Barrett konfirmohet si gjyqtare në Gjykatën e Lartë të SHBA, një javë para zgjedhjeve!
Dritare.net
Senati amerikan ka konfirmuar gjyqtaren Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë, një javë para zgjedhjeve presidenciale. Republikanët votuan pro me 52 vota, përkundrejt 48 votave kundër nga ana e demokratëve. Tashmë organi më i lartë gjyqësor në SHBA, ka një shumicë konservatorësh. Kandidati demokrat presidencial Joe Biden e quajti këtë veprim të nxituar dhe të pashembullt.
Gjyqtarja Barrett, 48 vjeç, u betua në Shtëpinë e Bardhë, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti Trump.
Vetëm një Republikan, Senatorja Susan Collins, votoi kundër Barret. Gjyqtarja e re është e treta në radhë, e emëruar nga presidenti republikan, pas Neil Gorsuch në 2017 dhe Brett Kavanaugh në 2018.
Trump tha se kjo është një ditë e rëndësishme për Amerikën, për kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe për sundimin e drejtë dhe të paanshëm të ligjit.
Me tej shtoi:
"Barret është një nga studiueset më të mira të kombit tonë dhe ajo do të bëjë drejtësi në gjykatën më të lartë në vendin tonë."
Barret është një katolike e devotshme, ajo jeton në Indiana dhe ka shtatë fëmijë, përfshirë dy të birësuar nga Haiti.
Barrett do të jetë një nga gjyqtarët që do të vendosë më 10 nëntor nëse do të shfuqizohet Ligji për Kujdesin Shëndetësor, të cilin Trump ka kërkuar ta rrëzojë. Ligji, i njohur gjerësisht si “Obamacare”, i miratuar në 2010, kur udhëhiqte Obama, është një masë që siguron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë.
Republikanët e kundërshtojnë këtë ligj, pasi sipas tyre, u kushton shumë taksapaguesve dhe i jep qeverisë shumë kontroll mbi kujdesin shëndetësor./L.F-dritare.net