Beteja e re e Lavrovit dhe Serbisë për Kosovën

Nga Dritan Hila

Kur Dick Marty, europarlamentari zvicerian hodhi tezën e trafikut të organeve të bërë nga UÇK, pakkush e morri seriozisht. Ngjante një fantashkencë. Pastaj kur përcaktuan edhe shtëpinë e verdhë si vendi i operacioneve, atëhere për shumëkënd u bë qesharake.
Kush e njeh sadopak mjekësinë, e di se transplanti i organeve është një procedurë jashtëzakonisht e vështirë e cila kërkon aparatura të sofistikuara, higjenë maniakale, personel të kualifikuar, transport super të shpejtë. Sesa e komplikuar është kjo degë e mjekësisë, mjafton të konstatosh që ende në Ballkan, nuk bëhen trapiante.
Por shpesh propagandës nuk i duhen shumë faktet. Madje kur ajo është e paskrupullt, siç ndodh në vendet autoritariste si Rusia, apo me një traditë të vjetër të manipulimit të turmave nëpërmjet shërbimeve sekrete dhe mediave mike, si Serbia, nuk duhen fare fakte.

Mjafton prekja e disa pikave të ndjeshme të publikut dhe demonizimi i kundërshtarit, dhe loja është e bërë. Ne e kemi parë sesi tashmë për disa gazetarë perëndimorë, pjesëtari i UÇK-së, nuk është më luftëtari i lirisë, por ka filluar paraqitet si një kaçak i zakonshëm, i cili hajdutërinë e praktikoi gjatë luftës dhe pas saj. Lavrovi, ministri i jashtëm rus thotë për një nga vëllezërit Haradinaj se “Ai e shijonte vrasjen e kundërshtarit”. Kaq mjafton që në nënndërgjegjen e tij, lexuesi t’i identifikojë gjithë vëllezërit Haradinaj si serial killer. Dhe ky imazh të shtrihet edhe më tej.
Kush ka pak vullnet të klikojë në Google për luftën e fundit të Kosovës, do të vërejë fotot makabre të vrasjes së civilëve shqiptarë. Pleq, gra, fëmijë, foshnja, bujq të mjerë të masakruar në shtëpi, ara, apo duke i ikur spastrimit etnik. Por publiku perëndimor nuk ka kohë të kërkojë për këto pamje. I mbetet në mendje thënia e një njeriu që ka mundësinë ta përhapë këtë propagandë. Dhe ja ku jemi tani që shpesh Kosova vendoset në këndin e ringut, ja ku jemi me një gjykatë speciale që do të gjykojë komandantët e luftës për krime. Tashmë bota ka filluar e mallëngjehet nga disa ndërtesa të bombarduara nga NATO në Beograd, duke harruar se aleanca lajmëronte që një ditë përpara serbët për ndërtesat që do të sulmoheshin.

Disa gazeta harrojnë se edhe bombardimi i centralëve elektrikë u bë me bomba inteligjente që t’i kalonte ato në tilt, por jo t’i shkatërronte. Gati të gjitha po harrohen, për shkak se kundërshtari ynë është sistematik dhe i palodhur. Ai nxjerr në foto shqiptarët që shkojnë me ISIS, nxjerr në pah disa dyshime duke i ofruar si fakte për vrasjet që UÇK ka bërë gjatë luftës, nxit median të gjykojë veprimet e luftës me llogjikën e paqes, duke nxitur harresën për kë dhe kush ishte viktima.

Kohët e fundit, është vërejtur një shtim i aktivitetit të Rusisë dhe Serbisë në drejtim të rishikimit të luftës së Kosovës, dhe të rezultateve të saj. Luftën e humbur në shesh betejë, duan ta fitojnë në tavolinë. Kërkohet që shteti i ri të jetë një vasal politik dhe ekonomik i Serbisë, synohet që të kthehet në një koloni “de facto” të saj. Krahas këtij objektivi taktik, në planin gjeopolitik Rusia synon çarjen e kontinuitetit territorial të Aleancë së Atlantikut dhe frustrimin e Kosovës, e cila megjithëse nuk është vend anëtar, është një aleat besnik i Perëndimit jo vetëm si qeveri por edhe si popullsi. Këtë ne nuk duhet ta lejojmë. Ndërkohë vërehet një lodhje e disa shqiptarëve që të merren me një histori të cilën ne kurrë nuk duhet ta harrojmë. Dhe nuk duhet të mungojmë t’ia kujtojmë vetes dhe të huajve se ne kemi qenë viktima, ndërsa ata kriminelët.
Aq kriminelë, saqë bënë me turp në ato mote edhe aleatët e tyre, që u neveritën aq shumë sa i braktisën. Kjo nuk duhet harruar./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.