Basha: OSBE konfirmoi se nuk ka ligj, e kushtetutë
Dritare.net
Basha ka thënë se raporti ka konfirmuar se në vendin tonë nuk ka ligj dhe kushtetutë, por sipas tij shtet privat të Edi Ramës.
“Nuk ka institucion zgjedhor që nga KQZ tek numëruesit dhe vëzhguesit që nuk ka shkelur ligjin.
Së pari, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në shkelje të dekreteve të Presidentit.
Së dyti raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje dhe nuk patën asnjë lidhje me të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ato ishin një farsë zgjedhore dhe tallje demonstrative me pluralizmin politik dhe dhe demokracinë përfaqësuese.
Edhe kur ishte i vetëm pa asnjë konkurent, edhe kur vetë i kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe vetë certifikoi, ai vodhi, manipuloi dhe shkeli çdo standart.
Prandaj, 30 qershori vërtetoi edhe një herë atë që Partia Demorkatike ka thënë fuqishëm:
Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është armik i zgjedhjeve, i pluralizmit dhe demokracisë.
Por 30 qershori tregoi edhe një të vërtetë tjetër:
As me këtë KQZ nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira.
E thashë në fillim dhe po e them prapë:
Raporti i ODIHR është më shumë se raport zgjedhor. Ai nuk rrëzon vetëm votimet e 30 qershorit.
Raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës.
Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit
Raporti është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t’i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal.
Raporti tregon se në Shqipëri kushtetutë dhe ligj është vullneti personal i Edi Ramës,
Raporti tregon se në Shqipëri shteti është vetëm një vegël në shërbim të vullnetit personal të Edi Ramës.
Në autokracinë e Edi Ramës shteti është instrument privat i gjithi në shërbimin ekskluziv privat të Edi Ramës:
Në shtetin privat të Edi Ramës datën e zgjedhjeve nuk e cakton Presidenti, sikurse ka vendosur Kushtetuta, por Edi Rama.
Në shtetin privat të Edi Ramës kushtetueshmërinë e ligjeve nuk e gjykon Gjykata Kushtetuese por Partia Socialiste e Edi Ramës.
Në shtetin privat të Edi Ramës, dekretet e Presidentit, kryetarit të Shtetit, nuk botohen në Fletore Zyrtare nga Ministria e Drejtësisë siç e kërkon ligji, por zhduken pa lënë gjurmë siç e do Edi Rama.
Në shtetin privat të Edi Ramës, KQZ në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës vendos të përjashtojë opozitën nga administrimi zgjedhor dhe ja beson atë njerëzve të caktuar nga Edi Rama.
Në shtetin privat të Edi Ramës, edhe partitë politike krijohen nga Edi Rama dhe atyre u vihet i gjithë shteti në dispozicion për të krijuar fasadë pluraliste për autokratin Edi Rama.
Në shtetin privat të Edi Ramës, gjykatat nuk vendosin bazuar në ligj dhe në shërbim të drejtësisë, por sipas dëshirave dhe për llogari të Edi Ramës.
Në shtetin privat të Edi Ramës administrata publike dhe burimet publike janë në shërbim të Edi Ramës dhe pronë e Edi Ramës.
Në shtetin privat të Edi Ramës, siç e pa dhe u dëgjoi mbarë bota edhe nga përgjimet e BILD, edhe krimi është në shërbimin ekskluziv të Edi Ramës.
Ky shtet privat dhe kriminal duhet shembur, për të rikthyer në vend shtetin e së drejtës, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.
E kam thënë disa herë, që e keqja ka depërtuar aq thellë dhe ka shkatërruar aq shumë, sa Shqipëria ka nevojë, jo vetëm për të larguar Edi Ramën sa më parë, por për një ndryshim rrënjësor, i cili do të zhdukë pasojat e thella të këtij regjimi kriminal por edhe të problemeve të tjera me demokracinë, ekonominë dhe qeverisjen që janë krijuar këto 30 vjet.
Shqipëria ka nevojë që të ripërqafojë vlerat e pluralizmit, demokracisë, ligjit dhe lirisë.
Kjo kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe një reformë të thellë politike. Ky është prioriteti ynë i menjëhershëm.”-tha Basha./ I.M-Dritare.net