Terror pranë Shtëpisë së Bardhë: I armatosuri hap zjarr, vritet nga Shërbimi Sekret
Dritare.net

Një i dyshuar u vra pas një shkëmbimi zjarri me agjentët e Shërbimit Sekret amerikan pranë Shtëpisë së Bardhë të shtunën në mbrëmje, konfirmuan autoritetet amerikane.
Sipas mediave amerikane, i dyshuari është identifikuar si 21-vjeçari Nasire Best, i cili ishte i njohur për autoritetet dhe kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, pranë kryqëzimit të rrugës së 17-të me Pennsylvania Avenue, afër ndërtesës së Eisenhower Executive Office Building. Sipas Shërbimit Sekret, i dyshuari nxori armën nga çanta dhe filloi të qëllonte, ndërsa agjentët reaguan menjëherë duke kthyer zjarrin.

I plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit, i dyshuari u transportua në spital, ku më pas u shpall i vdekur. Një kalimtar mbeti gjithashtu i plagosur, ndërsa asnjë agjent i sigurisë nuk pësoi lëndime.
Presidenti Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë incidentit, por autoritetet deklaruan se as presidenti dhe as personat nën mbrojtje nuk u rrezikuan.

Në një reagim publik, Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e rendit për “veprimin e shpejtë dhe profesional” gjatë neutralizimit të sulmuesit.
Pas të shtënave, gazetarët që ndodheshin në ambientet e Shtëpisë së Bardhë u zhvendosën menjëherë në zona të sigurta, ndërsa rrugët përreth zonës u mbyllën përkohësisht.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit./L.F-dritare.net