Biznesmeni i lë 5 milionë lekë në tryezë, gjyqtarja e denoncon
Dritare.net
Në janar të këtij viti, biznesmeni Ervin Braho, nga Pogradeci, u shpall në kërkim, pasi gjyqtarja Selvije Gjonçaj bëri kallëzim penal ndaj tij. Biznesmeni kishte hapur me kompaninë e tij një proces gjyqësor kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës. Ai akuzohet se me qëllim që të siguronte një vendim në favor të kompanisë që drejtonte, ka tentuar t’i japë ryshfet gjyqtares, por është shpallur në kërkim dhe tashmë është vendosur nën akuzë në mungesë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, shkruan Panorama.
Ngjarja për të cilën akuzohet biznesmeni mësohet se ka ndodhur më 24 janar 2016, kur biznesmeni me iniciativën e tij ka shkuar në zyrën e gjyqtares dhe i ka lënë në tavolinë një zarf me 500 mijë lekë të rinj. Gjyqtarja Selvije Gjonçaj kishte prej muajsh në shqyrtim padinë që kompania e Ervin Brahos kishte bërë ndaj Ministrisë së Energjitikës ku kërkonte dëmshpërblim financiar për një kontratë.