Nga Dritare.net
Dhuratën e gjej të ulur në ambientet e dyqanit “Luga e Argjendtë”, duke lexuar “Fjalor Dialektor” të Pano Tase. Çdokush që e njeh atë, e di që Dhurata nuk shkon asgjëkund pa një libër, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me gjuhësinë.
Dhuratën e gjen me aromë. Nuk ka nevojë të pyesësh ku është “Luga e Argjendtë”. Ta tregon aroma e biskotave. Aroma të merr prej dore dhe të çon te dyqani i Dhuratës.
Po e quaj dyqan, për t’i gjetur një emër, por qoshja e dashur e Dhuratës në Bllok, nuk është dyqan. Një qoshe buzë rruge, ku ti hyn e nuk do të dalësh dhe nuk di çfarë të admirosh më parë. Fotografitë e veçanta ku janë ndërthurur bukuria e vajzave me ngjyrat e frutave, vitrinën ku ekspozohen produktet e stinës, mjalti, reçeli, vaji e ullirit apo vera e rakia.
Një qoshe trallisëse e joshëse, mes aromës dhe muzikës, që të befason dhe të bën të harrosh kohën dhe hapësirën. Është për shkak të muzikës, thotë Dhurata për dritare. net, me modesti, kur i tregoj trazimin tim.
Dhurata, nuk bën dot pa tingujt e muzikës në jetën e saj. Çdo pjate, çdo ngjarje e çdo personi ajo i përshtat një këngë.
Kënga e saj e preferuar e që e këndon gjithmonë nën zë është “Vajzë e Valëve” e kënduar nga Elina Duni.
Dhurata Thanasi Daneri që e vogël ka qenë një fëmijë kurioz, gjithmonë ka dashur të provonte gjëra të reja, të njihte të panjohurën. Në jetën e saj zor se gjen një ditë, të cilën ajo nuk ka çfarë të bëjë, pasi një ide e re, një projekt i ri i lind aty për aty. Studimet e para i ka mbaruar për gjuhë-letërsi, më pas gjatë gjithë jetës së vet ka kryer shkolla të ndryshme. Nuk beson që një njeri ka sukses nëse ka fat, për të suksesi vjen nëse lexon dhe mëson gjithmonë.
“Unë kam përfunduar studimet për gjuhë letërsi, madje një vit kam punuar si gazetare dhe këtu nis edhe dëshira ime për të shkruar. Krijova blogun “Luga e Argjendtë” dhe më pas hapa edhe dyqanin me të njëjtin emër.
Nuk besoj shumë në fat, por e quaj si element shoqërues. Fatin e ndihmojmë vetë, unë kam qenë gjithmonë kërkuese, nuk kam pyetur asnjëherë sa do të më paguajnë, që e vogël e kam pasur vokacionin për të bërë vullnetarizëm. Unë mund të bëj çfarëdolloj pune dhe dua ta bëj sa më mirë atë. Ajo që është shumë e rëndësishme është përgatitja, gjithmonë duhet të lexosh shumë e ta motivosh veten.”
Njohja me bashkëshortin italian dhe dashuria për kulinarinë
“Rreth viteve 1995 lexoj në gazetë për një konkurs për punë nga OKB-ja dhe menjëherë vendosa të aplikoja, ku edhe u pranova si menaxhere projektesh pranë UNDP.
Gjatë kësaj kohe unë u njoha me Fabion, i cili më pas u bë edhe bashkëshorti im. Fabio nuk gatuan, por ai ha çdo gjë që ka përpara, nuk është aspak nazeli. Mamaja e Fabios gatuan shkëlqyeshëm dhe unë çdo gjë nga kulinaria italiane e kam mësuar prej saj.
Unë kam punuar deri në 2002 në Tiranë, më pas Fabion e caktuan në Vlorë, e unë vendosa ta shoqëroja atje dhe e lashë punën në UNDP. Atje punova në Bashkinë e Vlorës si Drejtoreshë e Koordinim Zhvillimit dhe Marrëdhëniet me donatorët. Pas disa kohësh, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkonte në Romë një koordinator programesh që të njihte Ballkanin.
Aplikova dhe sapo nisa punën, ndërkohë bashkëshorti im ishte ende në Shqipëri. Atë më pas e caktuan me punë në Maqedoni dhe unë përsëri vendosa ta lija punën në Romë e ta ndiqja. Ne sapo ishim martuar dhe nuk donim të rrinim larg njëri-tjetrit. Në Maqedoni , Ambasada Italiane kërkonte dikë që të dinte gjuhën shqipe dhe të njihte punën me projekte kulturore. Më pas na caktojnë në Serbi, atje nuk arrita dot të punoja, pasi kushtet nuk ishin të favorshme dhe unë nuk gjeta dot punë.
Kemi udhëtuar në shumë vende, si pasojë e punëve tona dhe nga secili prej këtyre shteteve kemi marr shumë gjëra. Unë jam njohur me gjuhë të ndryshme, disa prej të cilave edhe i zotëroj, kam mësuar për kulturat e shumta.”
Kur ishte 34 vjeç, Dhurata lind djalin e saj, Niccolo, motivi e krenaria e saj, kështu ajo e quan. Edhe pse dukej se jeta e çiftit ishte e lidhur në shumë shtete njëkohësisht, të detyruar nga rrethanat dhe Dhuratën e tërhiqte vendi i vet , ata kthehen në Shqipëri. Por, tani kthehen si qytetarë të botës.
“Pasi jetuam për disa kohë në Amerikë, bashkëshortin tim OKB-ja e caktoi përsëri në Shqipëri dhe ne u kthyem të tre për në vendin tim të lindjes. Kur erdhëm këtu nisa përsëri punë në një organizatë të huaj, por që më ndihmoi shumë eksperienca. Unë merresha direkt me projekte që lidheshin me zonat rurale dhe kështu unë arrita të njoh gjithë Shqipërinë dhe të bëja zbulimin e territorit, nga ana historike, kulinare dhe e agrikulturës.”
Mezet magjike të gjyshes
Për Dhuratën ushqimi nuk është vetëm akti i të ngrënit, ushqimi është akt i të jetuarit, akt i të mësuarit, është çdo gjë që të përbën ty një njeri. Dhe ajo këtë art e ka të mësuar nga gjyshja e vet. Sapo nis të flasë për gjyshen, në sytë e Dhuratës dhe zërin teksa rrëfen për dritare.net, shpërthen nostalgjia dhe adhurimi.
“Dëshirën për kulinarinë e kam pasur që e vogël, sepse ka qenë gjyshja ime që ma ka futur në gjak. Ajo edhe nëse do të kishte vetëm dy ose tre produkte në shtëpi, arrinte të bënte një pjatë shumë të shijshme. Kishte shumë qejf t’i sajonte gjërat dhe të na kënaqte të gjithëve. Mbaj mend mezet që i bënte gjyshit tim, ku vinte pak lakra të egra
Më merrte e më mësonte si të bëja petët apo makaronat. Një teknikë që nuk do ta harroj asnjëherë, është kur merrte ato gotat e vogla të rakisë dhe i mbushte me mish e bënte ato që njihen si ravioli. Ndërkohë ne i quanim makarona nëne, madje edhe sot e kësaj dite unë ashtu vazhdoj t’i quaj.
Gjyshja pëlqente shumë që të gatuante perimet, por ajo që nuk mungonte asnjëherë ishin erëzat, si të thatat ashtu edhe të njomat.
Kujtoj kur shkonim me gjyshërit për pushime në Llogara e ne zbrisnim gjithmonë në fshatin Dukat, e merrnim perime nga fshatarët që i njihte gjyshi. Më pas ishte gjyshja e cila më mësonte si t’i gatuaja. Apo kur ngjiteshim në malin e Çikës, e mblidhnim sherbele, rigon, lule baseni.
I kam të gjitha të ngulitura në kokë. Fakti që më merrte përdore, lëviznim gjithandej, i preknim produktet me duart tona, ndjenim aromën e tyre e më pas shkonim për t’i gatuar në zjarrin që ndiznim pas shtëpisë. Unë të gjitha aromat i kam mësuar që në fëmijëri. ”
Dashuria për fëmijën, dashuria për tokën
Dashurinë për ushqimin e shëndetshëm, tokën, natyrën dhe universin, Dhurata ia ka transmetuar edhe djalit të saj. Ai është 11 vjeç, por përsëri preferon një pjatë me perime para një ushqimi fast food. Kjo vetëm nga puna e vazhdueshme që Dhurata ka bërë me të, duke i mësuar që në fillim rëndësinë që kanë ushqimet e vendit, por mbi të gjitha ato të stinës.
“Niccolo i ha të gjitha, përveç domates, të cilën ai nuk e preferon. Por, ai e dashuron tokën, madje kur e kam pyetur njëherë se çfarë do të bëhet kur të rritet, më është përgjigjur se do të bëhet fermer. Unë mendoj se fëmijët lindin kureshtar, puna është si ti ia kultivon atë kureshtje. Është e rëndësishme që prindërit t’i përkushtohen shumë fëmijëve që ata ta kuptojnë vlerën e të ngrënit ushqime të shëndetshme.
Nëpërmjet Food Revolution ne kemi arritur të bëjmë disa ndryshime, kemi më shumë se pesë vjet që shkojmë në shkolla. Atje ne iu tregojmë fëmijëve se sa të shijshme janë perimet e frutat dhe se ata mund të argëtohen duke i përgatitur vetë. Më mirë t’i japim fëmijëve një shalqi që të luajë sesa një Ipad. Le ta bëjë vendin pis, rëndësi ka që ti po e ndihmon që ai të zhvillohet.”
Edhe pse ka udhëtuar në shumë vende të ndryshme e në kontinente nga më të largëta, Dhurata përsëri preferon të hajë ushqime shqiptare, përsheshin me gjelin e detit dhe kabuninë, nuk i ndërron me asgjë. Pasi për të të gjithë njerëzit duan shijen e tokës së vet, pavarësisht vendit ku shkojnë.
“Në vitet 90’ ne filluan të na dukeshin të pavlera gatimet tona, pasi më parë nuk kishim me çfarë t’i krahasonim. Hera e parë që unë dola jashtë Shqipërisë, isha ende studente dhe kam shkuar në Republikën Çeke, e cila sapo ishte ndarë nga Sllovakia. Unë isha si në qiellin e shtatë, pasi të gjitha ishin gjëra të reja.
Edhe pse dija të gatuaja që kur isha e vogël, kur shkova në Gjermani për tre muaj studime, fillova të bëja recetat e para me produktet që merrja atje.
Në çdo vend që shkoj, gjëja e parë që kërkoj është një restorant që gatuan ushqime tradicionale. Urrej vendet me shumë yje, edhe pse i kam frekuentuar dhe i frekuentoj, pasi nuk mund t’i paragjykosh pa provuar. Por, kuzhina e vërtetë apo ushqimet më të mira nuk janë në qendrat e mëdha të qyteteve, ato janë atje ku ruhet ende tradita.
Nga vendet që kam vizituar kam mbledhur të gjitha kulturat për t’i përshtatur dhe krijuar me prodhime shqiptare, me produktet tona. Nisa të ndjehesha krenare për kuzhinën tonë, pasi ne kemi gatime shumë të mira e të shijshme. Njerëzit duan shijen e tokës së vet, kudo që të shkojnë. Shija është ajo që ka një retrogusto të menjëhershme.
Është e rëndësishme që të hamë në mënyrë stinore, në të kundërt kemi ndryshuar gjithë biodiversitetin. Kjo është shtëpia ku jetojmë e ne duhet të ndërgjegjësohemi për ta mbrojtur tokën.”
Së shpejti Dhurata sjell hartën e dhuratave për familjen
Edhe pse ende nuk ka një datë të caktuar, Dhurata ndan me lexuesit e dritare.net, projektin e radhës. Ku bëhet fjalë për një libër, një libër ndryshe, jo me receta siç jemi mësuar rëndomë, por me hartë kulinare. Të njohim ato ushqime të cilat gatuhen me lugë tradicionale shqiptare.
“Libri që unë do të publikoj së shpejti, do të quhet “Bukë, kripë e zemër”. Në libër unë do të trajtoj hartën e kulinarisë shqiptare, të cilën e kam bazuar kryesisht mbi pjesën gjeografike, doket e zakonet dhe feja. Pasi edhe feja ka ndikuar në diversitetin e ushqimeve që gatuhen në vendin tonë. Trajtohen gatime që janë autoktone dhe ato receta që janë të huazuara prej kohësh nga vende të tjera. Por, Shqipëria ka shumë pjata që kanë lindur nga shqiptarët vetë, si tava e Elbasanit, apo ajo e Shkodrës, jufkat dibrane. Çdo qytet ka pjatë autoktone, sidomos pjatat e varfra, që njerëzit nuk kishin dhe krijonin receta. Në libër është e trajtuar edhe pjesa e pijeve dhe muzikës, se me cilin ushqim shkojnë ato.”
Ashtu si gjyshja e vet edhe Dhurata kur gatuan për familjen e saj, gatuan shumë thjeshtë. I mjaftojnë pak produkte për ta bërë tryezën, vendin e preferuar për të gjithë. Sepse është ushqimi ai që e mbledh çdo familje, siç edhe Dhurata e cilëson një ushqim i shëndetshëm do të thotë një familje e lumtur./dritare.net