Bijtë bastardë të erdoganizmit

Nga Andi Bushati

Rilindjes i takonte t’ia bënte qokën Erdoganit. Dhe kjo, jo vetëm sepse vëllai Taip është i preferuari i katolikut Edi.

Të dy kanë këmbyer takime private, selfie reciproke, kanë bredhur së bashku mbi urën e sapo ngritur mbi Bosfor, kanë shkëmbyer deal-e ekonomike dhe e kanë mbështetur njëri- tjetrin kur janë përballur me zgjedhje në vendet e tyre.

Në këtë kuptim, memoriali i lartësuar tek Parku i Liqenit, nuk ëshë një mëkat më shumë, në krahasim me eleminimin e ish- kreut të Komunitetit Mysliman, me ngritjen e xhamisë me financime nga Ankaraja, me deklaratat e shefit të qverisë se vëllazëria Gylen është një organizatë terroriste.

Në të mirë apo në të keq, marrëdhënia ekstra institucionale mes raisit neo-otoman dhe liderit global të Tiranës, është një gjë, që që ndonëse me vështirësi, e kanë kapërdirë në Tiranë.

Për më tepër që përkujtimi dhe himnizimi i viktimave të 15 korrikut, i shkon për shtat shumicës në pushtet. Ajo është simbolika më e mirë që i duhet asaj pas 30 qershorit.

Mesazhet përputhen: njerëzit mund të japin dhe jetën për të mbrojtur një autokrat, cilado qoftë natyra e regjimit, sado shtypës apo gjakatar qoftë ai, përmbysja me dhunë konsiderohet një sakrilegj.

Pikërisht për këtë, turma të mëdha parakaluan në 15 korrik, rrugëve të Tiranës, me flamujt e kuq me gjysmë hënë mbi to.

Pikërisht për këtë, me dhjetra djem të rij, mbanin në duar pankartat ku shkruhej: “Fitorja e demokracisë së 15 korrikut, Tiranë- Shqipëri”.

Pra, në këtë manifestim me leje, i cili u asistua nga zyrtarë të Rilindjes, ku për ngritjen e memorialit dhe emerimin e rrugës ka dhënë leje Erion Veliaj, konsiderohet normale që batërdia që ndodhi pas korrikut 2016, burgosja e qindra gazetarëve, intelektualëve, profesorëve, opozitarëve, hendeku i madh i vendosur në shoqërinë turke, përndjekja e kundërshtarëve, të barabitet me vendosjen e demokracisë.

Natyrisht, askush që i njeh rilindasit nuk çuditet për mbrojtjen prej tyre të këtyre vlerave.

Natyrisht për askënd nuk përbën habi, se ata nuk janë në gjendje të belbëzojnë as të vërteta që i thonë edhe vetë turqit Orhan Pamuk, Elif Shafak, apo Ahmet Altan.

Zgjedhja e tyre është sa ideologjike po aq dhe pragmatiste, ata duan Erdoganin si person dhe venerojnë modelin e tij. Dhe deri në këtë pike, ata janë koherentë me rrugën që ndjekin.

LEXO DHE :  Çfarë u pëlqye dhe çfarë jo, te Kënga Magjike!

Por, problemi i tyre qëndron diku tjetër, sepse raisi turk nuk e ka për zor ta mbrojë çmendurinë e tij. Ai është i gatshëm të zihet dhe më ShBA për t’i dorëzuar imamin Gylen, ai e justifikon faqe botës burgosjen e gazetarëve si terroristë, ai nuk druhet ta afishojë përballë gjithë globit sistemin autokratik që mban në këmbë.

Ndërsa idhtarët e tij në Tiranë janë thjeshtë bij skuthë të erdoganizmit. Ata duan edhe të shtiren si kampionë të vlerave demokratike, edhe të përfitojnë nga e kundërta e tyre.

Pikërisht këtë tregoi ceremonia e ngritjes klandestine të memorialit të viktimave të “demokracisë” së 15 korrikut. Rilindasit edhe i hapën dritën jeshile ngritjes së tij, edhe u fshehën si minj, për të mos u fotografuar aty.

Erion Veliaj, që nuk lë çdo hap që hedh pa e nxjerrë në TV, e maskoi këtë ceremoni të zhvilluar në mes të zhegut. As në kronikat që shpërndau bashkia, as në faqen e saj zyrtare nuk gjendet gërmë që të dëshmojë se kjo ngjarje ka ndodhur në kryeqytet.

Do të duhej një investigim i Zërit të Amerikës që ne ta kuptonim këtë fallcitet. Madje të dëgjonim edhe përgjigjen zhvejkjane: “Bashkia nuk di gjë, pyesni Ministrinë e Jashtme”.

Pra kjo histori, mënyra e turpshme si u bë dhe farsa edhe më e fëlliqur se si përpoq të varrosej në heshtje, nuk përbën një mëkat në vetvete. Nga njëra anë, Parku i Liqenit në Tiranë, mban mbi shpinë edhe emra më të diskutueshëm, si p.sh ai i ish- presidentit egjiptian Mubarak. Nga ana tjetër, lidhja okulte Rama- Erdogan ka shumë anë më të errëta sesa kaq.

Por kjo ngjarje, sa e shëmtuar, dhe komike, na shërben për të kuptuar edhe njëherë më shumë dyfytyrësinë e këtij pushteti. E një grupi njerëzish që edhe kur është i bindur se një gjë nuk duhet bërë, pasi ajo bie ndesh me vlerat që propogandon dhe me konsensusin e përgjithshëm, sërish nuk di të ndalet.

Atë që e di që nuk pranohet, nuk e ndërpret, thjeshtë përpiqet ta realizojë pas shpine. Ashtu si memoriali i kërkuar nga Erdogan, që u inagurua në klandestinitet./lapsi.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.