Beteja kundër Edi Ramës, duhet ndarë nga beteja për ndryshimet ligjore në media
Dritare.net
Lulzim Basha ka mbledhur sot një grup gazetarësh, kryesisht të portaleve, për t’u përfshirë në një betejë politike kundër Edi Ramës, më shumë se sa në një beteje pro fjalës së lirë.
Për betejën kundër Edi Ramës, janë bërë shkak ndryshimet në ligjin “Për Mediet Audiovizive”, ndryshime që zgjerojnë autoritetin e AMA edhe mbi mediat e reja në internet, kryesisht portalet.
Protagonizmi i Bashës, nisi me një kërkim ndjese për krimet e Sali Berisës, mbi lirinë e medies, i cili është dhe një nga dhjetë “armiqtë botërorë të lirisë së shtypit”, dhe pastaj vazhdoi me me një retorikë politike, që në të vërtetë fsheh problemet reale që mund të kenë ndryshimet ligjore në raport me lirinë e shtypit.
Edhe rrethi më i afërt i gazetarëve të Bashës, e shikon këtë betejë, më shumë si një betejë për të ç’mitizuar Edi Ramën si demokrat, se sa një betejë për fjalën e lirë.
Pra në fokus të kësaj fushate, është vendosur se si mund të dëmtohet Edi Rama, duke marrë si referencë këto ndryshime ligjore, dhe jo se sa sa dhe si dëmtohen gazetarët nga ky projektligj.
Kjo ka bërë që beteja të ndajë mediet e mëdha në vend nga debati, dhe të krijojë një perceptim të rremë mbi problematikën reale të këtyre ndryshimeve.
Bëhet fjalë për një ligj që ekziston, i cili është ligji “për medien audiovizive në RSH” miratuar në vitin 2013, të cilit po i shtohet dhe pjesa e medieve të reja në internet, kryesisht portalet.
Kompetencat ligjore që AMA i ka mbi radiotelevizonet, tani do t’i shtrijë dhe mbi portalet dhe transmetimet e tjera në internet.
Vendimet finale për problemet që krijohen nga këto transmetime do t’i japë gjykata. AMA shërben si vlerësuese paraprake e këtyre shqetësimeve.
Projektligji ka problematikën e vet, pasi nuk është njësoj të monitorosh 20 TV, dhe po njësoj të merresh me 800 portale ilegale, sa ka në Shqipëri.
Bota e internetit dhe bota e radiotelevizioneve, janë krejt të ndryshme. Ndërsa media audiovizive është profesionale, konkurruese dhe bazuar mbi ligje tregu, bota e internetit është e pakontrollueshme, e padisiplinuar, e pastandartizuar, e pallogaritshme, jo profesionale, dhe mbi të gjitha, e papërgjegjshme.
T’i hysh kësaj historie, është si të marrësh detin me këmbë, dhe ka shumë shanse mos t’ia dalësh.
Në këtë pikë ajo që unë shikoj si shqetësim, është se AMA-s do t’i duhet të ngrejë një strukurë të tërë nëpunësish të merren me këto histori, çka është një harxhim energjish, një rrezik për indoktrinim të tyre, dhe në fund, mund të jetë dhe një dështim i madh.
Krijimi i strukturave të pafundme administrative që do merren me vlerësimin paraprak të këtyre medieve, është betejë e humbur dhe arsye për të dëmtuar besueshmërinë e gjykimit.
Sot është e vërtetë që AMA vendos gjoba dhe propozon heqje linçensash për TV apo radiot në vend, por kjo është një praktikë e konsoliduar dhe ke të bësh me media të mëdha profesionale, të përgjegjshme dhe konkurruese.
Ndërsa në botën e internetit, AMA do të ndeshë njerëz anonimë, lajme të papërgjegjshme, histori shantazhesh, dhe publikime të tipit JOQ, që janë platforma, por jo medie, që ti së pari duhet t’i standartizosh si gazetari dhe pastaj t’i vlerësosh.
E zhytur në këtë kënetë, AMA dhe administrata e saj, do ta kenë të pamundur të përballen me një punë profesionale, përballë një produkti jo profesional.
Është e lehtë të gjykosh Top Channel, Klan, Vizion Plus, apo News 24, pasi je duke gjykuar medien që e bëjnë gazetarë.
Por të gjykosh postimet e Sali Berishës, apo të JOQ, dhe mediave të tjera që janë platforma anonime denoncuesish, është e pamundur, e pavlefshme dhe e pallogjikshme. Ajo është betejë kundër propogandës dhe jo betejë kundër gazetarisë.
Ndaj më shumë se sa i rrezikshëm, në këtë pikë ligji ka shanse të jetë i pazbatueshëm dhe i dështuar, nëse e zhyt AMA-n në vlerësimin paraprak të këtyre lajmeve, njësoj si bën me TV-të apo radiot.
Përballja me standardet profesionale të medies në vend është një betejë shumë më luksoze, se sa përballja me agresivitetin, mungesën e profesionalizmit, papërgjegjësinë dhe problemet e tjera të medies në internet.
Ndaj është mire të shikohet pjesa e përgjegjësisë së AMA-s në procesin vlerësues të problemeve që krijon media e re e internetit, dhe t’i kalojë direkt gjykatës çdo përballje me viktimat e kësaj medie.
AMA nuk ka pse bëhet filtër paraprak i një procesi që do të kërkojë shumë energji të shkuara dëm, derisa çdo vendim, edhe sipas ligjit, sërisht do merret nga gjykata.
Nga ana tjetër, ajo që duhet të forcohet dhe duhet të jetë e rreptë, është regjistrimi i çdo portali apo subjekti që bën shërbime mediesh në vend, jo vetëm për seriozitet dhe sigurinë e qytetarëve që të dinë me kë kanë të bëjnë, por dhe për të rregulluar konkurrencën në këtë treg, ku një pjesë paguajnë taksa dhe jetojnë nga puna si gazetarë, të tjerët janë anonimë.
Siç e theksova, AMA nuk mund të përballojë me të njëjtën mënyrë si përballon median radiotelevizive, edhe mediet e internetit, ndaj është më mirë të zgjerohen dhe specifikohen në ligj rastet e fajësisë dhe rastet të shkojnë direkt në gjykatë.
Harxhimi paraprak i energjive nga AMA mes të tjerash do të dobësojë dhe besueshmërinë e gjykimit, duke ngritur një administratë të tërë qëmtuesish dhe vlerësuesish të kësaj medie.
Për fat, Shqipëria e ka dekriminalizuar shpifjen dhe ekzistojnë tashmë praktika të mirënjohura të gjykimit të gazetarëve në gjykatë, me të cilat ne ndeshemi përditë.
Një problem i dytë që ka të bëjë me vetërregullimin, është nevoja për një status të gazetarit, për të ndarë mediet që jetojnë me produkte gazetareske, nga ato platforma që jetojnë me produktet komerciale në internet.
Dhe vetërregullimi nuk bëhet me organizata të rreme. Në Shqipëri janë më problem organizatat e rreme, se sa lajmet e rreme. Për shembull në një proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, gazeta “TemA” dëgjoi për herë të parë që ka një “Këshill Etike” mediesh, një OJQ fallco me dy militantë, që rekomandonin ndëshkimin e gazetës, pasi sipas tyre, kishte cenuar një shoqe të organizatës së tyre politike.
Mirë që janë fallco dhe si njeh askush, pasi nuk janë prodhuar nga vetërregullimi, por korrupsioni i OJQ-vë, por sillen dhe si prokurorë ndaj gazetarëve.
Fallco janë shumica e OJQ-ve të gazetarëve në Shqipëri dhe ky është problem. Fallco është një OJQ që e kam krijuar unë me disa miq gazetarë në vitin 2000, fallco është ajo e Ylli Rakipit, fallco është ajo e Armand Shkullakut, por së paku nuk përdoren kundër gazetarëve. Herë pas here përdoren kundër qeverive.
Ky korrupsioni i lajmeve të rreme, shoqëruar me OJQ të rreme, me shifra të tipit “35 OJQ kundër Edi Ramës”, e bëjnë natyrisht tragji-komike këtë kryengritje në një gotë uji, në kafenetë e Tiranës.
Për t’u kthyer dhe një herë tek ndryshimet ligjore, ato duhet të bëhen, duhet të jenë të thjeshta, të pakorruptueshme dhe të besueshme. Për këtë arsye, shumicën e punëve vlerësuese paraprake që ja kanë lënë AMA-s, është mire t’i kalohen direkt gjykatave, ndërkohë që AMA dhe AKEP duhet të forcojnë regjistrin e e medieve elektronike, dhe t’ua mundësojnë qytetarëve kontaktin dhe përballjen ligjore me to.
Kjo do të ishte një ndihmë për tregun e ri të medies elektronike. Ndërsa sa i takon betejës tjetër, që opozita mendon se po bën betejë kundër Edi Ramës, duke u bërë thirrje gazetarëve t’i bashkohen Sali Berishës për të mbrojtur lirinë e medies, është njësoj sikur t’i kërkoje Gjermanisë pas vitit 1945, të bënte denazifikimin e vendit, duke ringjallur Hitlerin dhe duke ja besuar atij këtë rol./ TemA