24 orëve: Ja pasuria jonë!

Çapajt dhe Berisha kthejnë përgjigje tek OFL brenda 24

Pas letrës që OFL i ka nisur fisit Çapja dhe Lul Berishës që të deklarojnë pasurinë dhe rrugën që e kanë vënë, këta të fundit nuk kanë pritur 48 orë por kanë kthyer përgjigje menjëherë. Ata i kanë shkruajtur personalisht kryeministrit Rama. Ne po i botojmë të dyja. Ja letrat e Çapajve:

Përshendetje o mret.

Si ke qenë ti vetë, si i ke nga shpia? Ishalla do zoti, mirë.

Ne na ka ardh nji letër që na thotë të justifikojmë sesi e kemi vënë pasurinë dhe këtë duhet me e ba mrena 48 sahatve.

Njime me t’than të drejtën llogaritari jonë mba edhe hesapin e Rotshildëve në Londër. Pesëmbëdhjet ditë puno në Elbasan dhe 15 në Londër. Ky i ka qëllu pesëmbëdhjet ditëshi i Londrës. Bëj zahmet e prit deri në 17 shkurt.

Hahaha. Bajm shaka o mret.

Po ku bahet llafi yte dysh. Njime do ju futena letrave dhe pasnesër qy m’sabah i kena gati. Vetëm na thuj ku ti çojmë, në polici apo tek tatimet. Dhe thuj atyre çunave që nuk kemi asigjo me ata po na ke çu ti. Se po na i bje ndonji infarkt ndonjonit prej tyre kur t’na shofin tek dera dhe nuk dona gjynohe m’shpinë.

U bofsh 1.000 vjeç o mret për t’mirën tate dhe tonën

Me respekt

Fisi Çapja

Ndërsa Lul Berisha si i sprovuar me institucionet shtetërore ka qenë më zyrtar në përgjigjen e tij. Ja çfarë i shkruan:

I nderuar zoti kryeministër,

Dje më erdhi një letër nga këta që quhen OFL. Ma kishin lënë poshtë deret. Tani, unë e njof ligjin dhe mund të them që nuk kam hedhur firmë që e kam marrë letrën dhe të bëj sikur s’di gjë. Por së pari unë kam respekt për ju dhe për institucionet. Së dyti, nuk kam gjë për të fshehur.

Kështu, sa i takon pasurisë time, ajo përfshin një rrogë që marr si fshesaxhi në Bashkinë e Durrësit. Aty fillova punë kur dola nga burgu dhe aty kam mbet. Gjynaf me i hy në hak, por ai Vangjushi ishte djalë flori. Dhe si e kishte zemrën, ashtu ja çoi zoti: asnjë pallat që ka furnizuar me beton nuk është rrëzuar, vetëm janë krisur.

Prej atij vendi ku më çoi Gjushi nuk kam luajtur se jam rehat. Natën dalim për pastrim ndërsa ditën fle gjumë.  Çohem vetëm që ha një çap bukë pasdite. Ça më tepron ndonjë lek, e çoj për të dëmtuarit e tërmetit, siç na ke thënë ti.

Pra i nderuar zotëri, kjo është gjithë pasuria ime. Mbetem në dispozicion për çdo sqarim dhe ju uroj suksese të mëtejshme në forcimin e shtetit ligjor, mision të cilin besoj se do e kryeni me sukses dhe për të cilin të gjithë ne jemi të interesuar.

Me respekt,

Berisha

(Dmth Luli, jo Saliu)

/ Dritare.net