Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Bukuroshja e fjetur e jetës reale. Prej 5 vjetësh, bie në gjumë dhe zgjohet pas 6 muajsh

Bukuroshja e fjetur e jetës reale. Prej 5 vjetësh, bie në
Normalisht, Beth Goodier duhet të kishte mbaruar universitetin tani dhe të kishte nisur trajnimin si psikologe fëmijësh. Me një sërë rezultatesh mbresëlënëse në shkollë, një vajzë plot vetëbesim, e shoqërueshme, ajo ishte një vajzë që kishe çdo arsye për të menduar se do të kishte një të ardhme të ndritshme përpara.

Por në prag të ditëlindjes së saj të 17 në nëntor, pesë vjet më parë, Beth ra në gjumë dhe nuk u zgjua për gjashtë muaj. Për 22 orë çdo ditë, ajo vetëm flinte. Zgjohej në një gjendje si në ëndërr, për të ngrënë pak, për të pirë dhe për të shkuar në tualet.

Gjatë pesë viteve të fundit, nëna e Beth, Janine, ka llogaritur se vajza e saj ka qenë në gjumë, 75 për qind të kohës.

Pak dihet se çfarë e shkakton këtë çrregullim të gjumit dhe aq më pak dihet kura e kësaj sindrome.

Ajo që dihet, është se kryesisht ndodh tek adoleshentët, mosha mesatare është 16 dhe zgjat rreth 13 vjet, duke shkatërruar kështu shpresat e të rinjve për të kaluar provimet, për të shkuar në universitet apo për të pasur një karrierë.

Në këto momente, Beth është në periudhën e gjumit, ajo ka dy muaj e gjysmë në gjumë të thellë. Asgjë nuk do mund ta zgjojë atë, as ilaçi, as zhurma e fortë, as lutjet për t’u zgjuar.

Kështu, jeta e saj kalohen e veshur në pizhame, në shtrat apo divan. Në raste të rralla ajo del nga shtëpia e saj në Cheshire, për t’u vizituar tek një mjek, dhe në këto raste duhet shtyrë me karrocë, sepse ndjehesh shumë e lodhur për të ecur.

Gjithçka që mund të bëjë Janine, nëna e saj, është të ulet e të presë dëshpërimisht që truri i saj të ‘ndizet’.

“Është si nata me ditën. Ajo mund të zgjohet nesër dhe pastaj është një tjetër luftë, është një garë me kohën, për të jetuar jetën që ajo duhej të kishte jetuar kur ishte në gjumë. Ajo mundohet të takohet me shoqet, të shkojë të bëjë flokët dhe askush nuk e di se kur mund të bjerë në gjumë të thellë, përsëri”.

Beth nisi të ndjehej e lodhur rreth moshës 16 vjeçare dhe Janine mendoi se ishte thjesht një plogështi adoleshence.

Më pas, një mbrëmje, Beth ra në gjumë në shtrat dhe nuk zgjohej. Kur Janine u përpoq ta zgjonte, u tmerrua kur Beth nisi të fliste përçart me zërin e një 5-vjeçareje.

Natyrisht, Janine mendoi më të keqen, se vajza saj mund të kishte një tumor në tru ose hemorragji, dhe kështu e çoi Beth menjëherë në spital. Por të gjitha analizat dolën mirë.

Gjendja e saj habiti të gjithë stafin mjekësor, derisa një mjek u kujtua për një koleg, i cili kishte kaluar një rast të ngjashëm.

Në atë kohë, Beth sapo ishte shëruar nga grykët, dhe ekipi mjekësor dyshoi se kjo ishte shkaku i gjendjes së saj.

Hulumtuesit besojnë se një infeksion mund të shkaktojë një lloj inflamacioni në tru, tek njerëzit me një predispozitë gjenetike, dhe kjo mund të dëmtojë talamusin dhe hipotalamusin, zonat përgjegjëse për gjumin dhe nxitjen e shqisave.

Qysh kur u diagnostikua me këtë sindromë, Beth ka qenë më shumë në gjumë sesa e zgjuar, duke kaluar shumicën e ditëlindjeve, pushimeve dhe festave në gjumë. Kur ajo zgjohet, nuk mban mend që ka qenë në gjumë dhe nuk kupton se koha ka kaluar.

Shpresat e Beth për t’u bërë psikologe fëmijësh u venit pasi u detyrua të shkëputej nga shkolla.

Dhe Janine, një nënë single, është detyruar të heqë dorë nga puna saj, për t'u kujdesur për vajzën gjatë gjithë kohës.

“Simptoma më e tmerrshme është konfuzioni saj. Kur ajo zgjohet, për disa orë, nuk e di ku është dhe shqetësohet shumë, e kap ankthi. Viti më i vështirë ishte kur miqtë e saj përfunduan shkollën dhe nisën Universitetin, dhe Beth u dëshpërua shumë sepse e dinte që kur të zgjohej, do të bënte të njëjtën gjë, por nuk e realizoi dot. Dhe kur ajo ndjehet e lënduar, po aq e lënduar ndjehem edhe unë” – tregon Janine.

Megjithatë, një njeri që i ka qëndruar pranë Beth është i dashuri saj Dan, një mësues 25 vjeçar me të cilin u takua gjatë fazës së zgjimit, tre vjet më parë.

“Ai vjen çdo ditë dhe ulet pranë saj, bisedon me të dhe pret që vajza me të cilën ra në dashuri, të zgjohet. Kur ajo është zgjuar, ata rifillojnë lidhjen e tyre normale, si dy të rritur” – thotë Janine.

Por Beth nuk ka më shumë se dy javë kohë, përpara se sindroma ta rikthejë në gjumë.

Janine thotë: “Çdo herë lutesh që kjo të jetë faza e fundit e gjumit, por më pas zemra të copëtohet kur shikon se shenjat kthehen. Zëri pëson regres, drita dhe zhurma e shqetësojnë dhe ja ku zhytet përsëri në gjumë të thellë. Më thyhet zemra kur shoh që vitet më të bukura të jetës së saj, po rrëshqasin tutje”.

Për Janine, kjo është një rrugë e gjatë pritjeje derisa vajza e saj të zgjohet dhe të rifillojë jetën. Gjithçka mund të bëjë tani është të presë ditën kur Beth të zgjohet, një herë e mirë.

Kjo ndodh normalisht mes të 20-ave, kur koha midis fazave të gjumit bëhet më e gjatë dhe sindroma zhduket vetvetiu. Për momentin, ajo ditë është ende e largët për Beth.

“Një ditë, në të ardhmen, dua që Beth të jetë në gjendje të udhëtojë, të ketë një familje, të përfundojë universitetin, të bëhet femra që ishte paracaktuar të bëhej,”  thotë Janine.

“Kur e shoh, më kujtohet shprehja: Lëre të flejë, se kur të zgjohet, do të shkundë botën.”/dritare.net