Beogradi: Shqiptarët po pengojnë furnizimin me ushqime të serbëve që jetojnë në Kosovë
Dritare.net
Sipas Telegrafit serb, Gjuriç ka thënë sot se shqiptarët në ditët e fundit kanë shkurtuar kanalet e furnizimit të produkteve ushqimore bazë nga Serbia qendrore.
“Ka nisur të shfaqen mungesa artikujsh në komunat në veri të Kosovës, por Serbia do të gjejë mënyrë për të dërguar mallra për popullin e saj në jug të Krahinës”, shprehet Gjuriç.
Gjuriç thekson se Prishtina këtë veprim e mbështet në Marrëveshjen e nënshkruar më 23 shkurt të vitit 2012, nga Borko Stefanoviqi, sipas të cilës është vendosur policia kufitare në pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
“Kjo polici kufitare tani rrëmben kamionë me mallra, ndërsa në Mitrovicë ka mungesë mallrash. Ne do të gjejmë zgjidhje për të dërguar gjithë çfarë duhet për popullin tonë në Kosovë e Metohi, serbët s’kanë pse të mërziten”, tha Marko Gjuriç.
Më tej Gjuriç ka thënë se Serbia është duke realizuar 140 projekte për të ndihmuar serbët në Kosovë. Siç është ujësjellësi rajonal për veriun e Kosovës dhe objekti i ri i banjës në Banjskë, i cili përveç hapësirave shëruese, do të ketë edhe basene të hapëta e të mbyllura.
Sipas medieve serbe rreth 400 tregtarë privatë, pronarë marketesh, po planifikojnë t’i mbyllin objektet e tyre, sepse raftet i kanë të zbrazëta.
Ndërkohë sipas medieve Kosova ky është një inskenim i stisur nga Serbia pas vendosjes së taksës 100% mbi mallrat serbe./e.k-Dritare.net